Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës gjatë qëndrimit të tij në Bruksel, takoi Ministrin e Punëve të Brendshme të Mbretërisë së Belgjikës, Jan Jambon.
Me homologun e tij belg, ministri Hyseni u pajtua që të punohet në hartimin e një marrëveshje të bashkëpunimit policor midis të dyja vendeve dhe u dakorduan që kjo të finalizohet shumë shpejtë me nënshkrimin e marrëveshjes.
Gjithashtu gjatë takimit u bisedua për një numër çështjesh me rëndësi siç janë liberalizimi i vizave, ekstremizimi i dhunshëm, krimi i organizuar, bashkëpunimi i shtuar policor midis Kosovës dhe Belgjikës, si për rëndësinë e anëtarësimit të Kosovës në Interpol.
Sa i përket çështjes së liberalizimit të vizave, Hyseni theksoi nevojën e domosdoshme që qytetarët kosovarë të mund të lëvizin lirshëm në vendet e Bashkimit Evropian duke qenë se Kosova është vendi i vetëm i rajonit që ka mbetur i izoluar.
“Derisa qytetarët e vendeve të largëta, sikurse Timori Lindor, lëvizin pa viza brenda shteteve të Schengenit, nuk ka kuptim që qytetarët e Kosovës të mos lëvizin”, theksoi ministri Hyseni.
Ministri Jambon shprehu mbështetjen e vazhdueshme të Belgjikës në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova e sidomos rëndësinë e bashkëpunimit për të luftuar krimin e organizuar në format e tij të shumta.
Hyseni do të ketë disa takime me përfaqësues të Parlamentit belg dhe organizatave të huaja./Kosovapress