Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot ndryshimet në Buxhet duke i hapur dritën jeshile likuidimit të borxhit të Klubit të Futbollit Tirana.
Në fjalën e mbajtur në Këshill, kryebashkiaku Veliaj deklaroi se ky është një detyrim pasi Bashkia e Tiranës është aksionere në Klubin e Futbollit Tirana, por edhe një angazhim që Bashkia e ka marrë përpara tifozëve e simpatizantëve të këtij klubi në datë 25 janar të këtij viti. “Ky është një detyrim pasi Bashkia e Tiranës është aksionere në Klubin e Futbollit Tirana, por edhe një angazhim që unë personalisht, si kryetar i Bashkisë, por edhe ne si trupë kolegjiale kemi marrë para tifozëve e simpatizantëve të këtij klubi në datë 25 janar të këtij viti. Në fakt, ajo që bëjmë sot është se tejkalojmë atë angazhim, nga një angazhim për ta paguar të gjithë borxhin e klubit të Tiranës në 10 këste, ne po e bëjmë me dy këste, ku sot do të propozoj që ne të paguajmë 50% të këtij borxhi që është rreth 400 milionë lekë. Ashtu siç kemi shlyer 60% të borxheve për punë publike që trashëguam në Bashkinë e Tiranës, në vitin tonë të parë, ashtu do t’i dalim zot edhe këtyre detyrimeve të trashëguara që nuk i krijuam ne, por që i kemi peshqesh nga keqmenaxhimi dhe abuzimet e atyre që sot tifozerinë e bëjnë në çadër dhe jo në stadium”, theksoi Veliaj. /a.m.