Futen të armatosur e të maskuar në banesën e biznesmenit, duke grabitur nga kasaforta 10 milionë lekë.
Ngjarja ndodhi dje, rreth orës 01:45, në fshatin Kamenicë. I zoti i shtëpisë, Nizami Bezati, po festonte në një nga lokalet e zonës fejesën e djalit, kur në banesën e tij kanë shkuar autorët dhe kanë marrë shumën e parave. Sipas të dhënave, Bezati kishte lënë dy shokë të djalit të tij që t’i ruanin banesën.
Por këta të fundit e kanë telefonuar pas mesnate se dy persona me armë e maska i kishin lidhur e dhunuar, dhe më pas kishin marrë paratë. Sipas dëshmisë së dhënë prej të rinjve, rreth orës 01:45, dy persona të maskuar, njëri prej të cilëve me armë zjarri dhe tjetri me levë, kanë hyrë në shtëpi dhe i kanë zënë ata në befasi.
Fillimisht, autorët i kanë goditur dhe më tej i kanë lidhur. Më pas, ata kanë shkuar në dhomën e gjumit ku ndodhej kasaforta dhe kanë arritur ta hapin duke marrë 10 milionë lekë të vjetër. Veç parave, autorët kanë marrë edhe disa dokumente dhe më pas janë larguar duke i lënë të lidhur dy të rinjtë, që i zoti i shtëpisë i kishte lënë t’i ruanin banesën.
Pasi janë përpjekur për disa minuta, ata kanë arritur të lirohen dhe i kanë telefonuar Bezatit. Pronari i banesës, Nizami Bezati, apelon për zbardhjen e ngjarjes së rëndë që i ndodhi pikërisht në ditën e këtij gëzimi familjar.
Ku ndodheshit në momentin që ndodhi ngjarja?
Isha në një lokal me familjen dhe të afërmit e mi. Kishim gëzim, sepse fejova djalin dhe ishim mbledhur së bashku për të festuar. Gjithç- ka po shkonte mirë, kur më morën në telefon dhe më lajmëruan për atë që kishte ndodhur. E lashë sebepin dhe vrapova për në shtëpi, po çfarë të shihja…
Kush ju lajmëroi për vjedhjen?
Kisha lënë dy shokët e djalit që të më ruanin shtëpinë. Djemtë e mi kanë një biznes duralumini dhe kemi edhe disa zejtorë që punojmë, ndaj jam përpjekur të tregohem i kujdesshëm. Vazhdimisht kemi dëgjuar për grabitje dhe doja ta shmangia këtë pjesë, por nuk e mendoja kurrë që diçka e tillë do të më ndodhte mua.
Kur erdhët në banesë, çfarë patë?
Djemtë më treguan se kishin ardhur dy persona me maska dhe armë, të cilët i kishin goditur dhe lidhur. Pashë se kishin hapur kasafortën dhe kishin marrë ç’kishin gjetur. Kisha rreth 10 milionë lekë të vjetra atje, që i kishim mbledhur nga puna me djersë. Përveç kësaj, kisha edhe disa dokumente, të cilat nuk e kuptoj për çfarë iu janë dashur që i kanë marrë.
A e denoncuat në polici?
Po, shkova dhe denoncova. Çfarë të them unë, nuk mund t’i vë gishtin askujt në momentin që nuk kam parë gjë me sytë e mi. Djemtë thanë se autorët duhej të ishin të një moshe të re, por gjithsesi unë nuk mund të bëj asnjë lloj akuze. Nuk më shqetëson humbja e lekëve sesa veprimi. Unë dua që të gjenden personat përgjegjës dhe të merren masa. Lekët, edhe nëse m’i kthejnë, nuk i fut më në shtëpi, do t’i çoj diku të bëj një vakëf apo diçka tjetër. Në ditë gëzimi më ndodhi kjo gjë dhe kjo është më e rëndë, është e frikshme që të mos kesh siguri as në shtëpinë tënde.