Si shpeshherë, UEFA do të ndihmojë federatat e futbollit në Europë me ndihmë financiare.
Në fjalimin hapës të Kongresit të Zakonshëm të mbajtur nga presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin, u njoftua se të gjithë institucionet e futbollit në kontinent do të përfitojnë nga 1 milion euro ndihmë financiare.
Në këtë mënyrë, buxheti i Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës do të rritet me një shumë të konsiderueshme, transmeton Kosovapress.
“Falë suksesit financiar të UEFA-s, jemi të lumtur që lajmërojmë se të gjitha federatat do të përfitojnë nga 1 milion euro për të përballuar shpenzimet operacionale apo projekte”, u shpreh Çeferin.
Gjatë zhvillimit të punimeve të Kongresit të Zakonshëm që po mbahet në Helsinki të Finlandës, do të zhvillohen zgjedhjet për Komitetin Ekzekutiv të UEFA-s, ku presidenti i FSHF-së, Armand Duka, është njëri prej kandidatëve që pretendon një vend në qeverinë e futbollit europian, përgatiti Koha. (b.an)