Krahas fondit vjetor të vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit, në dispozicion të familjeve në nevojë do të jenë edhe 500 mijë euro. Ministria e Zhvillimit Urban është përzgjedhur fituese për projektin e UNDA, ”Evidentimi i politikave për një strehim dhe zhvillimi urban të qëndrueshëm në vendet me ekonomi në tranzicion”.
“Është hera e parë që Shqipëria përfiton një projekt me vlerë 500 mijë euro nga UNECE për realizimin dhe zbatimin e objektivave të përcaktuara, në nivel kombëtar, si dhe për përforcimin e kapaciteteve kombëtare për zhvillimin e politikave të qëndrueshme”, është bërë me dije nga MZHU.
Ky projekt do të asistojë qeveritë kombëtare në përgatitjen e dokumenteve politike dhe udhëzuesve për mbledhjen e analizimin e të dhënave kombëtare mbi strehimin dhe zhvillimin urban, duke ofruar këshilla për evidentimin e politikave, promovimin e bashkëpunimit ndërsektorial dhe ngritjen e kapaciteteve për një strehim të qëndrueshëm.
Sakaq, me ligjin e ri të strehimit që pritet të miratohet, gjithsej do të jenë 6 programe sociale që do të zbatohen për t’u ardhur në ndihmë të pastrehëve, pra dyfish më shumë nga çfarë është e përfshirë në ligjin aktual. Krahas programit të banesave sociale me qira dhe shpërndarjes së banesave me kosto të ulët, në skemë janë përfshirë edhe disa programe të tjera, siç është ai për përmirësimin e kushteve të banesave ekzistuese, programi për zhvillimin e zonës me qëllim strehimi, krijimi i strehave të përkohshme, si edhe programi për ndërtimin e banesave të specializuara.
Sikundër ka ndodhur, nga ana e bashkive do të vijojnë të ndahen banesa sociale me qira. Referuar projektligjit, në asnjë rast qiraja nuk duhet të jetë më e lartë se 30 për qind e të ardhurave që familja gjeneron në muaj, ndërsa për familjet që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike do të subvencionohen 100%.
“Masa e subvencionit është në varësi të nivelit të të ardhurave të familjes. Subvencioni mund të mbulojë 100% të qirasë sociale, për familjet që trajtohen me ndihmë ekonomike dhe ato që janë në kushtet e përfitimit të ndihmës ekonomike, pavarësisht nëse nuk e kanë përfituar atë dhe që strehohen në banesa sociale me qira”, specifikohet konkretisht në nenin 33.
Mbështetje do të ofrohet edhe për jetimët, personat me aftësi të kufizuara, familjet e policëve të rënë në detyrë, emigrantët e rikthyer, prindërit e vetëm që kanë në ngarkim fëmijë etj.
Zyrtarizmi i ligjit të ri të ri të strehimit nuk do të sjellë ndryshime vetëm të programeve, por edhe të kritereve që do të zbatohen për përzgjedhjen e përfituesve, kategoritë që do trajtohen, si edhe mënyrën e aplikimit. Në variantin final që është gati për t’u dërguar në qeveri, Ministria e Zhvillimit Urban ka marrë parasysh një ndër kërkesat e parashtruara gjatë konsultimit me grupet e interesit, e cila ka të bëjë me praktikën që do të ndiqet nga qytetarët.
Për familjet në nevojë do të shmangen sorollatjet nga njëri institucion në tjetrin dhe po ashtu do të zerohen tarifat e vendosura. Të gjitha këto do të mbulohen nga bashkitë. I vetmi “detyrim” që do të rëndojë mbi qytetarët do të jetë depozitimi i kërkesës.
ma.me