Përplasja me armë e dy grupeve të rinjsh në periferi të qytetit të Elbasanit ka ardhur për shkak të një sherri të vjetër, që ka të bëjë me prishjen e pazareve të drogës, raporton “Panorama”.
Pas përplasjes me armë të dy grupeve në vendin e parkimit të një restoranti, në hyrje të fshatit Bradashesh, policia arrestoi katër persona.
Të arrestuarit janë Hajdar Bako (Çopja) (Hysa), 33 vjeç, Alfred Gjini, 38 vjeç, Klevis Gjini, 26 vjeç (vëllezër), që të tre me banim në Elbasan, si edhe Emiljano Gjini, 22 vjeç, banues në Rrogozhinë, djali i xhaxhait të dy vëllezërve.
Burime konfidenciale nga Policia bëjnë me dije se mes dy palëve ka pasur një sherr të vjetër të ndodhur kohë më parë në Shqipëri, që dyshohet se është për arsye droge.
Policia sqaron se arrestimi i tyre u bë pasi në ambientet e jashtme të lokalit fillimisht janë konfrontuar fizikisht, duke u goditur me njëri-tjetrin me sende të forta. Më pas dy grupet kanë shkëmbyer zjarr, duke qëlluar me pistoleta në drejtim të njëri-tjetrit.
Në konflikt dyshohen të jenë përfshirë shtetasit Hajdar Çopja dhe F.G., 25 vjeç, njëra palë dhe në palën tjetër janë përfshirë shtetasit Alfred Gjini, Klevis Gjini dhe Emiljano Gjini. Si pasojë e konfliktit me sende të forta e më pas me armë zjarri janë plagosur dy shtetas me armë zjarri dhe dy shtetas të dëmtuar me sende të forta.
Konkretisht Hajdar Bako është plagosur me armë zjarri në krahun e djathtë, Klevis Gjini është plagosur me armë zjarri në këmbën e djathtë, ndërsa kanë pësuar dëmtime fizike me mjete të forta në kokë Alfred Gjini dhe Emiljano Gjini.
Pasi ka përfunduar hetimet policia bën me dije ndër të tjera se ka sekuestruar në vendin e ngjarjes në cilësinë e provës material një krehër pistolete model 56 mm, me 6 copë fishekë model 56 mm, 17 gëzhoja, nga të cilat 16 gëzhoja janë model 54 mm dhe një gëzhojë të kalibrit 9 mm, si edhe tri automjete me targa “AA 688 DC”, “AA 528 MC” dhe “AA 448 KT”.
Policia ka shpallur në kërkim 25-vjeçarin me iniciale F.G., i cili pas ngjarjes është larguar, pasi edhe ky person dyshohet se është përfshirë në këtë ngjarje. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan vijojnë hetimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje./panorama
c.a