Studiuesi Grid Rroji, i cili së bashku me ish-studentin e Lëvizjes së Dhjetorit, Shenasi Rama, kanë themeluar lëvizjen ‘‘Bleta Shqiptare’’, i bën një skaner krizës politike, duke theksuar se vendi është marrë peng nga forcat politiko-mafioze, ndërsa shqiptarët janë shndërruar në skllevër të tyre.
Në një intervistë për Tirana Today, Rroji vë në dukje se e gjithë përplasja politike midis opozitës dhe mazhorancës bëhet për interesa qartësisht politike dhe aspak për interesin e shqiptarëve.
Ndërsa, shpjegon se asnjëra palë nuk është e interesuar për të zhvilluar zgjedhje sipas standardeve evropiane, por vetëm për të përfituar nga torta e pushtetit dhe për të mbrojtur atë çfarë kanë përfituar në kurriz së qytetarëve shqiptarë.
Z. Rroji, situata politike në Shqipëri ka hyrë në qorrsokak; kemi opozitën që proteston përpara Kryeministrisë me arsyetimin se qeveria duhet të japë dorëheqjen, pasi është e lidhur me krimin, dhe më pas të formohet një kabinet teknik që do të garantonte zgjedhje të lira dhe të ndershme. Ndërsa, nga ana tjetër, kemi mazhorancën, e cila nuk e ka marrë parasysh kërkesën e opozitës dhe artikulohet në publik sikur gjithkça është normale, ndërkohë që ka treguar se qeverisja e saj është po aq e inkriminuar sa edhe Partia Demokratike dikur në pushtet. Çfarë emri mund t’i vendosni gjendjes ku ndodhet vendi sot?
Situata është aty ku e kanë çuar palët e parisë së Tiranës dhe fatkeqësisht përplasja që po vjen ishtë e pritshme. Siç e kemi parashikuar, unë dhe kolegët e ‘‘Bleta Shqiptare’’, qysh më 2013-ën, sistemi oligarkiko-hajnor, që këto banda kriminale e anti-shqiptare kanë krijuar, sjell përplasje të herëpashershme midis klaneve mafioze. Këto nuk janë parti politike, por janë struktura të mirëfillta kriminale të ndërthurura me interesa antishqiptare, të cilat janë të gatshme të sakrifikojnë të ardhmen e shqiptarëve për hir të pushtetit të tyre. Ndaj dhe këta kanë ngritur militantët në këmbë, kanë vajisur armët dhe po i skërmiten mediatikisht shoqi-shoqit. Mirëpo, në momente kyçe këta funksionojnë në sinkroni dhe veprojnë me kompaktësi të mirorganizuar si një kupolë mafioze. Këta bëjnë marrëveshje mes tyre për ndarjen e pushtetit, ia hanë fjalën njëri-tjetrit, kërcënojnë me burgim apo hedhje në Lanë etj., dhe, si mënyrë kundërvënie ndaj bandës kundërshtare, ndezin situatën për të shpëtuar kokën e vet.
Kërkesat që bëhen nga çadra dhe përgjigjet që vijnë nga Kryeministria, por edhe konflikti jo aq i heshtur Rama-Meta, nuk janë për të gjetur zgjidhje më të mira për qeverisjen e shqiptarëve apo për zgjedhje të lira. A nuk e bënë Edi Rama dhe Sali Berisha bashkë Kodin Zgjedhor më 2008-ën për të kontrolluar procesin dhe mbi të gjitha pjesën kyçe të numërimit? A nuk janë këta të gjithë pa përjashtim që i blejnë votat me nga një thes miell? Si mund të përmirësojë zgjedhjet një qeveri teknike, kur asnjëra nga zgjedhjet pas 1992 nuk kanë qenë të lira e të ndershme, por thjesht “më të mira apo më të këqija se të mëparshmet”? Asnjë shqiptar nuk i beson këto dokrra. Pra, zgjedhjet janë thjesht një pretekst që ka gjetur Sali Berisha për të treguar forcën, duke e ditur se Rama nuk mundet t’ia plotësojë kërkesat pa treguar dobësi. Dhe dobësia në kontekstin e klaneve mafioze është e njëjtë me vdekjen politike.
Më konkretisht, Sali Berisha ndjehet i kërcënuar tek familja dhe, menjëherë, pasi iu thirr i biri në komision parlamentar, ngriti çadrën. Megjithëse kishte dhënë garanci për mosprekjen e interesave të Familjes Berisha, me marrëveshjen e 1 Prillit, Edi Rama po luan me forcën e pushtetit për t’i ngrënë kokën familjeve të tjera mafioze. Mirëpo, në rrugëtimin e tij për të shtënë në dorë të gjithë shtetin, prej kontrollit nga buron forca e secilit klan mafioz, Edi Rama bëri marrëveshje me Ilir Metën, ndanë plaçkën e pushtetit 60-40, por edhe i doli fjalë. Madje gjatë gjithë katërvjeçarit u përpoq ta groposte Metën përfundimisht, një proces që kulmoi me provën e forcës së miratimit të ndryshimeve kushtetuese të Korrikut 2016. Ndaj dhe për Ilir Metën, i cili gjithmonë e ka gjetur gjuhën e marrëveshjes me Sali Berishën, e vetmja zgjidhje është që ai të ketë Kryeministrin në katër vitet e ardhshme dhe, sipas kërkesës së artikuluar këto ditë nga zyrtarë të LSI-së, të ketë një pakicë kontrolluese prej së paku 40 deputetësh. Kjo do të ishte garancia e vetme për të, se në një mandat tjetër qeverisës nuk do i duhet të ruhet nga brenda dhe nga jashtë. Pra, Rama dhe Meta nuk mund të ekzistojnë më në politikë pa thyer apo eliminuar tjetrin. Mirëpo, Ilir Meta ka kohë që e përgatit me ‘‘qetësi e dashuri’’ puçin kundër Ramës dhe nuk mund të ketë zgjidhje pa pëlqimin e tij. Brenda dhjetëditëshit të ardhshëm do të shohim qartësisht atë që palët e kanë vendosur tanimë, dhe po ia zbulojnë me propagandë shqiptarëve pak nga pak.
Sa të rrezikuara janë zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit dhe ecuria politike e vendit nëse nuk zgjidhet kriza aktuale politike?
Me këtë sistem oligarkiko-hajnor nuk ka zgjedhje në kuptimin real të fjalës. Ka përballje të klaneve mafioze në një proces që shërben për të legjitimuar hajninë dhe krimin e tyre për një periudhë të caktuar kohe. Nuk ka zgjedhje të ndershme dhe të lira, sepse paria i druhet gjykimit të shqiptarëve. Më shumë se gjysma e popullsisë, (përfshi shqiptarët me banim jashtë atdheut), nuk voton. Sipas sondazheve dhe anketimeve edhe ndër ata që votojnë, shumë vota blihen me një thes miell, shumë vota hidhen në kutitë pa qenë prezent votuesi, shumë vota hidhen dhe kontrollohen me celular, duke kërcënuar me vend pune e bukë goje, dhe mbi të gjitha shumë vota numërohen sipas vullnetit të numëruesve. Pra, votimet janë një proces formal, ku ndahet torta e shfrytëzimit të pasurive kombëtare midis bandave, por nuk përmbushet vullneti popullor, edhe duke gjykuar sipas rregullave të vendosura nga paria. Edhe zgjedhjet e ardhshme, kurdo që të zhvillohen, me apo pa qeveri teknike, nuk do të jenë në gjykimin tim të lira dhe të ndershme, madje do jenë një përplasje e ashpër bandash.
Megjithatë, parisë i duhet vula legjitimuese e zgjedhjeve, ndaj edhe lufta është e fortë. Zhvillimi i zgjedhjeve duhet të ishte një proces automatik, sepse përcaktohet nga kushtetuta dhe Presidenti, mirëpo kush pyet për kushtetutën apo ligjet këtu tek ne? Këtu vendos vullneti i bandave, dhe nëse zhvillohen zgjedhjet varet nga garancitë që do marrin palët nga njëra-tjetra dhe, mbi të gjitha, çfarë do të vendosë Ilir Meta. Nëse, ashtu siç duken punët, Meta do të dalë i vetëm në zgjedhje, në koalicion me disa parti apo lista të vogla që rrudhin Ramën, dhe Rama ia lëshon nën trysni të dyfishtë karrigen një qeverie të majtë me kryeministër tjetër, zgjedhjet mund të mbahen në afatin e tyre kushtetues. Mirëpo, Rama nuk mundet të pranojë të hyjë në zgjedhje me një qeveri të pakontrolluar nga ai vetë, dhe nuk mund të tregohet i dobët përballë protestës së çadrës, sepse do të humbiste besimin e votuesve të vet. Ndaj, edhe gjasat janë që zgjidhja që kanë gjetur të jetë hibride me garanci për secilën palë, me një sistem zgjedhor të paktën të retushuar drejt një proporcionali kombëtar, ku del secili për hesap të vet. Kjo i shtyn llogaritë për pas zgjedhjeve, ndonëse e bën fushatën dhe zgjedhjet një fushëbetejë të ashpër.
A nuk ju jep përshtypjen sikur kemi të bëjmë me një qark të mbyllur, ku keqqeverisja e një mazhorance legjitimon opozitën e radhës, dhe kjo e fundit imiton të parën, sapo vjen në pushtet?
Keqqeverisja buron nga mungesa dhe lufta e ndërgjegjshme dhe e pandalur që paria i bën konceptit të shtetkombit. Shteti që ka ndërtuar paria e Tiranës, e cila përfshin gjithë klasën politike, por edhe levat dhe veglat e tyre mbështetëse në shoqëri, është një shtet i cili ka synimin të garantojë hajninë e palëve dhe pasurimin e tyre të shpejtë, skllavërimin e shqiptarëve dhe ç’shqiptarizimin e vendit. Prandaj, edhe kaq vite pas rënies së komunizmit, është krejtësisht e qartë se ne shqiptarët kemi dështuar. Kemi dështuar, sepse kemi ndjekur rrugën e gabuar dhe njerëzit e gabuar. Komunizmi synonte që t’i transformonte shqiptarët në kafshë proletare, në shërbim të parisë oligarkike partiake, që kishte në dorë dhunën, kontrollonte shtetin dhe i mbante varur dhe në një burg ideologjik shqiptarët për bukën e gojës. Në atë pikë kthese, njerëzit ishin të uritur, por kishin shpresë tek e kundërta e asaj që sapo kishin sprovuar. Por, kapitalizmi kriminal e klanor, që u vendos nga paria, me mbështetjen e të huajve, tash po i kthen shqiptarët në skllevër në shërbim të parisë mafioze dhe të mentarëve të saj. Kësaj here, paria ka në dorë ekonominë e politikën dhe përmes kontrollit të shtetit po na mban ne shqiptarët në një burg gjigand e nën një marrëzi kolektive të frikshme. Nga ky burg, që është shteti shqiptar, shqiptarët nuk mund të dalin më as si azilantë, as si trafikantë, as si lypës. Shqiptarët hanë dhe mbushin barkun, por janë të uritur për punë, liri, nder e siguri. Sot jemi të vetëdijshëm se edhe kjo rrugë na ka bërë skllevër të atyre që janë shqiptarurrejtës e shqiptarvrasës, që nuk na duan të mirën dhe na duan të jemi skllevër të tyre dhe të mentarëve të tyre ndërkombëtarë. Na duhet një fillim i ri, edhe pse rruga do të jetë e vështirë dhe me shumë pengesa.
Kjo nevojë është edhe më urgjente sot, sepse tashmë e kemi kuptuar qartësisht se ne shqiptarët jemi mashtruar dhe jemi mashtruar shumë keq, ndryshe prej e shumë më rëndshëm se të gjithë popujt që janë gjendur në situatën tonë. Një popull që nuk ka ditur se çfarë duhet bërë dhe që u ka besuar jetën, fëmijët dhe ardhmërinë të huajve dhe parisë, sot është më i zhgënjyer se kurrë. Sot jemi më të përçarë se kurrë, më të ndarë se kurrë, jemi më të vetmuar se kurrë, me një komb të çoroditur dhe që e ka humbur shpresën dhe besimin në të ardhmen. Kemi të hamë, por nuk e dimë se çfarë hamë. Kemi demokraci, por nuk vendosim dot për fatin tonë se ai është në duart e oligarkëve. Kemi kapitalizëm, por ky është një kapitalizëm katundar, ku mafia ndërkombëtare dhe krimi i familjeve mafioze lokale vendosin edhe çfarë uji pimë e çfarë ajri thithim, ku jetojmë sa mund të kemi, çfarë fati kanë fëmijët tanë, nga se do të vdesim dhe ku do të varrosemi. Kemi liri, por nuk kemi as siguri e as nder dhe çdo gjë synon të na zhveshë nga krenaria, nderi, dinjiteti e morali i duhur që na ka dalluar ne shqiptarët në shekuj. Kemi një komb të shkatërruar dhe po rrisim me ndërgjegje, skllevër për parinë e Tiranës dhe mbikëqyrësit e tyre të huaj. Kemi një shtet që mbron interesat e huaja dhe të pakicave dhe veç për shqiptarët nuk mendon.
Pse vendi vazhdon të mbetet akoma peng i një grupi të vogël politik me pushtet të madh ekonomik nga pas, kur kanë kaluar 27 vite që nga rënia e regjimit komunist?
Siç e thashë edhe më sipër, ne shqiptarët kemi dështuar, sepse ua kemi lënë shtetin në dorë hajnave e kriminelëve antishqiptarë e shqiptarurrejtës. Shteti ynë nuk ka sovranitet. Pasuria kombëtare që duhej të ishte në duart e shqiptarëve është në duart e një pakice të papërfilllshme. Pasuria kombëtare shqiptare është një pasuri e jashtëzakonshme, por e dhënë me koncesione, me kontrata afatgjata skllavëruese, me borxhe dhe e shpërdoruar pamëshirshëm. Kemi njerëz, por njerëzit tanë janë të ndryshuar thellësisht, të traumatizuar, të dobësuar, të lëkundshëm, pa bosht dhe pa vetëdijen e duhur kombëtare. Kemi njerëz të zotë e profesionistë, por që nuk kanë punë, ose detyrohen të bëjnë të kundërtën e asaj që ua thotë ndërgjegja. Kemi njerëz të ditur, por që po vdesin e shuhen pa asnjë të ardhme e pa u njohur kontributet. Kemi mendje të arta e të afta, që nuk mund të japin frytet të cilat iu shërbejnë të gjithë shqiptarëve edhe në ekonomi, bujqësi e prodhimtari. Kemi një shtet që iu shërben të gjithëve, të huajve, por edhe pakicave që jetojnë në shtetin tonë, por nuk kemi një shtet shqiptar që të jetë në shërbim të shqiptarëve.
Katastrofa e këtyre 27 viteve ka qenë një katastrofë që asnjë popull e komb nuk do kishte mundur dot ta përballonte. Dhe, nëse nuk vetëdijësohemi, ne do të paguajmë një çmim të frikshëm për këtë që i kemi bërë vetes dhe që na e kanë bërë këta kriminelë të vendit dhe të huaj, veçanërisht gjatë këtyre 27 viteve.
Në këtë pikë, shqiptarët në shtetin shqiptar kanë shumë armiq të fuqishëm, të mirorganizuar dhe të frikshëm. Këta janë paria e Tiranës, sindikata ndërkombëtare e krimit, familjet lokale kriminale dhe partitë si vegla të tyre, mendësia jonë e vjetëruar dhe katundare, sistemi i ndërtuar këta 27 vjet, shtetet fqinje, ndasitë e thella dhe vetë skllavëria e materializmit dhe e untisë, ku tashmë e kemi kyçur veten dhe në emër të së cilës kemi shitur gjithçka, edhe të ardhmen. Prandaj, duke e njohur fuqinë, qartësinë, vetëdijen e përkushtimin e këtyre forcave tmerrësisht të frikshme, që kanë brejtur e shkatërruar shumë kombe e shtete të tjera, shumëkush pyet “a ka shpresë për ne shqiptarët?”
Po! Ka shpresë! Ka një të ardhme edhe për ne! Ne shqiptarët do të ngrihemi e do të ringjallemi, edhe nga hiri, kur të kemi kuptuar se kjo është një rrugë pa krye. Ne do të shpëtojmë veten dhe brezat e ardhshëm, kur të kuptojmë se bashkimi ynë e bën fuqinë që na duhet për të mbrojtur veten, familjen, kombin e shtet-kombin tonë. Ne do të shpëtojmë vetëm kur të kuptojmë, se me qenë njeri do të thotë të kesh vetëdijen, se me gjak e me gjuhë, me traditë e me histori i përkasim një etnie të lashtë dhe jetojmë në një tokë të bekuar prej Zotit, mbi të cilën askush nuk mundet të kundërshtojë të drejtën tonë, sepse është e jona, e kemi larë me gjakun e të parëve, e kemi trashëguar me amanetin për të mos e lëshuar! Me qenë shqiptar është me qenë njeri me vlera, me familje, me moral, me nder, liri e siguri. Vetëm shqiptar, siç ishin të parët tanë, nuk mundesh me qenë në këtë shtet që është një koorporatë mafioze në shërbim të krimit ndërkombëtar dhe që dëshiron të krijojë e të ketë vetëm skllevër.
A mendoni se reforma në drejtësi do të mund ta pastrojë sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit dhe, rrjedhimisht, edhe atë politik? Apo do të kemi të njëjtin skenar, që e kemi lexuar gjatë këtyre viteve, se drejtësia do të bëhet po nga të fortët me pushtet?
Ndryshimet kushtetuese të Korrikut të kaluar u bënë me konsensusin e plotë të 140 deputetëve, por dhe me mbështetjen e BE-së dhe SHBA-ve. Afërmendsh, logjika të çon tek përfundimi se të gjitha palët i dëshirojnë këto ndryshime dhe reformimin e sistemit tejet të korruptuar të drejtësisë. Mirëpo, realiteti është ndryshe. Ashtu siç argumentoj edhe në disertacionin tim të Doktoraturës, të cilin po e punoj këto muaj në Shqipëri, përtej pranimit formal të ndryshimeve të kushtëzuara nga faktori ndërkombëtar, paria nuk mundet të lejojë humbjen e kontrollit të shtetit, sepse pushteti i saj rrjedh nga ky kontroll. Ndaj dhe, megjithëse u detyrua të votojë me unanimitet reformën, asnjëra nga palët e parisë në realitet nuk dëshiron të zbatojë një reformë të cilën nuk e ka nën kontroll. Reforma u bë e pranueshme vetëm kur u vendos një mundësi për të kontrolluar përbërjen e komisionit parlamentar me barazi mes palëve dhe, rrjedhimisht, edhe përbërja e organeve të reja të kontrollit të drejtësisë u bë më e kontrollueshme. Le të mos harrojmë se versioni i votuar në Kuvend, u dakordësua në zyrën e Ilir Metës, ku u shërbyen sanduiçe dhe ujë pa gaz. Pra, unë kam dyshime të mëdha se një reformë e kaluar me votat e arkitektëve të së keqes, mund të ndryshojë sistemin. Aq më pak kur, me zvarritjen e palëve, disa pika kyçe të reformës i kanë kaluar afatet dhe palët e parisë po krijojnë përshtypjen se reforma është jo kushtetuese. Zbatimi i saj, që sidoqoftë nuk mund të ndodhte para zgjedhjeve, do të shtyhet derisa me parlamentin e ri të gjindet një kleçkë kushtetuese për t’i tjetërsuar objektivat kryesorë të saj.
Ju, së bashku me ish-studentët e Dhjetorit, Shenasi Rama dhe Valbona Karanxha, keni krijuar Lëvizjen ‘‘Bleta Shqiptare’’, me anë të së cilës artikuloni se shqiptarët nuk duhet të mbeten më skllevër. Cila është rrugëdalja që ju propozoni në mënyrë konkrete?
Ne kemi krijuar një Lidhje Qytetare, e regjistruar sipas ligjeve të SHBA, e cila synon të promovojë, kultivojë dhe ruajë identitetin kombëtar shqiptar. Në këtë kontekst, ne kemi botuar një Manifest Politik dhe një Thirrje popullit shqiptar, të cilat mund t’i gjeni të plota tek bletashqiptare.com. ‘‘Bleta Shqiptare’’ iu bën thirrje të gjithë shqiptarëve, kudo që janë e kudo që gjenden, që të shohin të vërtetën në sy. Nëse ndjehesh shqiptar me gjak e me etni, e jo diçka tjetër, kjo thirrje është për ty. Le të vetëdijësohemi se vetëm e vetëm duke punuar e duke menduar si shqiptarë, do të mund të ndërtojmë një shoqëri morale, me vëllazëri e me nder siç e meritojmë. Vetëm e vetëm duke punuar për një familje të shëndoshë shqiptare do të mund të bëjmë një komb të shëndoshë shqiptar.
A mendoni se lëvizjet politike, partitë e vogla mund të sjellim ndonjë ndryshim konkret, kur historia politike e pas viteve ’90, ka treguar se ato ose janë bërë palë me partitë e mëdha, ose kanë mbetur jashtë ndikimit politik?
Asnjëra nga ato forca nuk ka pasur dhe nuk ka qartësinë ideologjike dhe vullnetin për ta jetësuar zgjidhjen e duhur. Nuk kemi asnjë zgjidhje tjetër më efektive se shteti-komb. Prandaj, na duhet të jemi realistë dhe të kuptojmë sesa mund të arrijmë e si mund të arrijmë, ku duhet dhe se sa e vështirë është e do të jetë rruga e së ardhmes. Na duhet të jemi pragmatikë, dhe të pranojmë se, ndoshta nuk do të mbërrihet më e dëshirueshmja, porse ecja në atë rrugë do të jetë më e mira e mundshme. Na duhet të jemi idealistë dhe të besojmë se dështimet, pengesat e kundërshtitë kalohen vetëm me përpjekjen e vullnetin e të gjithë shqiptarëve të mirë. Kjo do të thotë se teoria e hedhjes në erë të gjithçkaje nuk na shërben. Atë që na shërben, do ta ruajmë e do ta kultivojmë, atë që nuk na duhet, do ta shmangim e do ta shpërbëjmë. Na duhet një udhëheqje e përkushtuar që të dijë se ku të na drejtojë në këtë rrugë. Por, na duhet edhe një sistem i qartë vlerash, që ta mbajë nën një kontroll të rreptë, besues, por edhe ndëshkues, strukturën udhëheqësore, shtetërore, shoqërore dhe institucionale, që do të nevojitet për ndërtimin dhe ruajtjen e të ardhmes sonë si komb.
Ajo që kërkohet është ndryshimi rrënjësor i sistemeve të vendosur e të transformuara kushedi sa herë gjatë këtyre viteve të tranzicionit. Ky është një mision e detyrë, që duket e pamundshme, por në fakt nuk është. Duke na thënë se po shkojmë në bashkëkohësinë e të tjerëve, paria nuk na tha se ata “të tjerët” kishin, ruajtën, dhe mbrojtën shtetet e kombet e tyre. Duke dashur pasurimin e vet të shpejtë, paria nuk na tha se ekonomitë e shteteve të tjera, ishin ekonomi tregu të institucionalizuara e jo kazino. Duke synuar skllavërimin e shqiptarëve, paria na tha se individualizmi ishte zgjidhja, kur gjithkund shtetet kanë kombet e tyre dhe veprojnë në bazë të interesit të tyre kombëtar e shtetëror. Duke e mbajtur mendjen tek qëllimi i vet, paria na tha se rruga është fitimi dhe paraja, kur gjithkund tjetër shoqëritë jetojnë për dinjitet e respekt dhe me sigurinë e duhur për jetën njerëzore. E kështu, të gjithë vlerat themelore për shoqëritë normale janë tjetërsuar, shtrembëruar, degjeneruar apo keqzbatuar.
Prandaj, na duhet që të rinisim nga fillimi duke mos i përsëritur gabimet e të shkuarës. Ajo që na duhet ne dhe ajo që iu shërben kaq mirë kombeve e shteteve të tjera, është një shtetkomb modern i ngritur mbi interesin kombëtar, që funksionon në bazë të ligjit dhe respektimin e tij pa kushte. Në këtë drejtim na duhet të bëjmë një kthesë të madhe politike në lidhje me objektivin parësor të politikës së jashtme dhe që ka kushtëzuar e influencuar edhe kaosin e studiuar ku gjendemi. Na duhet të pranojmë se BE-ja nuk do të merret me ne për një kohë të gjatë, se ne nuk jemi si evropianoperëndimorët dhe, se shkurt, ka vende që do të vënë veton kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE pa menduar dy herë.
Duke iu referuar analizës së mëparshme, na duhet që të pranojmë se nuk jemi askund gati për anëtarësim në BE. Ne na duhet të bëjmë shtetin tonë shqiptar njëherë dhe atë na duhet që ta bëjmë sa më mirë që mundemi, dhe pastaj le të merremi me BE-në. BE duhet e do të ketë gjithnjë një vend të veçantë e strategjik në politikën e jashtme e në marrëdhëniet e shtet-kombit shqiptar me të huajt, por nevojat tona realiste, afatshkurtëra e afatmesme në këtë pikë janë të tilla që, ne na duhet të shmangemi paksa nga normat e pranuara dhe të saksionuara nga BE-ja. Këto dallueshmëri, që janë të riparueshme në kohë e me përparimin e duhur, dhe që rregullohen lehtësisht me legjislacionin e duhur në të ardhmen, shtrihen nga ndëshkueshmëria ligjore si, bie fjala, vendosja e sanksioneve drakoniane të dënimit me vdekje për shumë krime, tek mbrojtja e interesave ekonomike të prodhuesve shqiptarë, tek strukturat politike dhe partiake, që duhet të jenë funksionale ndër ne, dhe kultivimi me parësi i një identiteti kombëtar, që na ndihmon së tepërmi për zgjidhjen e shumë problemeve të vlerave, të funksionimit të sistemit, të ndërtimit të ekonomisë së duhur e me radhë.
Në nivelin e parimeve politike, ndryshimi duhet mbështetur në vlerat e vërteta të një populli si shqiptarët dhe në një projekt të ri modernizues, të balancuar dhe të mbështetur në themelet e forta të elementëve të mëposhtëm: Së pari, projekti politik duhet mbështetur në identitetin e padiskutueshëm të shtetit-komb shqiptar. Së dyti, projekti duhet të mbështetet në një sistem politik demokratik. Së treti, në një administratë shtetërore të pakorruptueshme e të mbështetur në ligj. Së katërti, në një ekonomi tregu të institucionalizuar, ku i jepet përparësi prodhimit kombëtar. Së pesti, në një politikë të jashtme të bazuar në interesin kombëtar shqiptar. Së gjashti, në luftën e pakompromis kundër krimit e kundër të keqes, në çdo formë që të materializohet e keqja shoqërore. Së shtati, në krijimin e në kultivimin e vlerave të vërteta të një shoqërie që krijon mundësi për të gjithë. Së teti, në kultivimin e vlerave të një shoqërie civile efektive. Së nënti, në ndërtimin dhe konsolidimin e strukturave të shërbimeve shoqërore si edukimi, shëndetësia, e mbrojtja e fëmijëve dhe e pensionistëve. Më në fund, por jo më e fundit, ndërtimi i strukturave funksionale të një sistemi të partive politike, i cili të avancojë e të mbrojë interesat e bashkësisë ligjore-politike me mjete legjitime demokratike. Çdo përpjekje për ndryshim, qoftë në formën e një programi politik, qoftë në formën e një pakete ndryshimesh ligjore, që nuk mban parasysh këto parime themelore, është e destinuar të dështojë. Këto elemente janë pjesë e pandashme e çdo projekti për shërimin e përmirësimin e gjendjes. Ndaj dhe nismat e deritanishme kanë dështuar dhe janë shndërruar në shtojca apo zgjatime të palëve të parisë. Por, ata që marrin përsipër këtë detyrë duhet të jenë të përgatitur që të përplasen me një pari, e cila do të përdorë çdo mjet në dispozicionin e saj, edhe në format ekstreme të dhunës e të terrorizmit shtetëror e mafioz, për të ruajtur pushtetin politik dhe kontrollin mbi ekonominë e mendësinë e popullit që sot e sundon./Intervistoi: Bardhi Quku