Policia ka dhene detaje të reja për eksplozivin e vendosur në 1 prill në makinën e drejtoreshës së Urbanistikës në Bashkine e Pogradecit.
Sipas bluve, po hetohet pista për shkak të detyrës dhe dyshohet se ngjarja ka lidhje me dhënien lejet e ndërtimit pranë liqenit të qytetit.
“Po verifikojmë telefonat e bashkëshortëve Niko”, thane burimet.
NGJARJA
Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur ne daten 1 prill në Pogradec, duke terrorizuar banorët.
Ngjarja ndodhi rreth orës 03:45, në lagjen nr.2 të qytetit, ku është djegur automjeti veturë tip “Citroen”, me targa PG 6433 B, në pronësi të Piro Nikos, 32 vjeç, banues në këtë lagje. Si pasojë e shpërthimit të fuqishëm janë thyer edhe xhamat e disa pallateve në afërsi të vendit ku ishte lënë i parkuar mjeti.
Mësohet se 32-vjeçari është bashkëshorti i drejtoreshës së Urbanistikës në Bashkinë e Pogradecit. Gjithçka ka ndodhur teksa mjeti ka qenë i parkuar, ndërsa dyshohet se është djegur si pasojë e shpërthimit të një sasie tritoli. Nga dyshimet e para të policisë mendohet se ka qenë një sasi e konsiderueshme lënde eksplozive vendosur në pjesën e përparme të makinës, te kofano.
Burime të Policisë thanë se shpërthimi është bërë në mënyrë artizanale, nëpërmjet një fitili ndezës.
Dyshohet se në këtë ngjarje të ketë më shumë se një person të përfshirë. “Piro Niko është me profesion inxhinier ndërtimi në një subjekt privat, ndërsa bashkëshortja e tij, Besmira, është drejtoreshë e Urbanistikës në Bashkinë e Pogradecit”, bënë të ditur burime nga grupi hetimor.
Shpërthimi ka shkaktuar dëme edhe në ndërtesat përreth duke thyer xhamat e disa prej banesave. “Shpërthimi ndodhi rreth orës 03:30. Ishte një shpërthim i fuqishëm dhe ne u tmerruam. Edhe ne në banesë na janë thyer xhamat dhe dyert!”, tregon një nga fqinjët.
Burime të Policisë bënë të ditur se çifti i bashkëshortëve është marrë në pyetje, por nga deklarimet e tyre ata kanë mohuar të kenë konflikte me persona të tjerë, çka ka bërë që policia të përqendrojë pistën e hetimeve te konflikte të mundshme për shkak të detyrës.
a.ç