Prokuroria e kryeqytetit dërgoi në gjyq një noter të akuzuar për falsifikim dokumentesh. Burimet zyrtare thanë se kanë përfunduar hetimet dhe janë dërguar në gjyq shtetasit me iniciale L.V., i hetuar në gjendje të lirë, akuzuar për veprën penale “falsifikim i dokumenteve” në bashkëpunim, dhe shtetasja M.N., e hetuar në gjendje të lirë, akuzuar për veprën penale “falsifikim i dokumenteve” në bashkëpunim.
Hetimi ka nisur më 16 prill 2016, pas kallëzimit të shtetasit D.N., i dënuar në Burgun e Peqinit. Nga hetimet e kryera rezulton se kallëzuesi D.N. është i martuar me shtetasen M.N. Kallëzuesi vuan dënimin në IEVP Peqin.
Ai ka kallëzuar se më datë 15.02.2016, bashkëshortja e tij është larguar për në shtetin italian nga aeroporti i Rinasit, së bashku me vajzën e mitur, pa dijeninë e tij. Kallëzuesi shpjegon se për largimin e vajzës, bashkëshortja e tij ka përdorur një akt noterial, në të cilin nënshkrimi i tij është i falsifikuar.
Nga veprimet e kryera rezulton se nga noteri është hartuar deklarata noteriale datë 11.02.2016 e shtetasve D.N. dhe M.N., në lidhje me udhëtimin jashtë shtetit të vajzës së tyre, deklaratë që është përdorur për udhëtimin jashtë shtetit. Kallëzuesi me iniciale D.N., në deklarimin e tij të marrë në burgun ku vuan dënimin, deklaron se nuk ka nënshkruar një deklaratë noteriale dhe nuk ka dijeni se kush e ka nënshkruar në të.
Ai deklaron se ka marrë dijeni për udhëtimin e bashkëshortes me vajzën pesë ditë pas largimit të tyre jashtë shtetit. Më pas, nga avokati i tij (mbrojtës në gjykimin për dënimin penal të kallëzuesit), sipas tij ka marrë dijeni se avokati ka autorizuar bashkëshorten e tij për të nënshkruar në emër të tij. Shtetasi N.V., avokat i të dënuarit D.N., ka deklaruar se ka lëshuar një autorizim në emër të D.N., ku ky i fundit autorizonte bashkëshorten të nënshkruante në emër të tij në deklaratën noteriale, shkruan “Panorama”.
Këtë autorizim e ka nënshkruar ai me tagrin e avokatit të D.N. Bazuar në hetimet e kryera, prokuroria thekson se nga provat e administruara rezulton se shtetasi L.V., në detyrën e noterit, nuk ka verifikuar dhe nuk është bindur për vullnetin e palës pjesë- marrëse në deklaratë (kallë- zuesit D.N.).
Ai akuzohet se ka lejuar që në këtë akt të hartuar prej tij, të nënshkruajë i njëjti person, i cili ka nënshkruar edhe për veten e tij. Kjo për faktin se rezulton që kallëzuesi është në IEVP Peqin dhe nuk është paraqitur në zyrën e noterit për të nënshkruar. Në emër të tij ka nënshkruar shtetasja M.N., jo si person i autorizuar, por thjesht duke vendosur nënshkrim, poshtë emrit të shtetasit D.N.
ma.me