Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier kërkoi sot ndërtimin e urave mbi ndarjet që po thellohen në Evropë, disa ditë pas fillimit të procedurës për daljen e Britanisë së Madhe nga BE.
Ish-kreu i diplomacisë gjermane, i cili zgjodhi Parlamentin Evropian për fjalimin e parë jashtë vendit që prej marrjes së presidencës, theksoi se gëzimi i tij për të folur në këtë forum nuk ishte “pa hije”, sepse ishte pak e trishtueshme për të marrë fjalën pasi një shtet anëtar kishte nisur procedurën për daljen nga Bashkimi Evropian.
Steinmeier, funksioni i ri i të cilit është kryesisht honorifik, kërkoi ”ndërtimin e urave në vend të përpjekjes për t’u fshehur pas xhamit të errët të kombit”, në një kohë kur ”ndarjet po thellohen në Evropë”.
Ai bëri një paralajmërim kundër populizmave që e shikojnë botën bardhë e zi dhe përfitojnë nga frikërat.