Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka shprehur edhe njëherë vendosmërinë për t’i shkuar deri në fund protestës.
Përmes një statusi në facebook, Basha thotë se nuk tërhiqet pa përmbushur premtimin e dhënë për mëbshtetësit e opozitës për qeveri teknike.
Mesazhi i Bashës:
Dua të garantoj përsëri sot çdo shqiptar, të djathtë e të majtë, me të cilët mund të ndahemi në pikëpamjet tona politike apo në rrugëzgjidhjet politike, por na bashkon vullneti për të pastruar Shqipërinë nga krimi dhe për të mos lejuar që Shqipëria të kthehet në një Republikë droge. Dua t’i garantoj me vetëdije se këtë betejë e kam ndërmarrë me vendosmëri të plotë, sepse ajo nuk është për mua, nuk është për karrigen time, nuk është për Partinë Demokratike, por është për fatin e çdo shqiptareje dhe shqiptari të ndershëm. Nga kjo betejë nuk tërhiqem pa përmbushur premtimin që para jush dhashë, pa i shkuar deri në fund vendimit që së bashku morëm qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Ky është fillimi i një beteje që do të ndërtojë Republikën e qytetarëve dhe jo të politikanëve. Kjo betejë është jo vetëm për ne e fëmijët tanë, por për brezat që do të vijnë. Kjo betejë do të vendoset jo nga kompromisi për të ruajtur favoret e pushtetin e krimit, por nga vendosmëria totale për të mos u tërhequr deri sa të sigurojmë, asgjë më pak se, standardin europian për zgjedhjet shqiptare.