Shqipëria do të ketë përfitime shumë të mëdha nga gazsjellësi TransAdriatik, të paktën për një periudhë 50vjeçare. Në këtë përfundim del raporti i universitetit të Oksfordit për impaktin që do të ketë në ekonominë tonë funksionimi i kësaj vepre.
Periudha 50 vjeçare është marrë në analizë pasi kaq pritet të jetë edhe jetëgjatësia e këtij gazsjellësit pa ndërhyrje dhe investime të tjera shtesë. Gjatë operimit të gazsjellësit, duke filluar nga viti 2019, përfitimet direkte në Prodhimin e Brendshëm Bruto përllogariten në 7.6 milionë euro në vit dhe hapja e rreth 200 vendeve të punës. Ndërsa përsa i përket impaktit indirekt, ndikimi në Prodhimin e Brendshëm Bruto vlerësohet në 2.1 milionë euro të tjera në vit dhe në hapjen e 260 vendeve të punës.
Gjatë gjithë periudhës së funksionimit të tij, gazsjellësi do të kontribuojë minimalisht një vlerë shtesë prej 743 milion euro në prodhimin e brendshëm të Shqipërisë. Ndërkohë, që vetëm në fazën e ndërtimit të rrugëve të aksesit ndaj kësaj vepre është parashikuar një fond prej 60 milionë euro me impakt të madh në zhvillimin rural të vendit.
Gazsjellësi TransAdriatik do të transportojë gazin nga fushat e Shah Deniz II në detin Kaspik drejt Italisë. Vepra është parashikuar me një kapacitet fillestar prej 10 miliardë metër kub gaz dhe me mundësi dyfishimi të kësaj vlere.