Një në pesë nxënës dhe një në tetë mësues përdorin gjuhën e urrejtjes në shkollat tona. Publikohet studimi i parë kombëtar për bulizmin, i cili nxjerr në pah nivlin e lartë të tij. Fenomen që sipas psikologëve po ndikon drejtpërdrejt në zhvillimin e fëmijëve.
Talljet, vënia në lojë me emra fyes, përhapja e thashethemeve me qëllim mospëlqimin nga të tjerët e deri tek goditjet fizike po ndikojnë gjithnjë e më tepër në zhvillimin e nxënësve në shkollat tona. Sjellje të tilla të qëllimshme që ndodhin më shumë se një herë e që njihen me termin “bulizëm” i përjetojnë një ndër pesë nxënës nga klasa e katërt deri në të dymbëdhjetën. Fenomeni studiohet për herë të parë me iniciativë të Këshillit të Europës dhe nxjerr në pah se forma më e përhapur e bullizimit është ajo psikologjike me 45%, pasuar nga ai verbal me 37% e fizik me 33%. Ndër arsyet kryesore mësuesit rendisin pamjen e jashtme dhe vështirësitë në të folur, por studiuesit kanë tjetër mendim.
Më shqetësues paraqitet fakti se në 18 % të rasteve, bullizmi ndodh kur mësuesit janë në klasë. E nëse një në pesë nxënës përdorin gjuhën e “urrejtjes”, studimi ka nxjerrë në pah se të njëjtat terma i përdor gjithashtu një në tetë mësues. Këta vetë kanë pranuar se nuk janë trajnuar për të trajtuar efektivisht sjellje të tilla. Ndërkohë që shpesh të rriturit janë neglizhentë ndaj një fenomeni të tillë, psikologët tregojnë pasojat që bullizmi sjell tek fëmijët. Specilistët mendojnë se bullizmi në Shqipëri paraqitet në nivele të larta krahasuar me të tjera shtete, ndërsa Këshilli i Europës i ka rekomanduar Shqipërisë të marrë masa kundër diskriminimit, të krijojë mjedise më të sigurta dhe të nisë trajnimin e mësuesve për të luftuar fenomenin. /Express
c.a