Dhjetëra këngë e valle folklorike janë shpalosur nga të rinjtë e zonave më të thella të këtyre trevave. Grupi me vajza dhe djem të rinj kanë ardhur nga Guri i Bardhë, ish qytet i vjetër i Arbërit, i njohur nga të huajt si Petralaba. Këtu ka qenë rezidenca e Skënderbeut dhe Kalaja e tij. Kjo zonë është e njohur në histori për traditat e saj të veçanta dhe të rinjtë ndihen krenar që trashëgojnë e ruajnë traditat më të lashta.
“Zona jonë ka traditat më të mira.Ne jemi krenar për këto tradita dhe i përcjellim edhe në brezin e ri”, shprehet një nga nga vajzat e reja. “Janë tradita shumë të mira”, shprehet një tjetër vajzë.
Ndërsa një banor i zonës thotë se këto kostume gjenden vetëm në tre fshatrat e trevës së Matit. Këngët, vallet dhe kostumet shumëngjyrëshe me veçoritë specifike të çdo zone, që do të prezantohen gjatë dy ditëve të këtij panairi, vijnë në Tiranë si një dëshmi e pasurisë shpirtërore të këtyre trevave.