Epidemia e ikjes masive për të kërkuar azil, kryesisht në Gjermani, ka prekur edhe qarkun e Dibrës. Vetëm nga rrethi i Matit numërohen rreth 7 mijë persona që të jenë larguar drejt Gjermanisë, ndërkohë që në këtë rreth, që prej fillimit të vitit 9 mijë persona kanë aplikuar për pasaporta biometrike.
Sesa e ndjeshme është kjo epidemi, kjo duket në zyrat e aplikimit për pasaporta në qytetin e Peshkopisë, ku ndryshe nga disa muaj më parë ka 200 deri në 250 raste aplikime financiare edhe me procedurë të përshpejtuar.
Qytetarët qëndrojnë në radhë para zyrës edhe gjatë natës dhe gjatë orëve të nxehta të ditës. Rruga që banorët e Dibrës ndjekin për të ikur është nëpërmjet agjencive në Dibrën e Madhe në Maqedoni.
Pak ditë më parëm dy autobusë me të rinj nga rrethi i Matit u kthyen mbrapsht në Prishtinë, ndërkohë që banorët e Bulqizës, Burrelit, Peshkopisë, Maqellarës, Klosit dhe komunave si Gjorica, Martaneshi apo Lura ikin më parë në Maqedoni. Vetë drejtuesit e agjencive atje thonë se kanë një fluks të shtuar udhëtarësh.
“Kohët e fundit vihet re një fluks më i madh pasagjerësh që vijnë në mënyrë direkte apo indirekte, duke shfrytëzuar çmimet shumë të ulëta dhe lëvizjen e lirë të pasagjerëve në shtetet e Evropës, apo të Shengenit”, thotë Evzi Skara, operator turistik në Dibër të Madhe.
Rrethi i Matit është prekur shumë nga ky fenomen. Vetëm nga qyteti i Burrelit mendohet se është një shifër prej 2 mijë personash që kërkojnë të ikin, shumica e të cilëve të rinj që kanë ikur apo përgatiten për të ikur.
“Punë s’ka, s’ke ku të vesh. Dua të shkoj në Gjermani, kam shpresë”, thotë një djalë i ri.
Edhe familje të tëra kanë lënë pas shtëpitë dhe me kursime të pakta apo me borxhe kanë marrë rrugën drejt kërkimit të azilit në Gjermani. Të moshuarit që kanë mbetur vetëm tregojnë se sa masiv është fenomeni.
“Nga halli, nga fukarallëku po ikin të tërë. Ne kemi mbetur në papunësi”, thotë një prej tyre.
“Të rinjtë nuk shohin të ardhme këtu, punë s’kanë, asgjë s’kanë. Po ndonjë lek do ta kenë, se s’ka mundësi”, thotë një tjetër.
Papunësia dhe mungesa e perspektivës përbëjnë shtratin ku shtrihen rrëfimet që sjellin të afërmit e azilkërkuesve të ikur. Ndërkohë që edhe operatorë të ndryshëm shfrytëzojnë këtë moment për të zhvatur paratë e fundit të tyre, mbase të marra borxh./Top Channe