Policia e Tiranës njoftoi sot për një grabitje të mbetur në tentativë të një pike grumbullimi te hekurit ndërsa mësohen detaje të reja rreth kësaj ngjarje në zonën e Vaqarrit në Tiranë.
Ka qenë roja ai që i ka pikasur tre grabitësit me maska, të cilin më pas e lidhën dhe thyer dyert e zyrave për të kontrolluar për sasinë e lekëve që mund të ndodheshin në këto ambiente. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04:00 të mëngjesit të sotëm, ndërsa pronarët e thirrur në komisariatin nr. 6, nuk kanë sqaruar se sa ishte sasia e parave që kishin në subjekt dhe a kanë vjedhur apo jo personat e maskuar brenda zyrave.
Nga këqyrja e kamerave 3 autorët janë larguar me një mjet “Benz” në ngjyrë gri me portobagazh, ndërsa policia po punon për identifikimin e tyre. Mësohet se në polici është thirrur edhe roja, i cili ka deklaruar se nuk është dhunuar kur e kanë lidhur. Sipas tij, mësohet se autorët i kanë thënë te mos reagoje pasi nuk kanë asgjë me të.
Në deklaratën e shpërndarë për mediat policia thotë se personat nuk kanë arritur të grabisin gjë, pasi janë trembur nga roja. “Më datë 01.04.2017, rreth orës 03:25, në një pikë për grumbullimin e hekurit në Vaqarr, pronësi të shtetasit J. C., kanë hyrë tre shtetas, të cilët sapo janë diktuar nga roja e pikës janë larguar menjëherë pa arritur të marrin gjë. Grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorëve”.