Prokuroria shqiptare është e shqetësuar për rritjen e trafikimit të kanabisit shqiptar nga Porti dhe Gjiri i Durrësit.
“Ka një rritje të ndjeshme të procedimeve penale, po shumica e tyre janë pa autorë. Porti i Durrësit dhe Gjiri i Durrësit mbetet problematik për trafikimin edhe për autoritetet italiane të hetimit të krimit. Po ashtu, nga komunikimi me kolegët tanë në Krujë, rezulton se ajo zonë është shumë problematike në kultivimin”, thotë Agron Gjana, Prokuror i Rrethit Gjyqësor.
Kreu i organit të akuzës në qytetin bregdetar foli gjatë një takimi me drejtuesit e policisë mbi parandalimin e kultivimit dhe trafikimit të kanabisit. Uniformat blu shprehen optimiste për fitimin e kësaj lufte.
“Plani synon ndërgjegjësimin e komunitetit se pasurimi përmes krimit ka marrë fund njëherë e përgjithmonë dhe se kultivimi i bimëve narkotike nuk ka perspektivë në territorin e vendit tonë”, tha Altin Qato, drejtori i Përgjithshëm për Rendin dhe Sigurinë në Policinë e Shtetit.
Në 2016-n, në Durrës u asgjësuan mbi 287 mijë bimë narkotike, po vetëm për 9 përqind të kësaj sasie janë zbuluar autorët e dyshuar./top-channel