Dalin detaje nga hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që kanë në dorë dosjen e atentatit të dy ditëve më parë ku u ekzekutua “komisari i hekurt” Artan Cuku.
Gazetarja e news 24 Klodiana Lala sqaroi se tashmë prokurorët e kanë identikitin e vrasësit. “Është një djalë rreth 35-vjeç, i hollë, i gjatë, i veshur me të zeza dhe në kokë mbante një kapele. Ky person e ka pritur Cukun kur ka hyrë i vetëm në pallat. Rruga për të shkuar tek pallati ka qenë e pashtruar dhe disi e veçuar nga rruga e Kosovarëve. Kur ka hyrë në pallat ai e ka kuptuar që do qëllohet dhe ka tentuar të shmanget duke thirrur një nga ashensorët. Ka thirrur ashensorin e tretë, në këto momente është qëlluar. Ka dyshime të forta që është përleshur me autorin, madje më herët ka thirrur ashensorin që t’i shpëtojë vrasësit, por kjo mbetet ende për tu vërtetuar”,- tha Lala.
Sipas saj, identikiti i killerit tashmë është i qartë për Prokurorinë e Krimeve të Rënda, madje ata po shpresojnë të arrijnë tek ai përmes gjurmëve, apo përmes ndonjë “gabimi” që mund të ketë bërë në momentin kur priste komisarin në hyrje të pallatit, por edhe ditët e tjera kur mund ta ketë ruajtur.
Duke iu referuar rrëfimit të administratores së pallatit, Lala shton se kjo e fundit e ka parë vrasësin, jo vetëm në hyrje të pallatit, por edhe në një kafe aty pranë.
“Këto janë ngjarje të vështira për tu zbardhur. Prokuroria shpreson që ai të ketë bërë gabime, të ketë lënë gjurmë diku. Pra, të jetë shfaqur me fytyrë jo vetëm atë ditë, por edhe ditë të tjera. Adminstratorja e pallatit thotë se është përballur me të, ka biseduar. Ajo thotë që e ka parë edhe ditë të tjera, madje e ka parë të ulur në kafe”,- siç sqaroi Lala.
Duke mos i renditur nga rëndësia, ajo veçoi vitet 2012-2013 kur Cuku ishte drejtues në Drejtorinë e Policisë në Vlorë, ku me iniciativën e tij, ka rihapur dosjen e disa ngjarjeve të rënda, mes tyre edhe atë të ndodhur në vendin e quajtur si “Pusi i Mezinit” mes dy grupeve kriminale në fushën e narkotrafikut që zanafillën e ka në Spanjë.
c.a