Bizneset e gëlqeres në zonën e Krujës sfidojnë shtetin. Megjithëse janë zhvilluar dhjetëra aksioneve për mbylljen e furrave, ato vazhdojnë aktivitetin në mënyrë ilegale.
Gazetarët e emisionit investigativ “Fiks Fare” vëzhguan për disa muaj situatën në Krujë, ku folën me pronarë dhe punëtorë në këto biznese, të cilët thanë se kanë paguar ryshfet që të vijojnë punën. Madje, një pronar thotë se paguan 500 mijë lekë ryshfet çdo muaj në mënyrë që të vijojë të prodhojë gëlqere. Mitëmarrësit janë inspektorë të Mjedisit e Pyjeve si dhe punonjës policie.
Ryshfeti 500 mijë lekë
Megjithëse gjatë tre viteve e gjysmë janë bërë me dhjetëra aksione për mbylljen e këtyre bizneseve, Fiks Fare bëri një vëzhgim disa javor në zonën e Krujës. Gazetarët e Fiksit shkuan fillimisht në Borizanë të Krujë, ku kamerat filmuan ndotjen mjedisore të shkaktuar nga djegia e gomave. Gazetarët bisedojnë me disa punëtorë të furrës së gëlqeres. Fillimisht ata kanë frikë të flasin me gazetarin e “Fiks Fare”, pasi mendojnë se janë gazetarë apo inspektorë të mjedisit. Gazetari i Fiksit kërkon të vlerë 200 kuintalë gëlqere. Punëtorët flasin me pronarin në telefon. Pronari u lë takim gazetarëve poshtë gropës së gëlqeres. Në bisedë, pronari tregon se paguan inspektorët që ta lënë të punojë. Ai tregon se paguan 500 mijë lekë në muaj, që të shkojnë “serbes” në punë. “Na janë gjetur havale, nuk janë duke na lënë policia e rendit. Të mjedisit në krah tjetër na hëngrën jetën. Për lejimin e punës paguaj në mënyrë të kundraligjshme 500 në muaj t’i marrin” thotë ai. Në bisedë me gazetarët e Fiksit, pronari shpreson që të punojë deri ditën e zgjedhjeve, sepse e di që më pas nuk e lë njeri. Thotë se nuk dëmton njeri edhe po të djegë goma, se e ka në mal furrën e gëlqeres. Në fund, ai bën pazar për gëlqeren që kërkojnë gazetarët dhe thotë se 150 mijë lekë u shkon 200 kuintalë. “Këtu përfshihet dhe pagesa për policët që do lënë kamionin të kalojë” thotë pronari.
Ndotje edhe në Krastë dhe Nikël
Pas Borizanës, gazetarët shkojnë në Krastë, po në zonën e Krujës. Në një furrë gëlqere, gazetarët takojnë vëllain e pronarit, ku i kërkojnë 10 tonë gëlqere. Ai tregon se ka 3 ditë që ka ndezur një furrë, ku bën 280 kuintalë gëlqere. Tregon se ajo gropë gëlqere në 3 vitet e fundit është shembur 6 herë. “Vjen e merr kafen ti si i ambientit, ja fut policia hajde këtu futi distim. Ma shpejtë ju thua kam dhjetë dynym hashash a more vesh. Hë të marrsha të keqen, kur të vjelët dua pjesën tëme, kurse këtij futi rruspin krejt është djersë” thotë ai.
Gazetarët shkojnë edhe në Nikël, ku punëtorët tregojnë se i paguajnë 10 mijë lekë të vjetra në ditë, pa siguracione. Furra rri ndezur 4-5 ditë për një prodhim. Tregojnë që djegin inkelite. Blejnë një kamion e mbetje këpucësh 150 mijë lekë të vjetra, ndërsa djegin edhe plastikë, por natën.
Sipas ligjit, ndotja e ajrit përmes çlirimit të tymrave, gazrave dhe lëndëve të tjera toksike radioaktive e bërë tej kufirit të normave të lejuara, kur vepra nuk përbën kundërvajtje administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në dy vjet. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar pasoja të rënda për jetën e shëndetin e njerëzve, dënohet me burgim gjer në dhjetë vjet.
Aksioni për furrat e gëlqeres
Në 18 mars të këtij viti, Inspektoriati i Mjedisit dhe Pyjeve organizoi një aksion në zonën e Krujës për mbylljen e 21 furrave të gëlqeres, pasi shkaktojnë një ndotje të madhe në mjedis, duke djegur gomat e automjeteve. “Do të kemi tolerancë zero për të gjithë ata banorë që tentojnë të hapin këto subjekte në mënyrë të jashtëligjshme” tha kreu i inspektoriatit të mjedisit, i cili ishte vazhdim i politikave të ministrisë së Mjedisit që nga vitit 2013, kur dhe erdhi në pushtet “Rilindja”. Një nga vendimet e para të kësaj ministrie ishte pezullimi i aktivitetit të 109 furrave të gëlqeres në Krujë. Këto furra digjnin goma të përdorura, të cilat çlirojnë në ajër dy helme të rrezikshme, dioksinë dhe furanë. Ato kanë një rreze të gjerë veprimi, që mund të arrijë në 50 kilometër. Pra, ndotja nuk bëhet vetëm në Krujë, por edhe në Tiranë dhe zonat përreth./a.m.