Kur Ushtria e Kuqe pushtoi Poloninë në Luftën e Dytë Botërore, ai ishte fëmijë. Familja e tij kish arritur që të shkonte në Rusi dhe mezi i shpëtoi holokaustit. Pas lufte, ata u kthyen në Poloni. Në 1949, prindërit e Viktorit dhe motra më e vogël e tij emigruan në Izrael. Por ai, një komunist i vendosur dhe i flaktë, qëndroi aty; admirues i Stalinit, ai ëndërronte që të krijonte një parajsë të punëtorëve.
Por as shokët dhe kolegët e tij, bile as e dashura e zemrës, nuk e dinin se në zemrën e komunistit të ri kish filluar të krijohej një zhgënjim. Në 1955 ai vizitoi familjen e tij në Izrael dhe pa një botë tjetër – një komb hebre demokratik, të lirë e të përparuar, një të ashtuquajtur ëndërr, krejtësisht ndryshe nga sa ia kishte paraqitur propaganda komuniste.
I kthyer në Poloni, 32 vjeçari Viktor filloi që të mendojë për emigrimin në Izrael. Atë mëngjes të fillimit të prillit 1956, si zakonisht, Viktori shkoi që të takojë të dashurën e tij në zyrën e Sekretarit të Përgjithshëm. Në një cep të tavolinës së punës të saj, ai pa një broshurë me kapak të kuq, të numeruar dhe që mbante logon Top Sekret.
“Çfarë është kjo?”, e pyeti atë.
“Oh, ky është fjalimi i Hrushovit”, ju përgjigj me indiferencë ajo.
Viktori ngriu. Ai kishte dëgjuar për fjalimin e Hrushovit, por nuk kishte takuar asnjë njeri që të kish dëgjuar apo lexuar një fjali të vetme nga ai. Ishte një prej sekreteve më të mirëruajtura të bllokut komunist.
Viktori e dinte se Nikita Hrushovi, Sekretari i Përgjithshëm i plotfuqishëm i Partisë Komuniste Sovjetike, e kishte mbajtur fjalimin në Kongresin e XX-të të partisë që ishte zhvilluar në shkurt në Kremlin. Me 25 shkurt, pak përpara mesnate, të gjithë të ftuarve të krerëve të partive komuniste të huaja u qe kërkuar që ta linin sallën. Në mesnatë, Hrushovi doli në podium dhe foli përpara 1400 delegatëve sovjetikë. Fjalimi i tij u tha se ishte një surprizë dhe një goditje e tmerrshme për cilindo të pranishëm.
Por çfarë kishte thënë? Sipas një gazetari amerikan që transmetoi raportimin e parë në Perëndim, fjalimi kishte zgjatur për 4 orë me radhë dhe Hrushovi kishte përshkruar në mënyrë të detajuar krimet e tmerrshme të njeriut të adhuruar nga miliona komuniste anembanë botes, Stalinit.
Hrushovi, vazhdonte thashethemnaja, kishte akuzuar Stalinin per masakrimin e miliona njerëzve. Disa thonin se teksa dëgjonin fjalimin shumë delegatë shkulën flokët prej dëshpërimit; disave ju pati rënë të fikët ose patën pësuar infarkte në zemër; të paktën dy patën kryer vetëvrasje pas asaj nate.
Por asnjë fjalë rreth zbulimeve të Hrushovit nuk qe botuar nga mediat sovjetike. Teksti i plotë i fjalimit ruhej sikur të ishte sekret shtetëror. Gazetarët e huaj i kishin thënë Viktorit se shërbimet sekrete perëndimore po bënin një përpjekje të gjithanshme për ta siguruar tekstin. Bile CIA kishte ofruar një shpërblim prej 1 milion dollarësh.
Vlerësohej se botimi i tekstit, në kulmin e Luftës së Ftohtë midis bllokut perëndimor dhe atij sovjetik mund të gjeneronte një tërmet politik dhe një krizë të paprecedent. Qindra milionë komunistë, brenda dhe jashtë Rusisë, e adhuronin verbërisht Stalinin. Ekspozimi i krimeve të tij mund ta trondiste besimin e tyre dhe bile ndoshta mund të shkaktonte kolapsin e Bashkimit Sovjetik.
Të gjitha përpjekjet për ta futur në dorë fjalimin dështuan. Ai mbetej enigmë. Hrushovi pati vendosur që t’u dërgonte disa kopje të numeruara liderëve të partive komuniste në Europën Lindore, që ishte mënyra se si broshura, me kapakë të kuq, kishte arritur në tavolinën e Luçias.
Kur e pikasi, Viktor Grajevski pati një ide të çmendur. E pyeti Luçian që t’ia huazonte vetëm për disa orë, në mënyrë që të mund ta lexonte në shtëpi, pa gjithë zallamahinë e zyrës. Për habinë e tij, ajo pranoi. Qe e lumtur që ta kënaqte… “Mund ta marrësh”, i tha ajo, “por duhet të ma sjellësh para orës 4 pasdite, pasi më duhet ta fus në kasafortë”.
Në shtëpi, Viktori e lexoi me një frymë Çalimin. Ai ishte vërtet i mahnitshëm. Në mënyrë kurajoze dhe të pamëshirshme, Hrushovi e pati copëtuar mitin e Josif Visarionoviç Stalinit. Hrushovi kishte zbuluar se gjatë viteve të tij në pushtet Stalini kishte kryer krime të përbindshme dhe kish urdhëruar vrasjen e milionave njerëzve.
Hrushovi dënonte kultin e personalitetit të njeriut që ishte përshëndetur si “Dielli i Kombeve”. Ai tregonte zhvendosjen e detyruar e grupeve të tëra etnike në Bashkimin Sovjetik, që kishte çuar në vdekje të panumërta; për “spastrimet e mëdha” (1936 – 1937), kur 1.5 milion komunistë qenë arrestuar dhe 680.000 prej tyre qenë ekzekutuar.
Prej 1996 delegatëve të Kongresit të XVII-të të Partisë, me urdhër të Stalinit qenë ekzekutuar 848 prej tyre, ashtu si dhe 98 prej 138 kandidatëve të Komitetit Qendror. Hrushovi fliste gjithashtu për Komplotin e Doktorëve, akuzat e fabrikuara kundër disa doktorëve hebrenj që thuhej se kishin konspiruar për të vrarë Stalinin dhe liderë të tjerë sovjetikë.
Fjalët e Hrushovit e nxirrnin Stalini si një vrasës masiv, që kish masakruar miliona rusë dhe të kombësive të tjera, shumë prej të cilëve komunistë besnikë. Në 4 orë, Mesia ishte tranformuar në një Përbindësh.
Fjalimi i Hrushovit i daraviti iluzionet e fundit të Viktorit rreth komunizmit dhe ai e kuptoi se kishte në duar një bombë që mund ta trondiste nga themelet kampin sovjetik. Vendosi që t’ia kthejë broshurën e kuqe Luçias, por gjatë rrugës u mendua e u mendua dhe këmbët e çuan tjetërkund: në ambasadën izraeliane. Pak minuta më pas gjendej në zyrën e Jaakov Barmorit, zyrtarisht Sekretar i Parë i ambasadës, por në realitet përfaqësues i Shabakut në Poloni.
Grajevski i dorëzoi broshurën e kuqe. Izraeliani e lexoi me kujdes dhe fytyra ju zbardh. “A mund të prisni pak minuta?”, i tha ai, duke u larguar nga dhoma me gjithë atë. U kthye pas 1 ore. Grajevski kuptoi se Barmori e kishte fotokopjuar, por nuk pyeti. E mori, e fshehu nën pardesy dhe u largua. E arriti në kohën zyrën e Luçias dhe ajo e futi në kasafortë. Askush nuk e bezdisi apo e pyeti rreth vizitës së tij të papritur në ambasadën izraeliane.
Të premten, me 13 prill 1956, herët pasdite, Zelig Kac hyri në zyrën e Amos Manorit, Drejtorit të Shabakut. Kac ishte asistenti personal i Manorit. Manori i bëri Kacit pyetjen rutinë të së premtes: “Ndonjë material nga Europa Lindore?” E premtja ishte dita kur posta diplomatike sillte raporte nga agjentët e Shabakut përtej Perdes së Hekurt.
Me indiferencë Zeligu i pëshpëriti se pak minuta më parë kishte marrë nga Varshava “njëfarë fjalimi të Hrushovit në Kongres…”.
Manori kërceu nga karrigia. “Çfarë?”, ulëriu ai. “Sille menjëherë!”.
Manori, një burrë i ri i gjatë dhe i pashëm, kishte emigruar në Izrael vetëm pak vite më parë. I lindur Artur Mendeloviç në Rumani, në një familje të pasur, ai u dërgua në Aushvic, ku e gjithë familja e tij – prindër, mitër dhe dy vëllezër – qenë vrarë. Ai mbijetoi, duke peshuar pothuajse 45 kilogram kur u çlirua kampi. Ai ia doli që të arratisej me një pashaportë të falsifikuar çeke me emrin Oto Stanek. Miqtë e tij e quanin “njeriu më 1000 emra”; në Izrael ai u bë Amos Manor.
Ai u ngjit shpejt në hierarkinë e shërbimeve sekrete. Iseri ishte i magjepsur prej tij. Manori ishte e kundërta e tij. Iseri i vogël, Manori i madh; Iseri i ashpër dhe i vrazhdë, Amosi tërheqës dhe i sjellshëm; Iseri nuk merrej me asnjë sport, ndërsa Manori ishte notar dhe luante futboll, tenis, volejboll; Iseri fliste rusisht dhe jidisht, Manori fliste 7 gjuhë; Iseri ishte anëtar i devotshëm i Partisë Laburiste, Amosi nuk e çante kokën për politikë; Iseri vishej thjesht, Amosi ishte i modës, dukej si europian.
Atë të premte me shi, Manori u lëshua në një grumbull dokumentash të fotokopjuara. Nuk kishte probleme për t’i lexuar: njëra nga 7 gjuhët që dinte ishte rusishtja. Duke lexuar faqet, ai kuptoi rëndësinë e madhe e fjalimit të Hrushovit.
Ai mori makinën dhe nxitoi drejt shtëpisë së Ben Gurionit. “Duhet ta lexosh këtë!”, i tha ai Kryeministrit. Ben Gurioni, i cili gjithashtu e dinte rusishten, e lexoi fjalimin. Mëngjesin tjetër, një e shtunë, ai e thirri me urgjencë Manorin. “Ky është një dokument historik”, tha ai.
Manori i nisi me korrier special një kopje të fjalimit Izi Dorotit, përfaqësuesi i Mossadit në Shtetet e Bashkuara, i cili vrapoi drejt Lenglit dhe ia dorëzoi Engëlltonit. Me 17 prill, Engëlltoni ia solli Alen Dallesit dhe po atë ditë ai ndodhej në tavolinën e Presidentit Ajzenhauer.
Ekspertët e inteligjencës amerikane mbetën pa gojë. Shërbimet e vogla të spiunazhit izraelian patën siguruar atë çka shërbimet gjigante e sofistikuara të Shteteve të Bashkuara, Britanisë dhe Francës nuk patën mundur ta siguronin. Skeptik, stafi i lartë i CIA-s e shqyrtoi dokumentin me ekspertë, të cilët unanimisht konkluduan se ishte i vërtetë. Bazuar në këtë, CIA ia filtroi atë New York Times, i cili e botoi në kopertinë me 5 qershor 1956. Botimi i tij shkaktoi një tërmet të madh në botën komuniste dhe i shtyu miliona komunistë që t’ia kthenin shpinën Bashkimit Sovjetik.
Në Varshavë askush nuk e dyshoi Viktor Grajevskin se kish kontrabanduar fjalimin e Hrushovit në Shtetet e Bashkuara. Në janar Viktori emigroi në Izrael. Amos Manori mirënjohës e ndihmoi që të gjente një punë në Departamentin Europianolindor të Ministrisë së Punëve të Jashtme. Pak kohë më vonë, ai u punësua gjithashtu si redaktor dhe raportues në seksionin polak të Kol Israel, rrjetit radiofonik shtetëror.
Shpejt, një agjent i KGB-së u shfaq “rastësisht” në krah të Grajevskit në një rrugë të Tel Avivit. Ai bisedoi me Grajevskin dhe i kujtoi të kaluarën e tij në Poloni si antinazist dhe komunist. Më pas i bëri një ofertë: të bëhej agjent i KGB-së në Izrael. Grajevski premtoi se do të mendohej dhe direkt vrapo në selinë e Mossadit.
“Çfarë duhet të bëj?”, pyeti ai. Njerëzit e Mossadit u kënaqën. “Mrekulli”, i thanë ata. “Vazhdo dhe prano!”. Ata do ta kthenin Grajevskin në një agjent të dyfishtë që do t’i ushqente rusët me informacion fals. Filloi kështu një karrierë e re dhe e gjatë për Viktorin. Për shumë vite me radhë ai i furnizoi rusët me informacion të përgatitur dhe të sajuar nga Mossadi.
Gjatë 14 viteve që Grajevski kaloi si agjent i dyfishtë, asnjëherë sovjetikët nuk dyshuan se ai ishte një njeri që po i përdorte. Ata e komplimentonin gjithnjë për materialet e shkëlqyera që jepte; në selinë qëndrore të KGB-së në Moskë, thashethemnaja nxirrte që Bashkimi Sovjetik kishte një agjent të futur thellë në qarqet qeveritare izraeliane. Madje qeveria sovjetike vendosi t’i jepte nderimin më të madh, Medaljen Lenin!
Në vitin 1971 ai u tërhoq nga aktiviteti i spiunazhit, por nuk ishte harruar. Në vitin 2007 ai u ftua në selinë qëndrore të Shabakut, kur u prit nga një grup i përzgjedhur që përfshinte drejtorët aktualë dhe të kaluar të Shabakut dhe Mossadit, ashtu si dhe shumë miq, kolegë dhe të afërm të tij. Juval Dishkin, Drejtori i atëhershëm Shabakut, e prezantoi atë me një medalje prestigjioze për shërbimin e shquar të tij.
Grajevski u bë agjenti sekret i vetëm që dekorohej dy herë: nga vendi i tij, të cilit i kish shërbyer me përkushtim gjatë gjithë jetës, dhe nga armiku i vendit, të cilin ai e kishte keqinformuar dhe mashtruar, pavarësisht rreziqeve.
Një gazetar e quajti “njeriu që filloi fundin e Perandorisë Sovjetike”, por Grajevski nuk ndjehej në këtë mënyrë. “Unë nuk jam hero dhe nuk kam bërë histori”, tha ai. “Njeriu që bëri histori qe Hrushovi. Kam bërë histori vetëm për disa orë dhe më pas rrugët tona u ndanë”.
Ai vdiq në moshën 81 vjeçare dhe ndokund në Kremlin, në një kuti të vogël të mbështjellë me kadife të kuqe, medalja e tij, me profilin e Vladimir Iliç Leninit të gdhendur në të, ndoshta pret akoma për të. Armin Tirana – bota.al
ma.me