Nard Koka është dëshmitari i vetëm i bisedës që pati Ilir Meta dhe Edi Rama në darkën në Gjirin e Lalëzit. I njohur për miqësinë që ka me politikanët e majtë, biznesmeni nga Durrësi përfundoi në komisariat pak ditë më parë, por nuk ishte hera e parë për të. Në shtator të vitit 2009, kur sapo ishte krijuar qeveria e re e Berishës, ai u arrestua, për t’u dënuar me dy vjet burg.
Vëllai i ministrit të Mjedisit dhe ish-mik i ngushtë i Fatos Nanos, ka treguar në korrik të 2012, në një intervistë të zgjeruar për “Gazetën Shqiptare”, jetën e tij, marrëdhëniet me politikanët, qëndrimin në burg dhe një moment të vështirë me të vëllain.
GSH.al sjell pjesën e dytë të intervistës që Leonard Koka i dha zv/kryedaktores së “Gazetës Shqiptare”, Rezarta Delisula.
Si ka qenë fëmijëria juaj, familja ku jeni rritur?
Kam lindur në Spitallë të Durrësit më 6.4.1966. Ne ishim familje e madhe. Ishte babai im Haki Koka, nëna Lumturi dhe kisha dy vëllezër dhe dy motra më të mëdhenj. Unë isha djali i fundit, ai i pleqërisë dhe më i përkëdheluri. Shkollën 8-vjeçare e kam bërë te “Jorgji Ziu” në Spitallë. Isha nxënës shumë i mirë dhe i vendosur në tabelën e emulacionit siç quhej atëherë, ndërsa të mesmen te “Naim Frashri” në Durrës.
Jeni rritur në një familje ku babai ishte sekretar partie, ndërsa mamaja vinte nga një familje e persekutuar, si ishte kjo bashkëjetesë?
Në familjen e babait tim ishin 7 vëllezër, të gjithë jetonin në Spitallë dhe kishin pozicione të mira pune të tipit kryetar kooperative, shef sektori, im atë ka qenë përgjegjës kurse nëna vinte nga Çorushi, të persekutuar e nëse s’gabohem po ti mbledhësh dënimet e gjithë trungut të familjes së nënës, kanë bërë nja 80 vjet burg.
Pati babai presione për ta lënë nënën tuaj si pasojë e biografisë?
Babai im ishte burrë i fisshëm dhe i rezistoi të gjitha presioneve të kohës. Madje fisi i nënës te ne vinte lirshëm. Fisnikërinë e tij e tregoi edhe më vonë, kur daja im u dënua me 15 vjet burg në Spaç, ka qenë me Fatos Lubonjën e Spartak Ngjelën në një kohë dhe dhe, gjithë atë periudhë, daja e kaloi me ndihmën e familjes tonë. Vëllezërit i kishte të internuar, vetëm nëna ime kishte shpëtuar, kështu që ajo bashkë me babain, hiqnin pjesë ushqimesh nga të tonat dhe 1 herë në 15 ditë ia çonin dajës. Shpesh nëna na merrte mua ose Lefterin kur shkonim për ta takuar, por vëllain më shumë se ishte më i madh.
Çfarë ju ka bërë përshtypje në atë burg famëkeq edhe pse 11 vjeçar?
Ka qenë burg i tmerrshëm, i frikshëm. Mbaj mend ato kontrollet e imtësishme të policëve, fytyrat e gardianëve, dajën e sfilitur… E kur i kujtoj ato vite, mendoj se burgu atëherë ka qenë shumë më i vështirë se ai që mu desh të provoja unë. Më kujtohet dhe një histori e atyre viteve (qesh).
Mund të na e thoni?
Nusja e dajës u nda formalisht nga ai për të vazhduar punën si mësuese, kështu që letrat që ai i çonte të shoqes Fadiles, kalonin përmes meje. Një herë shkova në shtëpinë e saj, por sapo hyra ra dera dhe erdhën komshijet. E mbaj mend që u futa në dollapin e rrobave se s’duhet të më shihnin ato dhe kam ndenj aty dy orë pa lëvizur deri sa ikën.
Ta ndryshoi mentalitetin vajtja në Spaç, le të themi të bëri më agresiv në kërkim të lirisë?
Ne edukoheshin fort në shkollë që ta donim atë regjim, që dënimet edhe ato politike, justifikoheshin duke thënë se diçka kishin bërë më kot nuk kishin rënë në burg. Pastaj me kalimin e viteve ndryshoi mendimi edhe për regjimin, filluam të kuptonin se nuk ishte ashtu siç dukej. Sigurisht që edhe në familje nuk guxonim të flisnim por e mendonim. Normale që nuk e donim më atë regjim kur shihnim momën 24 orë me lot në sy.
Po mbas gjimnazit me çfarë u morët?
Unë u kam pas marrë që i vogël me sport. Këtu ku jemi tani ka qenë fusha e futbollit dhe unë vija nga Spitalla që bëja stërvitje. Kam qenë portier ndërsa Lefteri, mesfushor. I kam kaluar të gjitha etapat nga pionierët te para të rinjtë, te të rinjtë dhe ekipi i parë. Kam qenë rezerva e Tur Lekbellos, Lad Ajazit. Kur isha 16 vjeç mora dhe rrogën e parë nga ekipi i futbollit. Merrja 1900 lek të vjetra, po në atë kohë ishin shumë për mua.
Po rrogën e çoje në shtëpi?
Një pjesë e çoja e një pjesë jo. (qesh)
Po punë tjetër ke bërë?
Po kur mbarova të mesmen, punova në hekurudhë një vit, pastaj shkova si portier i Shijakut ku luajta dy vjet.
Po ushtri bëtë?
Po, në vitin 1987 mos gabohem më çuan ushtar në Librazhd, në Hotolisht tamam, në një repart kundërajror. E kur mbarova ushtrinë u ktheva në shtëpi. Ishin vitet e ndryshimit.
Po me gruan tuaj ku jeni njohur?
Jemi njohur në gjimnaz. Unë isha në vitin e tretë ndërsa Miranda sa erdhi në të parin. Kujtoj në ato vite që edhe dasmën e bëmë 2 korrik, ditën kur u ça rrethimi i ambasadave, kështu që s’e harrojmë lehtë.
Si kanë qenë marrëdhëniet mes jush?
Ne u njohëm të rinj, unë u fejova po i ri dhe u martova 24 vjeç se 22 kam djalin e madh tani (qesh), por marrëdhëniet i kemi pas gjithmonë të mira.
Kur lindi djali i parë, Renoldi si e prite?
Më dukej vetja i ri. Babën e kisha gjallë, nënën për fat e kam edhe sot dhe, mua më dukej vetja fëmijë para prindërve të mi.
I bie që Hakin që është djali më i vogël i juaji ta keni shijuar më shumë?
Realisht i kam shijuar shumë të dy, por Hakin më shumë se Roni ishte rritur ishte 5 vjeç gati, kështu që ky i vogli ishte dhe më i përkëdheluri.
Vitet e ndryshimit si ju gjetën?
Në vitin 1991 kur ikën anijet drejt Italisë unë jetoja bashkë me Lefterin në Spitallë, ndërsa vëllai i madh i martuar e me fëmijë kishte dalë më vete. Kur nisi eksodi, Lefteri vendosi të ikte në Itali e mbaj mend që ka ikur me anijen Teuta. Gjithë natën e gdhimë në port bashkë, dhe ai më tha që unë duhej të rrija me familjen ndërsa ai do të përpiqej për më mirë.
Si i shkoi Lefterit atje?
Pas një karvani të gjatë mundimesh ku iku në Siçili e më pas u kthye në Trieste filloi të punonte, e me paratë që mblidhte, blinte makina andej, ndërsa unë i shisja këtej.
Çfarë viti ka qenë?
Mos gabohem ’92-shi. Më pas në vitin 1993 u lidhëm me ujin “San Benedeto” dhe e tregtonim në Shqipëri, e avash-avash nisëm të merreshim e me sheqerin. Ato vite ishin kush të mundte me punu, çante. Tregtia jonë nisi duke u konsoliduar, derisa morëm në ankand dhe ndërmarrjen këtu te bobinati. Më pas blemë kantinën e verës…
Domethënë fillimi i biznesit tuaj s’ka pas mbështetje në politikë?
Jo mbështetje politike në biznes s’kemi pasur ndërsa unë kam mbështet Partinë Socialiste të Durrësit gjithmonë nga ana financiare. Nuk kisha njohje të afërta me ta por e bëja si detyrim.
Ke qenë me bindje i majtë?
Jo aq sa e bëja për hatër të babës i cili ka qenë gjithmonë sekretar partie. Edhe kur ka qenë PD-ja në pushtet deri në ’97 unë partinë socialiste ndihmoja. Kujtoj që ka qenë Bardhyl Agasi atëherë kryetar i Durrësit.
Po me politikanët kur u njohe?
Rreth viteve ’98-’99 kur Fatos Nano iku si kryeministër.
Si u njohe me të?
Jam njohur rastësisht në plazh. Unë isha me Ronin duke i mësuar makinën e në këtë kohë ato po bëheshin gati me lujt futboll por i mungonte një. Fatosi ishte vetëm me badigardët e vet. Më thirrën. Pas ndeshjes pimë dhe nga një birrë ndërsa të nesërmen ai erdhi te lokali jonë “Trieste” për drekë. Kështu nisi raporti mes nesh. Fatosi në atë kohë ishte shkëputur nga politika, ndërsa unë s’merrja vesh shumë, por ato që shihja dhe në organizimin e partisë ia thosha pa doreza dhe mendoj që ai ka mësuar disa gjëra prej meje të cilat në kohën kur ishte kryeministër nuk ia thoshin drejtpërdrejt. Miqësia me të vazhdoi edhe gjatë reformës në vitin 2000 që u quajt katarsisi, ndërsa pjesën tjetër të politikanëve nuk e njihja apo më mirë s’kisha kontakt.
Në 9 shtator 2005 ju u arrestuat vendim ishte politik apo thjesht evazion nga ana juaj?
Më kanë arrestuar më datë 9 shtator, këtu poshtë shtëpisë. Unë s’jam marrë kurrë me tregti cigaresh pra s’ishte çështje korrupsioni apo evazioni. Edhe atë, që këta e quajtën të penduarin e drejtësisë por realisht s’ishte e tillë, si në deklarimet e para si në deklarimet e fundit nuk ka thënë kurrë se unë isha pronari i cigareve apo magazinuesi i tyre, apo blerësi… pra s’kishte lidhje me kontrabandën pikë e cila në kodin penal shpjegohet fare qartë. Madje i penduari sa herë më shihte në seancë i drejtohej trupit gjykues duke i thënë; Ky burri këtu s’ka lidhje fare me akuzat, pse është këtu… Që ishte akuzë politike, kjo s’ka kurrfarë dyshimi, e arrestimi im për çudi ndodhi pikërisht ditën që u votëbesua qeveria Berisha 9 shtator 2005.
Po një gjë është bërë sebep?
E them pa pikë droje një përplasje që kam pasur me Sokol Olldashin. Ai ishte i ftuar në një debat me Agron Dukën që është burri i motrës time, dhe gjatë debatit na akuzoi me emra për trafik droge e pisllëqe të tjera. E them me bindje të plotë që kushdo vend i botës të dojë të më hetojë për këtë gjë, e ka rrugën e hapur, se them për sfidë, por kurrë s’jam marrë në jetën time me drogë apo prostitucion. Ai debat më nxehu shumë e shkova te Klani dhe pas emisionit kur doli jashtë e ofendova keq. Më nxehu më keq përballja me të që kur më pa, më hodhi dorën në qafë e më tha; E ka politika këtë… Po unë s’mund të lejoja të villnin sërish, më shumë se ç’kishin bërë. E pas atij debati kur u largua 10 metra më larg më tha; Mbaje mend, të parin në burg ty do të fus. Dhe jo rastësisht u arrestova ditën e votëbesimit të qeverisë. Dhe më e bukura është që pasi del nga burgu i merr vesh se si është sajuar e gjithë historia. Këtu kam dëgjuar sepse nuk ndodh me asnjë vend që për kontrabandë të gjykojnë Krimet e Rënda. Vende të zhvilluara e evropiane e konsiderojnë kontrabandën si shkelje financiare, mund të paguash dëmin ekonomik që i ke bërë shtetit e të mbash pjesën tjetër të përgjegjësisë ndërsa mua më çuan te krimet e rënda si grup i ristrukturuar kriminal. E të dal te situatat që i mëson më pas. Prokuror kam pasur një ish-gazetar Eugen Peçi, tani e kam mik. Ai më tregoi që kishte diskutuar me kryeprokurorin në atë kohë Dhori Sollaku për arrestimin tim, i cili përpos problemeve të veta që kishte pasur, i kishte thënë punonjësit të vet; Mos u nxitoni, kini kujdes. Pasi ai i kishte parë dosjet dhe e dinte prapavijën politike.
Keni dashur të arratiseni me helikopter, siç u fol në atë kohë?
(Qesh). Unë e kam marrë vesh 10 ditë përpara që do të arrestohem pasi më lajmëruan. Preva biletën e tragetit për tu larguar nga Shqipëria por u konsultova më parë me shumë miq të mi, dashamirës. Një pjesë më thoshin mos ik, sepse s’ke arsye, një pjesë tjetër më thoshin largohu se s’i dihet hakmarrjes politike. Si përfundim pyet 100 thotë populli e bëj si di vetë. Kështu që vendosa të mos largohesha.
Bashkëshortja juaj po na tregonte para se të vinit, se ju nuk ishit prezent as në ditën e parë të shkollës së djalit tuaj Renaldit, i cili shkoi të studionte në Angli dy ditë para arrestimit tuaj?
Nuk shkova vetë pasi e kisha vendosur që nuk do të largohesha, madje ka qenë data 6 shtator kur im bir u nis për Angli, pa bërë ende 15 vjeç ndërsa i thashë Mirandës, që të kthehej shpejt sepse nga dita në ditë mund të më arrestonin, e ajo u kthye vetëm 1 ditë para, pra me 8 shtator. Duhej ta vuaja llumin që Berisha kishte hedhur ndaj meje e familjes time, kështu që me koshiencë të plotë prita arrestimin. Nëse unë do arratisesha, do të mbetesha edhe sot në gojën e tij, gjë që vetëm ai në rruzullin tokësor di ta bëj me aq mjeshtëri, të denigrojë njerëzit.
Momenti më i vështirë në burg?
Me hekurat e burgut isha ambientuar që në kohën e Enverit, kur daja im, vuante dënimin në Spaç megjithatë kur shihja familjen time, nënën, gruan dy djemtë që më vinin aty më takonin, ndjehesha shumë keq. Djali i madh ndodhej në Angli për studime dhe sa herë kishte pushim vinte, ndërsa dy muajt e parë, me një telefon pa leje që kisha, mundohesha ta qetësoja Ronin. Ai ishte shumë i vogël e kishte dëgjuar aq shumë gjëra për mua, plus edhe burgimin dhe psikologjikisht ishte i dërrmuar. Ndërkohë që ime shoqe s’mund ti shkonte dot pasi i vinte dita të më sillte ushqimin mua. Kështu flisja me të vazhdimisht, i jepja kurajo të vazhdonte , sepse nuk doja të hiqte dorë nga shkolla, pavarësisht që burgosja ime e vrau shumë, por shyqyr e kaloi atë periudhë.
Po vetë në burg, me lloj-lloj njerëzish, si e përballove, kishe probleme?
Dy muajt e parë ishin shumë të vështira. Ditën e parë mbaj mend se mora qetësues për të fjetur, e një djalë nga Kombinati që ishte në të djathtë të qelisë sime më dha një batanije e çarçaf për ta shtruar. Vetëm kur u çova të nesërmen e kuptova realisht atë që kishte ndodhur. Dera ishte e mbyllur e policë kuriozë kalonin para saj, për tu njohur me mua, Nar Kokën, njeriun aq të përfolur në media. I kërkova gardianit më pas të shkoja për të kryer nevojat personale, por ai me ton të egër më tha; Prit se ka radhë.
E kujtoni në çfarë qelie ishit?
Mua sapo më arrestuan më çuan në burgun 313 dhe si për koeçidencë më futën po në atë qeli ku kishte Fatos Nano. Biruca numër 5, sektori i parë, kati i dytë. E këtë ma tha shefi i izolimit i cili erdhi nga ora 9.30 e mbrëmjes e më tha; Këtu ka qenë edhe ai shoku jot.
Po me të burgosurit e tjerë?
Unë jam tip që ambientohem me të gjithë natyrat, jam i thjeshtë, megjithatë në burg hasje lloj-lloj njerëzish. Po ju kujtoj një histori burgu. Përballë meje ishte dhoma numër 10. Djemtë aty ishin dënuar në kohën e Fatos Nanos, kështu që mua, mikun e tij nuk më kishin shumë për zemër. S’dua ti përmend emrat e atyre djemve sepse një pjesë vuan ende dënimin e pas disa ditësh nga futja ime në burg ne u bëmë miq e, me ta kam kaluar një pjesë të jetës sime. Burgu kishte bërë të vetën, i kishte ashpërsuar, e kishin menduar edhe të më godisnin. Një mbrëmje i kërkova policit të dilja pak nga dhoma. Ai më mirëkuptoi e më tregoi një vend ku nuk më kapte kamera. Unë s’ia kisha fare idenë që në burg përdorej stili që sapo dilte dikush, të burgosurit e tjerë të ruanin me pasqyra të cilat i nxirrnin jashtë kangjellave dhe kishin nën mbikëqyrje korridorin. Po rrija mbështetur në mur duke hedhur zara kot në një tavëll. Mu afrua Bledi, një pastrues i qelive, që ishte futur në burg për vjedhje. Po hante një rriskë bukë me sallam. Unë ditët e para s’kisha ushqime sepse s’mi kishin lejuar, kështu që i thash atij të më jepte pak. Të nesërmen ky i dhomës 10 më tha; Do vish te dhoma jonë të pimë një kafe. Sigurisht që shkova e ato nisën bisedën duke më thënë; Kur erdhe në fillim të pamë pak me inat e me kuriozitet, me të njoft kush ishe, por kur dje u ule me Bledin e more nga buka e tij, menduam që je njeri i thjeshtë.
Sa ndenje te 313?
Ndenja dy muaj aty e më pas më transferuan te 302, që kishte një strukturë komplet tjetër, një burg i tmerrshëm. Me ndryshimin e qeverisë, ndryshuan edhe gardianët të cilët reflektonin një lloj urrejtje dhe mua më shihnin si njeriu që i kisha mbajtur në opozitë.
Patët ndonjë histori pikante te 302?
Në mes dhjetori 2005 te burgu 302 u bë një grevë urie për përmirësimin e kushteve. Unë nuk u përziva madje atë ditë isha me avokatin tim, Fatmir Braka. Në darkë më pas ndodhi një ngjarje skandaloze kur policë të veshur me maska morën nja 10 vetë dhe i rrihnin pa pushim. Në atë kohë ka qenë njëri drejtues, Saimir Shehri, që mund të them se është qenia më çnjerëzore në këtë botë. Më kujtohet një djalë, Elidon Hima quhej. E kishin rrahur aq shumë sa kishte disa të cara në kokë që i rridhnin vetëm gjak. Në qelitë përreth në fakt, shihje vetëm gjak. Mua më kishin thënë këto çunat e burgut që kur të vijnë policët për reprezalje, që nënkuptonin drurin, vishu trashë. E unë sa filloi batërdia vesha rroba që mos i ndjeja shkopat e gomës. Por mua nuk më prekën. Shefi i Izolimit i vuri shpatullat derës sime dhe i tha; këtu s’ka për të hyrë njeri.
Ju kanë rrahur ndonjëherë në burg?
Për hir të së vërtetës nuk më ka prekur askush me dorë. Por gjithsesi skena që pashë atë ditë ishte e tmerrshme. Pas kësaj ngjarje mua më çuan në Vaqar bashkë me këtë djalin që rrahën keq, Elidonin, një djalë nga Kavaja dhe Ilirjan Didën, një njeri shumë i mirë që u përfshi kot në një histori të sajuar. Fillova të ngrija zërin e i kërkoja policëve ta çonin Elidonin te mjeku, e pas shumë kërkesash më në fund e morën, por s’i gjetën zgjidhje, pasi të çarat në kokë, nëse nuk mjekoheshin në moment, s’qepeshin dot më. Ndaj atë e lanë ashtu për ditë me radhë, me kokën e çarë që i rridhte vazhdimisht. Ndenja rreth 10 ditë në Vaqar, për të më kthyer sërish te 302 dhe në fund të dënimit më futën një muaj në kaush.
Po politikanët që deri dje ju kishin miq, ju erdhën në Burg?
Me thënë të drejtën më kanë ardhur një pjesë e tyre, Andis Harasani, Ben Ahmetaj, Andi Bejtja, Spartak Braho, Aziz Gaçi, Gaz Bizhga po, edhe ndonjë tjetër që për momentin s’më vjen ndër mend.
E mendoje që do të dilje pas dy vjetësh?
Unë isha i bindur që do të dilja sepse nuk kisha bërë gjë. Edhe nëpër seanca, gjyqtarë e prokurorë ishin të sforcuar. Ata më njohën. Për ta nuk isha më Nardi i gazetave, por tjetër njeri. Por ata sigurisht që ndjeheshin në mes të zjarrit pasi duhet të justifikonin dhe qëllimin e kapjes time. E kështu u veprua. Ata më dënuan me 3 vjet burg të cilat unë i kisha bërë me paraburgimin tim, 1 ditë e secilës llogaritet sa 1.5 ditë. Edhe familjes e cila pretendonte se unë do dilja shpejt si i pafajshëm i kisha thënë që pa dy vjet s’del kjo histori. Këtë ia tregova dhe gazetarëve kur isha në gjyq. Ngrita dy gishta për të treguar se aq do të ishte minimumi i dënimit tim, por ajo u përkthye nga të gjithë si simboli i demokracisë, në mënyrë ironike sigurisht.
Pas daljes nga burgu a ishte i vështirë rehabilitimi?
Dy-tre muajt e parë ishin shumë të vështirë megjithatë u kaluan. Dua të them që në burg shpirtërisht isha shumë keq, ndërsa nga pikëpamjet e tjera s’më mungonte gjë dhe u ambientova me atë lloj jete. Takimet i kisha të shpeshta, s’më mungonin njerëzit. Isha krenar që në burg më vinte im vëlla që në atë kohë ishte kryetar bashkie, por vritesha shumë shpirtërisht kur shihja që kryetari i Bashkisë numër 2 të Shqipërisë, Durrësit, hynte në burg, dhe një gardian që s’po ia përmend emrin, e kontrollonte atë në mënyrë më të ashpër se sa një njeri normal. Megjithatë Lefteri reagonte me shumë qetësi, kurrë nuk u mërzit, sepse gjithmonë ai karakterizohej si një njeri tejet i qetë.
Momenti më i vështirë në atë kohë?
Ah momenti më i vështirë…. (i mbushen sytë me lot) dhe gjithë jetën do më mbetet pishman, është kur i kërkova tim vëllai të mos kandidonte më për kryetar bashkie.
Pse e bëre?
Më sollën llafe që nëse Lefteri do të kandidonte sërish, mua do më dënonin shumë vjet.
Të premtoi që s’do të kandidonte?
Jo. Dëgjoi me qetësi argumentin tim dhe heshti. Pas dy ditësh e pashë në televizor në një emision ku deklaroi se nuk do të kandidonte më. Ai e bëri të gjithë këtë për mua, sepse unë isha i bindur që Lefteri kishte punuar fort për Durrësin dhe kishte shumë për të bërë edhe në vijim. Madje them se ai edhe si i pavarur të kandidonte do të fitonte megjithatë i hapi rrugën Vangjush Dakos, që unë u gëzova kur fitoi.
Pas daljes nga burgu u takove me politikanë?
Me thënë të drejtën i shkëputa fare marrëdhëniet.
Pse?
Sepse burgu im ishte politik dhe unë u akuzova dhe u gjykova vetëm pse përkrahja partinë socialiste, ndaj u tërhoqa.
Kur rinisët kontaktet me politikën?
Në vitin 2009, para zgjedhjeve doja ti laja borxhin vëllait tim, që ishte i vetmi që e pësoi politikisht dënimin tim, i vetmi që iu ndërpre përpjekja për ti vendosur këtij vendi, një tullë ringritjeje, ndaj i kërkova një takim Edi Ramës. E njihja atë që në kohën kur Fatos Nano ishte kryeministër. Nuk kisha miqësi të madhe me të por marrëdhënie korrekte. Ai më priti. E pyeta nëse kishte ndër mend të vinte si kandidat të PS-së Lefterin ose burrin e motrës, Agronin, por ai më shpjegoi se nuk mundej duke më sqaruar se nëse do e bënte një hap të tillë, fushata e Sali Berishës do të ishte sërish e fokusuar te klani i Zemunit. Kur u ndamë i thashë se bashkë do ishim miq, por unë një rrugë për t’ia hequr pengun vetes, do e gjeja.