Prokuroria e Krimeve të Rënda përfundoi dje hetimet në ngarkim të Emiljano Shullazit dhe grupit të personave që bënin pjesë në rrethin e afërt të tij. Emiljano Shullazi, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endri Zela akuzohen se kanë kryer një sërë veprash penale, si “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie të pasurisë”, “kanosje” dhe “shkatërrim të pronës me eksploziv” ndaj biznesmenëve Ylvi Beqja, Jani Zaka dhe Adriatik Kërçuku, shkruan “Panorama”.
Këta dy të fundit, me aktivitet përkatësisht në Tiranë dhe në Lushnje, pas kërcënimeve të Emiljano Shullazit, kanë pasur shpërthime eksplozivi në bizneset e pronat e tyre, ndërsa Prokuroria aludon se kjo ka ndodhur në formë presioni ndaj tyre për t’i detyruar të paguanin çka u kërkohej.
Grupi i Emiljano Shullazit akuzohet për kërcënimin e rektorëve Mynyr Koni e Dhori Kule, gjatë fushatës për zgjedhjet në universitete, në prill të vitit 2016. Qëllimi i kërcënimit, sipas Prokurorisë, ka qenë që Mynyr Koni të tërhiqej nga gara për zgjedhjet në Universitetin e Tiranës.
Në provat e renditura nga Prokuroria, në kërkesën e saj për gjykim janë dëshmitë e të dëmtuarve nga aktiviteti i Shullazit, ka përgjime telefonike, pamje filmike nga kamerat e vendeve ku kanë ndodhur ngjarjet dhe procesverbale të deklarimeve të dëshmitarëve që janë pyetur gjatë fazës së hetimit paraprak. Emiljano Shullazi u arrestua më 16 prill 2016 bashkë me Blerim Shullazin dhe Gilmando Danin, pas denoncimit publik që ish-kryeministri Berisha bëri për kërcënimin e profesorëve. Disa muaj më vonë u arrestuan edhe dy anëtarët e tjerë të bandës.
HETIMI PËR GRUPIN E SHULLAZIT
I pandehuri Emiljano Shullazi është me banim në Tiranë dhe ka vepruar në bashkëpunim me persona të tjerë, duke kryer një sërë veprash penale. Ai ka arritur të bëjë të mundur formimin e një grupi të strukturuar kriminal, duke siguruar anëtarësinë e grupit, vijimësinë e tij, pasjen e një hierarkie në grup dhe kryerjen e veprave të ndryshme penale në formë të grupit të strukturuar kriminal. I pandehuri Emiljano Shullazi është personi që ka rolin organizativ dhe personi i cili me veprime aktive ka krijuar grupin e strukturuar.
Si anëtarë të grupit të strukturuar kriminal janë të pandehurit Gilmando Dani, Endrit Qyqja, Endrit Zela, Blerim Shullazi dhe persona të tjerë, për të cilët hetimet janë në vazhdimësi. Duke funksionuar si grup i strukturuar kriminal, të pandehurit e mësipërm kanë marrëdhënie të ngushta me njëri-tjetrin dhe veprojnë në bazë të një plani të paramenduar.
Gilmano Dani
Të pandehurit janë të lidhur me njëri-tjetrin në marrëdhënie shoqërore, por dhe në marrëdhënie farefisnore. Grupi i strukturuar kriminal, i përbërë nga të pandehurit sa më sipër, por dhe persona të tjerë, ka funksionuar për një periudhë kohore disavjeçare, duke kryer disa vepra penale me qëllim realizimin e përfitimeve materiale dhe jomateriale. Faktet penale që u atribuohen të pandehurve lidhen me një sërë ngjarjesh të ndodhura dhe që përfshijnë kryerjen e veprave të ndryshme penale, si “shtrëngim për dhënie pasurie”, “shkatërrim prone me eksploziv”, “kanosje për shkak të detyrës” dhe konkretisht në “shtrëngimin për dhënie pasurie”, që i është bërë shtetasit Jani Zaka në drejtim të përftimit të një pjese të pasurisë në mënyrë të padrejtë, shtrëngimin për dhënie pasurie që i është bërë shtetasit Ylvi Beqja në drejtim të përftimit të një pjese të pasurisë në mënyrë të padrejtë, shtrëngimit për dhënie pasurie në dëm të shtetasit Adriatik Kërcuku, si dhe kanosjen e bërë për shkak të detyrës në dëm të shtetasve Mynyr Koni dhe Dhori Kule, si dhe shkatërrimit të pronës me eksploziv të shtetasit Zaka, shkatërrim prone me eksploziv të shtetasit Adriatik Kërcuku.
GJOBA YLVI BEQJAS
Fakti penal që i atribuohet Emiljano Shullazit në lidhje me ngjarjen e ndodhur në dëm të shtetasit Ylvi Beqja, konsiston në shtrëngimin për dhënie pasurie që i është bërë atij në drejtim të përfitimit të një pjese të pasurisë së ish-hotel “Vollga”, në Durrës, si dhe në drejtim të përfitimit të shumave monetare prej tij.
Biznesmeni Ylvi Beqja
Rezulton e provuar se shtetasi Ylvi Beqja është njohur dhe më pas ka hyrë në marrëdhënie kontraktuale me të pandehurin Emiljano Shullazi. Gjatë bisedave të bëra mes tyre, Ylvi Beqja i ka kërkuar ndihmë të pandehurit Emiljano Shullazi me qëllim kryerjen e regjistrimit të pronës së ndodhur në Durrës, e quajtur ndryshe ish-hotel “Vollga”.
Në këmbim të kësaj ndihme që i pandehuri do t’i jepte, do të përftonte 20 për qind të pjesës së pasurisë. Ky vullnet i shprehur në bisedë është bërë dhe me akt noterial, ku nënshkrues janë shtetasi Ylvi Beqja dhe i pandehuri Emiljano Shullazi.
Më vonë në kohë, pas lidhjes së kësaj marrëdhënieje kontraktuale, i pandehuri Emiljano Shullazi ka ndërruar mendje dhe me kanosje, duke përdorur dhunën verbale dhe fizike, ka kërkuar që vlera e pasurisë që do t’i kalonte nuk do të ishte më në vlerën e caktuar prej 20 për qind, por do të ishte në vlerën prej 30 për qind.
Kundrejt përdorimit të armës dhe me kërcënim, shtetasi Ylvi Beqja është detyruar të nënshkruaje para noteres Aida Spahiu kontratën e dhurimit në vlerën prej 30 për qind. Në të gjitha rastet e takimit të shtetasit Ylvi Beqja me të pandehurin Emiljano Shullazi, ky i fundit ka qenë i shoqëruar me disa persona, të cilët lëviznin me disa makina.
Edhe në momentin e përpilimit të kontratës së dhurimit, shtetasi Ylvi Beqja ka parë që Emiljano Shullazi të ketë qenë i shoqëruar me shumë persona, të cilët ruanin vendin dhe personat. Ndër personat që kanë shoqëruar të pandehurin Emiljano Shullazi në takimet e tij me shtetasin Ylvi Beqja, ky i fundit ka mundur të identifikojë të pandehurit Gilmando Dani, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela.
Edhe prania e këtyre shtetasve të tjerë të marrë si të pandehur, por dhe personave të tjerë që vazhdojnë të jenë në hetim, ka ndikuar në krijimin e një situate të posaçme për kërcënim për shtetasin Ylvi Beqja. Emiljano Shullazi ka kërkuar nga shtetasi Ylvi Beqja shuma të mëdha parash. Nuk rezulton që mes Emiljano Shullazit dhe Ylvi Beqjas të ketë pasur marrëdhënie kontraktuale, ndaj kërkimi i bërë është i padrejtë.
Kërkimi i shumave të parave është bërë duke përdorur dhunën fizike dhe verbale. Në kërkimin e bërë për këto shuma parash ka marrë pjesë dhe shtetasi Gilmando Dani, si dhe persona të tjerë, të cilët kanë rolin e tyre në kryerjen e veprimeve. Në këtë mënyrë, Gilmando Dani ka pasur kontakte telefonike me shtetasin Ylvi Beqja, ku i ka kërkuar dhënien e sasisë monetare.
Sipas deklarimeve të dhëna nga shtetasi Ylvi Beqja, ky shtetas pretendon t’i ketë dhënë sasi të mëdha monetare shtetasit Emiljano Shullazi dhe bashkëpunëtorëve të tij, si Gilmando Dani etj. Ndër personat e përfshirë në këtë veprimtari janë dhe shtetasit Endrit Qyqja dhe Endrit Zela. Këta kanë qenë të pranishëm në disa momente, kur shtetasi Emiljano Shullazi ka bërë kërkimin e padrejtë të sasisë monetare.
Ata kanë përfituar sasi monetare me çek nga Ylvi Beqja nëpërmjet bankës dhe konkretisht te një bankë ku rezulton që, më datë 05.12.2014, ka tërhequr një sasi monetare prej 25.000 eurosh dhe më datë 15.12.2014, i pandehuri Endrit Zela ka tërhequr një sasi monetare prej 25.000 eurosh, i pandehuri Gilmando Dani, më datë 04.12.2014, ka tërhequr një sasi prej 25.000 eurosh dhe ka tërhequr më datë 15.12.2014, sasinë monetare prej 40.000 eurosh, i pandehuri Endrit Qyqja, më datë 16.12.2014, ka tërhequr sasinë monetare prej 16.000 eurosh. Nga ana tjetër, shtetasi Ylvi Beqja deklaron t’u ketë dorëzuar kundrejt kërcënimit shuma të mëdha parash jo nëpërmjet bankës.
GJOBËVËNIA E TRITOLI JANI ZAKËS
Nga deklarimet e shtetasit Jani Zaka ka rezultuar që ai të jetë kërcënuar nga Emiljano Shullazi, që ai të bëjë kalimin e pronësisë të një garazhi në favor të kushëririt të tij, të pandehurit Blerim Shullazi, ku në fillim te Jani ka shkuar i pandehuri Gilmando Dani, ku ky i fundit i ka thënë të hipë në mjet se “të kërkon Emiljano Shullazi” dhe ai i është përgjigjur se “do vij vetë me taksi”.
Lidhur me këtë ngjarje, janë pyetur disa persona, të cilët kanë deklaruar si më poshtë:
a.Mitri Prifti, më datë 3.02.2016, ka deklaruar se: “Janin e kam djalë halle, më 02.02.2016, më thotë në tel. se kishte nevojë të takohej me mua, kur u takuam më tha se kishte një problem, se ka blerë një parkim 1000 m2 Fatmir Sinanajt para 4 vjetësh…. me kontratë sipërmarrjeje 250.000 euro… të cilat i ka paguar me këste sipas kontratës… Fatmiri kishte dërguar djalin e vogël, i cili i ka kërkuar që t’i jepte 30.000 euro për parkingun dhe të tjerat t’ia jepte më vonë, pasi djali i Fatmirit pretendonte se Jani kishte shfrytëzuar momentin e ngushtë ekonomik të babait të tij kur i kishte blerë garazhin, pasi garazhi kushton 500.000 euro.
Ai i ka thënë se garazhin nuk e shes, se me këtë po ha bukë, ai është larguar… Disa ditë më vonë, Janin e takon një djalë lagjeje, të cilin ai nuk e njeh, i cili i ka thënë se do të të takojë pak Emiljano Shullazi. Jani pas këtij takimi ishte shumë i trishtuar dhe i dërgon njoftim shtetasit Fatmir Sinani ku i thotë më jep lekët e mia dhe unë tërhiqem se nuk dua probleme, por djali i tij Andi i thotë se tani merru me ata që kanë hyrë në lojë… dhe mundohu t’u bindesh se e di çfarë të gjen… Në datë 02.02.2016, rreth orës 11:00, Janin e kanë marrë në telefon dy persona te NSHRAKU.
Pasi i ka takuar personat, të cilët nuk i njeh me emra, ata i kanë thënë hyp në makinë se të kërkon Emiljano Shullazi dhe Jani u ka thënë se marr taksi dhe vij vetë, ata i kanë thënë të vish tani për dy minuta, se ai nuk mund të presi ty. Jani vete te një lokal i kuq prapa qendrës ‘Glob’ dhe atje takon personalisht Emiljano Shullazin, ku ai thotë se nesër nga ora 10:00 ta kesh telefonin hapur dhe do vij ky djali i xhaxhait tim të kaloj pak atë pronën në emër të tij, pa i lënë mundësi që të flasë Emiljano i ka thënë të dilte jashtë se kishte mbaruar punë me të”.
b.Jani Zaka, më datë 03.02.2016 ka deklaruar se: “Para disa vitesh te NSHRAKU kam blerë nga shtetasi Fatmir Sianani një parkim nëntokësor 12000 m, për një vlerë 300.000 euro, parkingun unë e kam marrë me kontratë porosi, pasi pallati është i pahipotekuar. Fatmiri, pasi më bëri shitjen, më ka thënë se parkingu kushton më shumë se ia kisha blerë unë. I kam thënë më kthe lekët, dhe unë tërhiqem. Para dy-tre muajsh më ka marrë në telefon një person dhe më ka thënë se të kërkon Emiljano Shullazi, unë i kam thënë se nuk jam në Tiranë dhe me t’u kthyer, do të të njoftoj vet. Ditën e enjte, si datë nuk më kujtohet, jam kthyer në Tiranë dhe kam marrë në telefon personin që më mori dhe ai më thotë jam te kafja ku rrimë afër shtëpisë së Emiljanos.
Unë kam vajtur dhe jam ulur në një lokal dhe personi më ka thënë që më prit ta njoftoj, pasi prita, personi më thotë se nuk vjen sot, por mbaje telefonin hapur se do të telefonojë ai vetë, ditën tjetër më telefonon rreth orës 13:00 ky person, por si datë nuk më kujtohet, dhe më thotë po të presim te lokali prapa Xhakës, unë kam vajtur te lokali dhe atje ishte Emiljanua që më priste në lokal dhe më thotë çfarë garazhi i ke mbajtur peng Fatmirit, unë i kam thënë se nuk kam mbajtur peng garazh, dhe ai më thotë zgjidhe me Fatmirin këtë problem, për këtë gjë kam njoftuar dhe kushëririn tim, Mitri Priftin, unë jam takuar dje me Emiljanon te lokali, pasi më njoftoi një kushëriri i tij…”
Themi Zaka, më datë 22.02.2016 ka deklaruar se: “Djali quhet Jani Zaka, në vitin 2011 i ka blerë 12000 m garazh Fatmir Sinanit …. rreth një muaj më parë, djalin tim, Janin, e shoh të mërzitur. Më kanë thënë rojet se vijnë dy makina me xhama të zinj, më duket se janë pjesë e grupit të Emiljano Shullazit. Këta persona kanë dashur të futen në parking, por nuk i ka lejuar roja, i cili u ka thënë se do të njoftoj policinë, dhe ata kanë ikur…”.
Ndërsa më datë 13.03.2013, ka deklaruar se: “Me datë 03.02.2016 unë kam pasur shqetësime te parkingu, pasi disa persona me makinë të zezë tip ‘Benz’ i zi i kishin shkuar paradite, rreth orës 11:30, rojës së parkingut dhe i kishin kërkuar të hynin me forcë. Roja nuk i ka lënë dhe u ka thënë se do të njoftoj policinë, rojës i kishin thënë se donin numrin e telefonit të çunit tim, por ai e kishte fikur telefonin, i kanë kërkuar rojës numrin tim, por ai nuk ua ka dhënë se e kisha porositur…. djali është larguar pasi është kërcënuar nga Emiljano Shullazi për punën e këtij garazhi, pasi shtetasi Emiljano Shullazi kërkonte që djali të largohej nga ky parking dhe të shkonin te një noter ku të firmoste dhënien e parkingut shtetasit Blerim Shullazi… mendoj se eksplozivin ta kenë vendosur personat që përmendëm më lart, të cilët kanë kërkuar ta marrin parkingun…”.
PËRGJIMET Po kështu, për këtë ngjarje janë administruar edhe përgjimet telefonike, të cilat kanë përmbajtjen si më poshtë:
1. Telefonatë datë 17.02.2016, ora 19:29:56, ku Mitri Prifti, që përdor numrin 336, bisedon me personin me nr. 340, ku biseduesi e pyet për Jani Zakën, i cili ishte larguar pas kërcënimit nga Emiljano Shullazi, Gilmando Dani e Blerim Shullazi.
Sipas shkresës nr.1553, datë 13.03.2016, Drejtoria e Policisë Vendore ka informuar prokurorin për ngjarjen e datës 13.03.2016, ku portës së garazhit të shtetasit Arjan (Jani) Zaka i ishte vendosur lëndë eksplozive.
Lidhur me këtë ngjarje është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes, kjo e pasqyruar në procesverbalin datë 13.03.2016. Janë këqyrur e marrë në cilësinë e provës mbetjet e gjetura në vendngjarje, të cilat janë dërguar për ekspertim të mëtejshëm, si dhe janë këqyrur kamerat në tri ambiente që kanë qënë në afërsi të vendit ku ka ndodhur shpërthimi.
Sipas procesverbalit, datë 16.03.2016, nga shtetasi Themi Zaka janë dorëzuar dokumente, të cilat pasqyrojnë se garazhi ku është vendosur lënda eksplozive është në posedim të shtetasit Jani Zaka, pasi e ka fituar me kontratë sipërmarrjeje nga shtetasi Fatmir Sinanaj, sepse akoma nuk është bërë hipotekimi i pallatit ku është ky garazh. Lidhur me këtë ngjarje janë pyetur shtetasit F.S., A.S., K.S., të cilët kanë deklaruar se garazhi është në posedim të Jani Zakës, i cili e ka fituar me kontratë sipërmarrjeje, por ato kanë shfaqur dyshimin se ky ia ka hedhur Fatmirit, duke përfituar nga gjendja jo e favorshme ekonomike e tij dhe këtu ka lindur konflikti.
Po kështu, janë pyetur dhe shtetasit Mitri Prifti e Themi Zaka e F. Ç., të cilët kanë deklaruar si më poshtë:
a.Mitri Prifti, më datë 18.03.2016 ka deklaruar se: “Kur kam ndenjur me Adin, kam mësuar nga vetë ai se babai i tij kishte pretendime se ia kishte shitur garazhin…. Jani Zakës shumë lirë nga çfarë ata pretendonin…… hera e fundit i thashë që të zgjidhni problemin me atë garazh…… ai më është përgjigjur se nuk merremi më me këtë punë, dhe tani e mbrapa merret tjetërkush…..”
b.Themi Zaka, më datë 13.03.2016 ka deklaruar se: “…Mendoj se eksplozivin ta kenë vendosur personat që përmendëm më lart, të cilët kanë kërkuar ta marrin parkingun…”.
Ndërsa më datë 16.03.2016 ka thënë se: “….Djali është larguar që nga dita që është kërcënuar nga persona të panjohur nga ana ime…”. Po më datë 12.04.2016 ka deklaruar se “…Kam vënë re një mjet “Audi” me xhama të zinj dhe një mjet “Benz” me targa AA 888 JL…..”. c.F., më datë 13.03.2016, ka deklaruar se: “Jam roje e parkingut…… prapa derës…… kur isha shtrirë në krevat kam dëgjuar një shpërthim të fuqishëm dhe jam çuar nga krevati….. kur kam dalë nga parkingu dhe dëgjova një fishkëllimë dhe pashë një person, doli me vrap në rrugë dhe vajti drejt garazhit… pashë që personi ishte i gjatë, i hollë dhe i veshur me rroba të zeza.
EKSPLOZIVI E GJOBA ADRIATIK KËRÇUKUT
Prokuroria e Lushnjës ka regjistruar procedimin penal nr.43, datë 27.01.2016, për veprat penale “kanosje” dhe “mbajtje pa leje e armeve dhe lëndëve eksplozive”. Nga aktet e këtij procedimi ka rezultuar se më datë 25.01.2016, rreth orës 18:30, është paraqitur në Komisariatin e Lushnjës Adriatik Kërçuku, banues në Lushnje, i cili ka kallëzuar se ka gjetur në oborrin e ambienteve të biznesit të tij, që ndodhet në autostradën Lushnjë- Tiranë, në lagjen “18 Tetori” të Lushnjës, një sasi lënde plasëse e mbështjellë me izolant. Biznesi i këtij shtetasi konsiston në shitjen e varkave, gomoneve, paneleve diellore, dyerve të blinduara, alumin etj. Objekti është i siguruar me kamera sigurie dhe ka të punësuar një roje, i cili është familjar i Adriatik Kërçukut.
Më datë 22.01.2016, Adriatik Kërçuku ka marrë një telefonatë nga magazinieri i tij, Ismail Dervishi, i cili i ka thënë që t’i fliste një shoku në telefon, që ndodhej te biznesi në Lushnjë. Në telefon ka folur me një person, i cili i është prezantuar si Emiljano Shullazi, ai e ka sharë e fyer, si dhe i ka kërkuar të shkojë ta takojë në Tiranë, duke e kërcënuar. Këta persona kishin ardhur te biznesi i Adriatikut me dy makina, njëra e markës “BMW” dhe tjetra “Wolksvagen”, me disa persona.
Më datë 25.01.2016, shtetasi Adriatik Kërçuku, pasi është kthyer së bashku me vëllain e tij D. Kërçuku, në orën 18:00, në ambientet e biznesit të tij është kontaktuar nga roja, i cili i drejtohet vëllait të tij, duke i thënë se kishte harruar këtë aparatin poshtë gomones dhe e mbante në dorë një send të mbështjellë me izolant. Adriatiku e ka parë mirë sendin në fjalë dhe i ka thënë rojës ta largojë nga objekti, pasi ishte një pako me dinamit.
Nga këqyrja e vendit të ngjarjes, është gjetur e fiksuar një pako e dyshuar me lëndë shpërthyese, e cila ishte e mbështjellë me izolant me vija jeshile e të verdha, ku në të kishte një fitil zjarrpërcjellës me ngjyrë të verdhë, ku në fillimin e tij vihen re shenja ndezjeje të tij. I është marrë deklarim shtetasit të dëmtuar, Adriatik Kërçuku, i cili në deklarimin e tij thekson se dyshon se ky shpërthim është bërë për ta trembur dhe është i përsëritur me qëllim kanosjen e tij.
Ai gjithashtu sqaron se ky shpërthim i është bërë nga të njëjtët persona që kanë qenë dhe më përpara në një shpërthim tjetër para rreth një muaji. Është bërë këqyrja dhe marrja e pamjeve filmike të kamerës nr.09, ku duket qartë që rreth orës 02:00 të datës 22.03.2016 është afruar një mjet me portobagazh dhe prej tij kanë dalë dy shtetas, njëri prej tyre ka hedhur një send, i cili pasi ka rënë në mjetin lundrues të parkuar, pas disa minutash ka shpërthyer dhe ka shkatërruar pjesërisht varkën e parkuar para oborrit.
KËRCËNIMI I PROFESORËVE
Në raport me ngjarjen e ndodhur në dëm të shtetasve Mynyr Koni dhe Dhori Kule, i pandehuri i ka kërcënuar këta subjekte me qëllim që të tërhiqej shtetasi Mynyr Koni nga kandidimi i garës për rektor, që përbën vepër penale, sipas nenit 238 të Kodit Penal. PANORAMA
ma.me