I riu që Drejtoria e Pastrimit të Parave e identifikon si shtetasi “A”, në një periudhë të shkurtër kohore, gjatë vitit 2013, ka lidhur 4 kontrata për marrje hua të një shume totale prej 110 mijë euro, nga 4 shtetas të ndryshëm shqiptarë.
Shtetasi “A” së bashku me vëllain e tij shtetasin “B”, kanë regjistruar në maj të vitit 2011 një shoqëri tregtare, konkretisht shoqërinë “L” shpk, e cila ka objekt veprimtarie “dhënie me qira të automjeteve”.
Pak ditë pasi është regjistruar, kjo shoqëri ka lidhur një kontratë financim qiraje në shumën 130 mijë euro “për blerje automjetesh”, nga të cilat 90 mijë euro janë financuar nga një kompani leasing dhe diferenca (rreth 40 mijë euro) është paguar nga vetë shoqëria nëpërmjet një depozitimi CASH të kryer nga njëri prej ortakëve – shtetasi “A”.
Pjesa tjetër e mbetur e shumës së marrë (90 mijë EUR), nëpërmjet kontratës së financim qiraje nga shoqëria “L” shpk është shlyer brenda një periudhe 1-vjeçare nëpërmjet depozitimeve me para në dorë nga shtetasi “A” (aksioneri i saj), por edhe nga një shtetase tjetër, punonjëse e shoqërisë nga e cila shtetasi “A” ka marrë një nga huatë e sipërpërmendura.
Në raportin për vitin 2016, Drejtoria e Pastrimit të Parave cilëson blerjen e pasurive të paluajtshme si një prej rrugëve kryesore që përdoren për futjen në qarkullim të parave të pista.
Sipas saj, në vitin 2016 janë konstatuar 315 blerje pronash pa treguar burimin e fondeve. Ndërkohë që ajo rendit edhe disa prej skemave kryesore të pastrimit të parave: Transaksione biznesi të kryera CASH në vlera të larta; Blerje pasurie të paluajtshme në vlerë të lartë nëpërmjet ankandit; Qarkullim i dyshimtë i shumave të larta në sistemin bankar; Qarkullim i shumave të larta në llogari nëpërmjet transfertave bankare; deri manipulimi i aksionerëve në sipërmarrje të ndryshme.