Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me liderin e opozitës Lulzim Bashan çfarëdo lloj formati që kryedemokrati do të propozojë, përfshi këtu edhe një tryezë me ndërmjetësimin e Presidentit Nishani.
“Unë jam i gatshëm të takohem me kryetarin e PD-së dhe me këdo tjetër, kudoqoftë, tek presidenti, tek cilidoqoftë tjetër i cili mund të marrë përsipër kryetarin e PD-së që nuk duhet të ketë frikë nga dialogu, nga ulja në tryezë me kundërshtarët, sepse në fund të fundit, askush nuk humb, por Shqipëria mund të fitojë… Unë vazhdoj të mbroj bindjen se PD nuk do të vrasë veten dhe do të hyjë në zgjedhje. Nga ana tjetër ne jemi gati që t’i krijojmë PD-së dhe të gjithë atyre që kanë nevojë për më shumë garanci, të gjitha hapësirat, duke ndërhyrë në kodin zgjedhor në kodin penal, duke konsideruar gjithashtu edhe mekanizma të tjerë për të mbrojtur, si të thuash psikologjikisht opozitën, por deri këtu...”-tha Rama.
Në një intervistë për VizionPlus, Rama u pyet në lidhje me “qeverinë e besimit”, ashtu sic e cilësoi në propozimet e tij Ilir Meta. Kryeministri tha se qeveria që ai drejton ka marrë një milion vota dhe se kontrata me qytetarët do të shkojë deri në fund.
“Përsa i takon qeverisë së besimit, unë e kam thënë bindjen time, kjo qeveri ka marrë besimin e 1 milionë shqiptarëve, unë do zbatoj kontratën deri në fund. E kam thënë më parë, lëshimi i detyrave është heqje dorë nga përgjegjësitë”-tha Rama.
I pyetur për kandidaturën e presidentit të ri që do të pasojë Bujar Nishanin, Rama tha se emri do të gjehet me konsensus mes PS dhe LSI.
“Ndryshe nga çfarë shpesh herë komentohet, unë kam respektuar logjikën e partneriteti me LSI. Për çështjen e presidentit duhet të dakordësohemi brenda aksit strategjik PS-LSI” – tha Rama. /b.d