Thellohet lufta mes Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Prokurorisë së Përgjithshme. Pasi kryeprokurori Adriatik Llalla kritikoi KQZ se pranoi formularë të dekriminalizimit jashtë afateve të parashikuara në ligj, këtë herë, kreu i organit të lartë zgjedhor, Denar Biba, ka vënë me “shpatulla pas murit” Prokurorin e Përgjithshëm.
Kreu i KQZ, Denar Biba, ka zbuluar se kryeprokurori Adriatik Llalla u hoqi mandatin Elvis Roshit, Dashamir Tahirit dhe Shkëlqim Selamit pa u bazuar në prova zyrtare.
Biba deklaroi dje në Komisionin parlamentar të Ligjeve, se Llalla nuk i vuri në dispozicion KQZ dokumentacionin ku duhej të paraqitej vendimi i formës së prerë i gjykatës në vendet e botës, ku tre ish-zyrtarët dyshohen se janë dënuar. Sipas tij, Llalla i dorëzoi KQZ një shkresë me shkrim, se treshja në fjalë ishin dënuar me vendim të formës së prerë, por pa paraqitur edhe dokumentacionin e nevojshëm.
“Prokurori i Përgjithshëm na ka sjellë në rastet e tre mandateve të zotit Dashamir Tahiri, Elvis Rroshi dhe Shkëlqim Selami që janë dënuar jashtë vendit për vepra të caktuara. I kemi kërkuar t’i shohim këto vendime, madje seancat kanë qenë publike.
Nuk na kanë sjellë aktet përkatëse, as sot që po flasim dhe e kemi marrë vendimin në mirëbesim të Prokurorisë dhe për pasojë përgjegjësinë e ka ai organ”, deklaroi kreu i KQZ-së, Denar Biba. Deklarata në Kuvend ka shokuar deputetët. Ata kryqëzuan Bibën se përse e pranoi kërkesën e kryeprokurorit, kur ishte e pabazuar në prova.
“Nëse nuk vjen dokumenti kush mban përgjegjësi? Pastaj ka një detyrim ligjor në marrëdhëniet tuaja me Prokurorinë e Përgjithshme të plotësohet dokumentacioni pastaj të merret vendimi mirëbesimi në këto çështje nuk ekziston”, tha deputeti socialist, Pandeli Majko.
Madje, deputeti Bashkim Fino shkoi më tej duke u shprehur se Biba dhe Llalla rrezikojnë burgun. “Në funksion të provave që do të sjellë Prokuroria, jo të një shkrese që ka prova për Bashkim Finon. KQZ nuk duhet ta marrë vendimin, po e mori të venë në burg.
Është e thjeshtë; të zbatojë rezolutën, ose t’i shkarkojmë e kemi në dorë ne i vëmë, ne i shkarkojmë”, tha deputeti socialist, Bashkim Fino, duke iu drejtuar kreut të KQZ-së, Denar Biba./a.m.