Fatbardh Jera merr guximin i pari ta thotë: De Biazit i ka mbaruar cikli. Në një deklaratë për “RTSH”-në, anëtari i Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së thotë se ai mund të largohet pas përfundimit të edicionit. Ndërkohë, sekretari i përgjithshëm Shulku bën me dije se Xhaka i ka dyert e hapura në Kombëtare, duke komentuar zgjedhjet që zakonisht i bën trajneri.
SHULKU
“Në ndeshje të tilla nuk është se ka pasur interesim të madh. Dënimi i tifogrupit ka ndikuar te të tjerët. Besoj se grupimet thjesht nuk kanë ardhur të organizuar. Nuk besoj se ka shumë lidhje me tifozëritë e tjera fakti që është dënuar. Xhaka? Ndoshta kjo është më shumë mediatike. Pakënaqësi e lojtarit, probleme që zgjidhen brenda familjes. Xhaka e ka vendin në ekip, është i mirëpritur, pavarësisht asaj që ka ndodhur. Nuk e di nëse është e vërtetë që Xhaka ka thënë se nuk vjen më.
Kontrata? Shpresojmë që mos ndodhë humbja në Izrael. Të marrim rezultat pozitiv, Izraeli nuk ka diferenca me ne, pavarësisht si mori loja në Elbasan. Të rikuperojmë ato pikë. Nëse kontrata do të ndërpritet me mirëkuptim, është diçka tjetër. Dënimi? Për të qenë realist, rrezikojmë shumë. Kemi pasur të tjera probleme, gjoba të majme vazhdimisht, që ndikojnë direkt në buxhet. Do të ketë besoj gjobë, por ndoshta edhe ndeshje pa tifozë”.
JERA
“De Biazi e ka kontratën deri në fund të edicionit. Megjithatë, ky mund të jetë edhe fundi i ciklit të tij. Natyrisht, ai mund të largohet pas përfundimit të edicionit. Xhaka? Më vjen keq që ndodhi ashtu. Duke pasur parasysh rolin e tij, por edhe kundër skuadrës që kishim përballë, mendoj se do të ishte një sfidë e bukur në mesfushë mes tij dhe Verratit”.