Kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare (PDSH), Menduh Thaçi në selinë e partisë së tij në Tetovë, realizoi takim me ambasadoren e Gjermanisë në vend, Kristine Althauser.
Në takim, siç citohet në njoftim, u bisedua për situatën aktuale, marrëdhëniet ndëretnike, si dhe pikëpamjet e PDSH-së për daljen nga kriza politike dhe përshpejtimin e procesit të integrimit euro-atlantik.
“Thaçi shprehu shqetësim për marrëdhëniet e brishta ndëretnike, situatën ekonomike si dhe për ngecjen e proceseve integruese, duke vlerësuar se përfitimet e partive nga politika ditore kanë devijuar tërësisht rrugën e integrimeve euro-atlantike të vendit, si dhe kanë acaruar marrëdhëniet ndëretnike.
Ai gjithashtu konstatoi se në Maqedoni vazhdon avazi i vjetër i cenimi të të drejtave kolektive të shqiptarëve që në masë të madhe rëndon akoma më shumë situatën veç më të përkeqësuar politike”, thuhet në njoftim, përgatiti Koha. (b.an)