Secili përbetohet për dialog pa kushte, por asnjëri nuk e braktis pozicionin e tij, në funksion të një zgjidhjeje konsensuale. Pesë njerëzit më me peshë të politikës shqiptare, kryeministri Edi Rama, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, kryetari i LSI, Ilir Meta, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi ndajnë objeksione dhe qëndrime të ndryshme, deri skajshmërisht të kundërta, për zgjidhjen e ngërçit politik.
Në ditën e 49 të protestës së Partisë Demokratike para Kryeministrisë, qartësohen edhe pozicionet e pesë aktorëve kryesorë të politikës, pozicione të cilat vënë në pikëpyetje produktin e tryezës së dialogut, gjithnjë nëse do të ketë një të tillë.
Shqiptarja.com ka identifikuar 38 pika apo propozime kryesore, të cilat ndajnë Ramën, Bashën, Berishën, Metën dhe Idrizin. Qëndrime skajshmërisht të kundërta ndajnë Edi Rama dhe Lulzim Basha.
Kryeministri Rama ka shprehur gatishmërinë për dialog pa kushte, për të diskutuar gjithçka, kudo dhe kurdo. Por, shefi i qeverisë nuk lëshon pe sa i takon krijimit të një qeverie teknike dhe shtyrjes së zgjedhjeve.
Rama është i gatshëm të pranojë çdo kërkesë tjetër që ka të bëjë me rritjen e garancive për zgjedhje të lira dhe të ndershme, përmes miratimit të një pakete me masa shtrënguese penale.
Nga ana tjetër, kryetari i opozitës, Lulzim Basha, kërkon dialog vetëm për krijimin e qeverisë teknike, përcaktimin e detyrave të saj dhe shtyrjen e zgjedhjeve të 18 Qershorit. Kreu i Partisë Demokratike nuk ulet në tryezën e dialogut për të diskutuar çështje të tjera. Ndërkaq, në një pozicion të ndërmjetëm ka kryetari i LSI, Ilir Meta. Ky i fundit ka propozuar krijimin e një qeverie besimi të zgjedhjeve.
Pra, një qeveri që të fitojë besimin e opozitës në raport me zgjedhjet. Ditën e enjte, Ilir Meta e ka modifikuar këtë propozim, duke u zhvendosur më pranë pozicionit të Ramës.
Meta tha se një qeveri besimi mund të jetë edhe kjo qeveri që është, me po këtë kryeministër, por mjafton që të japë disa garanci të domosdoshme për zgjedhjet. Ndërkaq, kryetari i LSI, ka artikuluar edhe disa propozime të tjera, kryesisht për rritjen e garancive për zgjedhje të lira, përfshirë edhe dhënien e posteve ekzekutive PD. Por, ndryshe nga Rama, Meta nuk i mendon zgjedhjet pa PD.
Pozicioni i Berishës
Kryetari i PD, Lulzim Basha dhe ish-kryeministri Sali Berisha ndajnë një qëndrim të ndryshëm për zgjidhjen e ngërçit politik. Ditën e enjte, Berisha propozoi që kryeministri Rama të qëndrojë në detyrë deri në 18 Qershor, datë në të cilën të firmosë largimin, për t’i hapur rrugë qeverisë teknike. Por, sipas kryetarit të opozitës, Lulzim Basha, qëndrimi i Berishës është personal dhe nuk përfaqëson qëndrimin e opozitës. Sipas Bashës, Rama duhet t’u hapë rrugë qeverisë teknike një orë e më parë.
Pozicioni i Shpëtim Idrizit
Kryetari i PDIU, Shpëtim Idrizi, referuar paktit kombëtar me 7 pika rikthimin e dialogut politik, ka një pozicionin më pranë pozicionit të kryeministrit Edi Rama, sa i takon zgjidhjes së ngërçit politik. Propozimet e Idrizit konsistojnë në rritjen e garancive për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Por, pakti i Idrizit është më radikal dhe kërkon ndërhyrje më të thella në Kodin Zgjedhor, krahasuar me garancitë që ofron kryeministri Edi Rama. Megjithatë, në platformën e Idrizit nuk përmendet as qeveria teknike dhe as qeveria e besimit, si kushte për zgjidhjen e ngërçit politik apo si kusht për të nisur dialogun.
Propozimet e Lulzim Bashës
1.Dialog vetëm për krijimin e një qeverie teknik dhe mandatin e saj.
2.Jo dialog për çështje të tjera dhe me fjalime të përgatitura
3.Jo dialog kokë më kokë, por tryezë të zgjeruar bisedimesh.
4.Kryeministri i qeverisë teknike nuk duhet të ketë profil politik.
5.Shtyrjen e zgjedhjeve me 100 ditë.
6.Zbatimin e plotë të ligjit të dekriminalizimit.
7.Luftë efikase kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe parave të drogës.
8.Përgatitjen e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
9.Zbatimin e reformës në drejtësi, sipas përcaktimeve kushtetuese të 22 korrikut.
10.Nuk ka zgjedhje pa opozitën.
Propozimet e Sali Berishës
1.Edi Rama të qëndrojë në detyrë deri në 18 Qershorit
2.Pas 18 qershorit të krijohet qeveria teknike
Propozimet e Edi Ramës
1.Dialog për gjithçka, kurdo dhe kudo.
2.Tryezë dialogu të çdo formati.
3.Jo përfaqësues partish në qendrat e votimit, KZAZ dhe grupet e numërimit të votave.
4.Shtrëngesa penal dhe ndëshkim shembullor për këdo që blen votën dhe kush shet votën.
5.Ndëshkim ekzemplar për këdo që mban telefon në qendrat e votimit.
6.Ndëshkim për këdo drejtor që udhëzon zgjedhësit për kë të votojnë pranë qendrave të votimit.
7.Ndëshkim për intimidimin e i votuesve që nga burgjet deri tek administrata.
8.Zgjedhjet zhvillohen edhe pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike.
Propozimet e Ilir Metës
1.Qeveri besimi për zgjedhjet.
2.Qeveria besimi mund të jetë edhe kjo që është, me këtë kryeministër.
3.Jo zgjedhje pa pjesëmarrjen e Partisë Demokratike.
4.Rama dhe Basha të heqin dorë nga qëndrimet konfliktuale.
5.Administrata publike dhe Policia e Shtetit të mos përfshihen në zgjedhje.
6.Luftë të ashpër fenomenit të drogës.
7.Realizim të plotë, të thellë dhe transparent të procesit të dekriminalizimit.
8.Realizimi i reformës zgjedhore si një garanci për realizimin e zgjedhjeve.
9.LSI,vendos mandatet e saj ekzekutive në dispozicion të zgjidhjes politike,
10.Por nëse PS nuk do të tregon vullnet politik për garantimin e zgjedhjeve të LSI nuk merr pjesë në zgjedhje.
11.Nëse PS nuk i jep garancitë opozitës, LSI nuk bëhet pjesë e koalicionit të PS.
Propozimet e Shpëtim Idrizit
1.Kthimin e Opozitës në Parlament për miratimin e akteve ligjore, që do i hapnin rrugën zbatimit të reformës në drejtësi.
2.Garantimin e rolit të paanshëm në zgjedhje të Policisë së Shtetit.
3.Ndryshimin e sistemit zgjedhor në sistem proporcional me një zonë zgjedhore.
4.Depolitizimin e anëtarëve të KZAZ-ve, KQV-ve dhe GNV-ve, ose rritjen e numrit të anëtarëve në komisionet e numërimit, me përfaqësues të partive parlamentare
5.Krijimin e një grupi prokurorësh pranë KQZ-së, për të hetuar në mënyrë urgjente të gjitha sinjalizimet për blerje vote.
6.Ngarkimin e një strukture inxhinierike që do të përgatisë një projekt teknik, për variantet e mundshme të realizimit të numërimit elektronik.
7.Thirrjen e tryezës së partive politike për fillimin e dialogut për miratimin e një kandidature konsensuale si President.
/b.d