Ish-Presidenti Alfred Moisiu përshëndeti mbrëmë marrëveshjen PS-LSI edhe për katër vitet e ardhshme, duke e konsideruar atë si një marrëveshje që i shërben stabilitetit dhe integrimit euroatlantik të Shqipërisë.
Ndërkaq, për pretendimin e opozitës se zgjedhjet e 18 qershorit do të manipulohen, zoti Moisiu tregon një fabul…
– Zoti President, të gjitha gjasat janë se po shkohet drejt një marrëveshjeje të re PS-LSI edhe për katër vitet e ardhshme. Kjo marrëveshje është arritur gjatë takimeve me Ramën dhe Metën. Si ju duket kjo marrëveshje e re?
– Unë ende nuk e kam marrë vesh zyrtarisht këtë pakt të ri mes PS-së dhe LSI-së. Por e besoj përderisa e thoni ju të gazetës ‘DITA’. Pse e them këtë? Sepse më duket një marrëveshje normale për të cilën mendoj se ka nevojë vendi aktualisht. Jemi në procesin e një sërë reformash të rëndësishme, mbi të gjitha për reformën në drejtësi, që janë jetike për Shqipërinë. Në të vërtetë unë mbështes dhe përshëndes çdo nismë pozitive për marrëveshje midis forcave që i shërben stabilitetit të vendit dhe përparimit në rrugën e integrimit euro-atlantik. Jemi shumë të vonuar në këtë proces dhe na duhet ta inkurajojmë çdo hap pozitiv në këtë drejtim. Opozita ka për detyrë të japë kontributin e saj në këtë proces dhe jo të nxisë konflikte dhe tensione që nuk na duhen.
– Mirëpo opozita prej më shumë se një muaj e gjysmë është ngujuar në një çadër në bulevard dhe ka vënë ca kushte që duken të pamundura për t’u përmbushur deri në zgjedhjet e 18 qershorit. Si mund të dilet nga kjo situatë?
– Unë mendoj se i takon qeverisë dhe kësaj mazhorance ta zgjidhë këtë ngërç. Opozita duhet të marrë pjesë në zgjedhje. E shoh si një absurditet bojkotimin e zgjedhjeve. Unë mendoj se opozita duhet të dalë një orë e më parë nga çadra. Mospjesëmarrja e PD-së dhe opozitës në zgjedhje, do të ishte një minus i madh për demokracinë, por që do ta dëmtonte së tepërmi vetë opozitën.
– Zoti President, opozita dyshon se zgjedhjet e ardhshme do të manipulohen nga mazhoranca aktuale, ndaj dhe ka vënë këto kushte. A është normale kjo kërkesë e opozitës?
– Ky dyshim i opozitës që konteston zgjedhjet e ardhshme me dyshimin se ato do të manipulohen më kujtojnë një fabul që i shkon shumë për shtat një situate të tillë. Fabula është kjo: Një vajzë e re u fejua dhe në ditën e parë filloi të qante. E pyet e ëma: “Po pse qan, moj bijë? Ti akoma nuk je martuar…”
“Po ja, i thotë vajza. Mua më shkuan sytë tek ajo shpata që është varur në mur. Mendova se kur të martohem do të lind një fëmijë. Djepi ku do të përkund fëmijën mund të jetë poshtë kësaj shpate. Sikur ajo shpata të bjerë nga muri dhe të më vrasë fëmijën? Ja për këtë po qaj…”
Ja, kështu më duket dhe ky pretendimi i opozitës për zgjedhje të lira dhe të ndershme ende pa u bërë ato. Si mund të ngihen dyshime për zgjedhjet që nuk janë bërë? Këto lojëra duhet të marrin fund njëherë e mirë dhe të hyjmë në normalitet.
a.ç