Gërmimet në sheshin “Veliera” në Durrës kanë ngjallur debate të forta në mbledhjen e sotme të Këshillit Bashkiak të qytetit. Teksa mbledhja, e karakterizuar e gjitha nga debatet, po shkonte drejt fundit, kreu i grupit të këshilltarëve demokratë, Armand Teliti e quajti kriminale realizimin e projektit Veliera.
Teliti i bëri thirrje Prokurorisë të nxjerrë përgjegjësit sipas tij të shkatërrimit të pasurisë arkeologjike. Kujtojmë se kjo kërkesë është bërë nga këshilltarët demokratë në çdo mbledhje të këshillit.
Por kreu i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako tha se “Veliera është një projekt madhor për qytetin”.
Sakaq, debate ka patur edhe për pikën e fundit të rendit të ditës, ajo që kishte të bënte me rritjen e çmimit të ujit të pijshëm me 15%. Kjo pikë, e cila u fut në rendin e ditës në minutën e fundit, nuk ishte bërë e njohur nga këshilltarët më parë, dhe për këtë arsye ajo ngjalli debate.
Asnjë nga këshilltarët nuk ishte njohur me relacionin që u fut në momentin e fundit të rendit të ditës dhe për këtë arsye PD dhe LSI votuan kundër, gjë që solli mos miratimin e saj.
Debate krijuan edhe 7 pikat e para të rendit të ditës, ku këshilltarët demokratë votuan kundër.
Pika e parë, ajo që kishte të bënte me veprimtarinë financiare dhe zbatimin e buxhetit të vitit 2016 të Bashkisë Durrës, relacion ky që u mbajt nga Abdyl Koka. Drejtori i Tatim-Taksave në Bashkinë e Durrësit pati dhe reagimet të ashpra të këshilltarëve të PD-së, që akuzuan Bashkinë për mos realizimin e mbledhjes së taksave./BW