Për dy ish-drejtuesit e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, propozuar asokohe nga e djathta, zgjedhjet e 18 qershorit nuk mund të shtyhen, përkundrazi shkelet hapur Kushtetuta.
Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ-së, thotë: “Nuk ka asnjë mundësi, përveçse të shtyhet për një javë. Pra, të bëhet në javën e fundit të qershorit. Gjë që nuk ka sens”.
Për Çlirim Gjatën, kushti i opozitës për qeveri teknike lidhet me mundësitë reale për t’i shtyrë zgjedhjet përpos kësaj date: “Për shtyrjen e zgjedhjeve duhet qeveri teknike. Qeveria aktuale është qeveri normale, me mandat kushtetues, që i mbaron mandati më 18 qershor. Ajo rri në detyrë deri më 18 qershor, deri pas zgjedhjeve, por nuk mund të shtyjë zgjedhjet sepse shkel Kushtetutën”.
Dy ekspertët e cështjeve zgjedhore thonë se mundësia për të shtyrë zgjedhjet ekziston, duke ndërhyrë në Kodin Zgjedhor vetëm me kompromis të të gjitha palëve, pasi ky ndryshim kërkon 84 vota në Parlament.
“Mundësia do të jetë ndërhyrja në Kodin Zgjedhor. Të përcaktohet se çfarë e ku e si duhet të formohen periudhat zgjedhore. Nëqoftëse bien dakord, i ndryshojnë ato dhe i bëjnë zgjedhjet në një kohë tjetër”, shpjegon Kume.
Por, a mund të ketë sipas Kumes dhe Gjatës zgjedhje më 18 qershor pa opozitën?
“Në aspektin formal, zgjedhjet bëhen. Por, ne si shoqëri realizojmë zgjedhje për një arsye dhe nëse nuk merr pjesë opozita, zor se realizohet një proces zgjedhor”, ajo thotë Kume.
“Nëse nuk shkon opozita, nuk kemi zgjedhje, por votime. Do shkojmë si para viteve ’90. Njerëzit do shkojnë të votojnë vetëm për njërën palë. Politikisht nuk ka kredibilitet dhe integritet politik qeveria”, deklaron Gjata./tch