Pavarësisht se SHBA dhe BE janë shprehur hapur se nuk do të ketë shtyrje të zgjedhjeve të 18 qershorit dhe se PD duhet të kthehet në kuvend e ti jap fund bojkotit, kryetari i PD Lulzim Basha qartazi po kërkon shtyrjen e zgjedhjeve, duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike me mandat qeverisës prej 100 ditësh. Basha në këtë mënyrë po flet në kundrarrjedhë me ndërkombëtarët. Ai po kërkon shtyrjen e zgjedhjeve të 18 qershorit me 3 muaj, duke zhvlerësuar në këtë mënyrë apelin e ndërkombëtarëve që të mos ketë asnjë shtyrje zgjedhjesh, të cilat përcaktohen në Kushtetutë. Basha deklaron se gjatë këtyre 100 ditëve kjo qeveria teknike që ai ka në mend, do të pastrojë Shqipërinë nga krimi dhe do kthejë vendin në normalitet, para se të mbahen zgjedhjet për parlamentin e ri shqiptar. Sipas tij më 18 qershor të 2017-ës Shqipëria nuk do të ketë zgjedhje parlamentare.
“Bota e krimit është e vetmja shpresë për Edi Ramën, që t’i shpëtojë gjykimit të zgjedhjeve. Rama po përpiqet të mbrojë me çdo kusht shtetin e krimit, që ka ngritur dhe me të cilin ka qeverisur gjatë këtyre katër viteve. Duhet qeveri teknike me kohë të mjaftueshme për të kryer detyrat e saj. 100 ditë në dispozicion për të çmontuar aparatin mafioz dhe narkotrafikantë që mban Edi Ramën në pushtet”, tha Basha.
Ashtu si dhe në fjalimet e tjera edhe në këtë fjalim të rradhës nuk kanë munguar kërcënimet ndaj kryeministrit se nëse nuk do të ketë qeveri teknike do të ketë fund si të gjithë diktatorët.
“I bëj thirrje t’i vë gishtin kokës dhe ta kuptojë se këto kushte janë rrugëzgjidhja për Shqipërinë Evropiane, por janë edhe shansi i tij i fundit për të mos përfunduar si diktatorët e marrë. Thirri mendjes sa nuk është vonë. Beteja jonë ka nisur dhe do të përfundojë vetëm me fitore”, u shpreh kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. /javanews.al