Dy ish- futbollistë profesionistë, pjesë e një bande e krimit të organizuar, u burgosën me një total prej 44 vitesh pasi u kapën me kokainë me vlerë 2 mln £. Shpërndarësit shqiptarë të drogës ishin nën vëzhgim nga oficerët e infiltruar të policisë, kur blenë dërgesën prej 20 kg drogë në Peterborough dhe e dërguan në një shtëpi të izoluar në qendër të Londrës.
Ata u arrestuan pasi i shitën paketa kokaine dy klientëve më 1 shtator të vitit të kaluar. Detektivët e gjetën pjesën tjetër të drogës në një shtëpi në Finchley, në veri të Londrës dhe konfiskuan një total prej 116.000 £ në para të thata.
Në gjykatën e “Old Baileyt” u deklarua se kryetari i bandës, Amarildo Fufi, 25 vjeç, dora e tij e djathtë, Basmir Berberi, 31 vjeç dhe “ushtari këmbësor i përbetuar” Mario Xhafa, 26 vjeç, kanë qenë futbollistë profesionistë shqiptarë para se të ktheheshin në kriminelë.
Fufi, i cili dikur ka luajtur për Partizanin e Tiranës thuhet se vjen nga një familje e shquar dhe e pasur në Shqipëri dhe kishte në pronësi një avion Cessna.
Berberi bënte pjesë në kombëtaren shqiptare, por karriera e tij përfundoi dy vite më parë, kur ai pësoi një lëndim të rëndë në gju. Xhafa gjithashtu pësoi një dëmtim në gju, gjatë një ndeshjeje për skuadrën italiane Benevento Calcio në Serinë C.
Të tre, së bashku me Kamado Dishan, 27 vjeç, u deklaruan fajtorë për shpërndarje droge. Gjyqtari, Recorder Max Hill QC, e dënoi Fufin me 16 vite burg, Berberin me 12 vite burg dhe Xhafën e Dishën me 8 vite burg secilin. Marius Pali, një lavazhier shqiptar i cili u kap në tentativë e sipër për të blerë 1 kg kokainë nga banda, u dënua me 5 vite burg.
“Kjo është një tregti shkatërruese droge dhe një vepër penale e cila të bën të pasur, por për ata që kapen shkakton varfëri, lëndime dhe ndonjëherë vdekje. Kjo është arsyeja pse gjykata duhet të marrë një këndvështrim serioz kur kap njerëz të përfshirë në një komplot për të furnizuar drogë të këtij lloji. Ajo çfarë policia zbuloi nga gjithë mbikëqyrja, ishte një rrjet i vogël i krimit të organizuar që përfshinte blerjen dhe shitjen e sasive të mëdha të kokainës me një pastërti prej 80%”, u tha Recorder Hill shqiptarëve.
Fufi kishte bërë të mundur kalimin e Berberit nga Shqipëria për në Britani të Madhe, në maj të vitit të kaluar, në mënyrë që ai të shpërngulej atje.
Pasi kishin siguruar një shtëpi në Mansfield House në Great North Road, Finchley dhe një apartament në Winkley, Muswell Hill, Disha solli 20 kg kokainë nga Peterborough.
Droga u kthye në Londër dhe Xhafa i dorëzoi paketa 1-kilogramëshe Palit dhe një klienti tjetër të paidentifikuar në një Mercedes të zi.
Gjatë kontrollit të shtëpisë, u zbuluan paketat 1-kilogramëshe të kokainës, të mbështjella me kujdes.
Në apartamentin në Winkley u gjetën pasaporta dhe dokumente regjistrimi për një makinë blu të tipit “Ford Mondeo” sëbashku me disa mijëra paund në para të thata.
Disha kishte në posedim një shumë prej një 116.000 £ në para të thata.
Fufi dhe Berberi pranuan akuzat e shpërndarjes së drogës së klasit A, gjithashtu Disha dhe Pali pranuan kryerjen e kësaj vepre penale./tvklan.al/ma.me