Flet nëna e Stefanisë, 34-vjeçares që u plagos 3 herë me thikë mbrëmjen e shkuar në qytetin e Durrësit. E marrë në pyetje nga grupi hetimor për zbardhjen e ngjarjes, nëna e Stefanisë tha se autori, “Mario Spahiu, ka qenë shok shkolle me vajzën e saj. I ka rënë në kokë për të, u fiksua keq pas saj dhe meqënëse vajza nuk e pranoi, ai e qëlloi 3 herë me thikë në gjoks”.
“DurrësLajm” zbardh dëshminë e plotë të nënës dhënë para oficerëve të policisë:
“Vajza ka dy fëmijë, vajzën 5 dhe djalin 9 vjeç. Jetojmë të dyja së bashku në një apartament te banesat sociale. Ish-burri i saj jeton në Itali dhe nuk ka probleme me të. Para pak muajsh nga Italia është kthyer Mario Spahiu, i cili jeton në të njëjtën shkallë me ne, i kemi dyert ballë për ballë. Mario i përket komunitetit rom, dhe vajza njihet me të sepse kanë qenë shok shkolle që në ciklin e ulët. Vazja i ka dhënë muhabet vetëm si një shok i vjetër shkolle, e jo më shumë. Pasi ai mësoi që vajza ishte divorcuar, ka pasur ngacmime nga Mario, por vajza gjithmonë e ka refuzuar. Mbrëmjen e shkuar, vajza zbriti në katin e parë të pallatit ku jetojmë, për të shkuar në supermarket për të blerë ushqime. Pasi ka dalë nga supermarketi, komshiu e ka sulmuar vajzën me thikë. Mësova në spital se vajzën e kam në gjendje të rëndë. Siç duket, Marios i ka rënë në kokë për vajzën, por ajo nuk e do atë. Unë dua si nënë që vetëm të na lënë të qetë dhe vajza të shërohet sa më shpejt për dy fëmijët e saj të vegjël, se i ka për t’i rritur.”
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 21:50 në lagjen nr. 17 pranë UKD-së te banesat sociale, ndërsa menjëherë më pas autori është larguar. Policia po punon për kapjen e tij, ndaj të cilit rëndojnë dy akuza: “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
c.a