Një burrë u ndalua sot nga forcat e policisë dhe mendohet të jetë drejtuesi i kamionit që shkaktoi katër të vdekur dhe 15 të plagosur një ditë më parë në qendër të Stokholmit. Ja çfarë dihet deri më tani:
– Një kamion “i çmendur”
Një automjet i tonazhit të rëndë pak para orës 13:00 GMT depërton në mes të këmbësorëve në rrugën tregtare më të frekuentuar të kryeqytetit suedez, Drottninggatan. Ai ndalet në kryqëzimin e Klarabergsgatan, një arterie kryesore e qendrës së qytetit duke u përplasur me fasadën e një qendre tregtare “Åhléns City”. Një re e dendur tymi nis të përhapet kudo.
“Zhurma e shkaktuar ishte e ngjashme me shpërthimin e një bombe dhe tymi nis të përhapet në hyrjen kryesore të dyqanit, tha për të përditshmen “Aftonbladet” një dëshmitar i pranishëm në vendngjarje, Leander Nordling, 66 vjeçar.
Zona u rrethua menjëherë nga policia me fashetën e sigurisë, me praninë e helikopterëve që patrullonin mbi qendrën e qytetit.
– Katër të vdekur
Sulmi me një bilanc tragjik katër të vdekur dhe 15 të plagosur, përfshirë disa fëmijë. Autoritetet shëndetësore njoftuan se nëntë të plagosur ndodhen në gjendje kritike për jetën.
-Një sulm terrorist
“Suedia është vënë nën shënjestrën e një sulmi”, deklaroi kryeministri suedez, Stefan Löfven cituar nga mediat e vendit. E gjithë ngjarja ngre hipotezën e një sulmi terrorist”, shtoi ai.
“Terroristët kërkojnë të përhapin frikë e terror, me qëllim që të ndryshojmë qëndrimet tona, të na pengojnë të jetojmë normalisht, por ky veprim nuk do të ndikojë aspak tek ne. Terroristët nuk do të mposhtin kurrë Suedinë”, deklaroi ai gjatë një konference shtypi.
Kamioni u vodh gjatë një dërgese që do të kryente në një restorant”, tha për median zëdhënësja e kompanise, rrjetit të pijeve alkoolike Spendrups, Rose-Marie Hertzman.
-Dy arrestime
Një burrë u ndalua sot dhe mendohet të jetë drejtuesi i kamionit, njoftoi një zëdhënës i policisë suedeze për median.
Sipas disa mediave suedeze, i dyshuari është një shtetas uzbek i moshës 39 vjeçare, adhurues i organizatës së Shtetit Islamik. Ai u arrestua dje në mbrëmje në Marsta, një qytet i vogël në pjesën veriore të vendit në zonën e Stokholmit.
Një person tjetër është arrestuar më vonë gjatë mbrëmjes në periferi të kryeqytetit. Burime të policisë të cituara nga televizioni publik SVT përmendën një lidhje të mundshme mes dy burrave./b.d