Propaganda komuniste që bartin filmat e ish-Kinostudios, ka çuar në propozimin për ndalimin e transmetimit të disa filmave dhe transmetimin e disa të tjerëve me logon “PPSH”. Ju vetë keni qenë në disa prej këtyre filmave, a ka vend për ‘ndalim’? A ka vend për shqetësim?
Përderisa ka dalë si problem, ka diçka, nuk del nga asgjë. Unë, sigurisht, nuk më takon dhe aq të gjykoj, dhe ndërkohë nuk mund të mos shprehem. Sigurisht, nuk jam për glorifikim të gjithçkaje të asaj kohe, edhe pse filmat përbëjnë histori. Shprehin marrëdhëniet e asaj shoqërie me gjithçka. Ka qenë një censurë fatale, publiku duhet të dijë që momentet më artistike shpesh censura i ka goditur dhe i ka prerë. Unë si aktor më ka ndodhur që më është sakatuar roli. Ato momente për të cilat unë e kam marrë rrolin, janë hequr. Sepse ato kanë qenë të veçanta. Nuk ka qenë vetëm aspekti ideologjik në ata filma, dhe e bukura që artistikisht ishte e bukur, ajo duhej të hiqej. Por, do thosha për filmin për Ismail Qemalin- ç’të keqe ka ai film? Një histori, të rinjtë mësojnë duke parë figurën e Ismail Qemalit duke parë Sandër Prosin.
– Por, nuk ka pasur vetëm Ismail Qemal? A ka pasur tendencë skematike dhe keqtrajtuese në disa drejtime?
Po, sigurisht! Jemi tallur e stërtallur me ballistët- ata kanë qenë një kundërshtar politik, ne i kemi bërë qesharakë. I kemi budallepsur, dhe për mua ky është një gabim, sepse nuk i kemi evidentuar si një gjë, si një kundërshtar të denjë, se të tillë kanë qenë në fund të fundit, se në krye të tyre kanë qenë edhe personalitete të kulturës shqiptare e të politikës. Qëndrimi ndaj kulteve fetare e veçanërisht ndaj personaliteteve të fesë, priftit, hoxhës, priftit katolik- kanë qenë ekstremisht tendencioz dhe i gabuar. Madje edhe në filmat ku prifti nuk kishte ndonjë rol të madh. Po kështu, dhe më vjen për të qeshur, unë si partizan, te një nga filmat, hedh një bombë aty dhe i vras të gjithë gjermanët. Kjo është qesharake, por edhe kinemaja amerikanë ka skematizmat e veta. Në kinemanë amerikane, po të jesh rus demonizohesh. Këto janë aspekte skematike.
– Cili do ishte propozimi juaj?
Jam i këtij mendimi; nuk ka asgjë të keqe, nuk prishet rinia nga vështrimi i filmave që koha i ka gjykuar. Ç’mund të thuash për një film të jashtëzakonshëm siç është për shembull “Koncert në vitin 1936”?! Ajo është Shqipëria e atëhershme, një Shqipëri anadollake, dy vajza të reja që vijnë me ëndrra pasi kanë studiuar në Itali. Ajo vjen të këndojë me piano në një fshat, në një botë inekzistente.
Ka shumë filma që kanë bërë përshtypje edhe në botë. Është në pjesën e artë të filmave, por qoftë edhe Kapedani për atë anë groteske që ka. Mund të transmetojnë me një bisedë paraprake- por nuk jam për qëndrime të prera- sigurisht, pranohet ndonjë koment, a mbase shpjegim.
Duan ta bëjnë në mënyrë drastike të heqin disa filma? Nëse e shikojnë të arsyeshme komisione të caktuara dhe e vërtetojnë që vërtet ky film luan rol ekstremisht negativ, le të hiqet, s’ka asgjë të keqe. Unë për vete si artist, nuk kam problem, madje po të jepeshin më pak, se jepen pa kriter, pafundësisht dhe ndonjëherë bëhen bajat. Unë kam kënaqësi të shoh Sandër Prosin, Bujar Lakon, Agim Qirjaqin- figura të tilla.
Jam fare i hapur, nuk kam asnjë dhimbje, absolutisht asnjë dhimbje, dhe nuk e shoh fare në mënyrë emocionale nëse do të hiqen të gjithë filmat. Të mos e marrin si një faj të artistëve që kanë bërë filma që qenë pjesë e propagandës. Për këtë, edhe publiku duhet ta dijë, për atë “faj” në sensin artistik, ne kërkojmë falje. Nëse kemi dhënë informacion jo të mirë.
ma.me
Të dijë si një aktorë të mirë.
Përgjigjet që ke dhënë edhe në intervistë, nuk me befasuan, sepse ka kohë se ke shpreh shenja të qarta prej një bukëshkali, ndaj atyre që të mundësuan që të besh emër!
Po ta them popullorçe -pusi të marrët!