Nuk ka veçse pak javë që në Greqi ka filluar proçesi i pajisjes së emigrantëve me leje qëndrimi biometrike. Emigrantët shqiptarë duken më të familjarizuar me këtë tip të ri të lejeve, të cilat janë të ngjashme me letërnjoftimet që ata kanë marrë në atdheun e tyre.
“Që nga 23 shkurti i këtij viti nuk dalin më lejet e tipit të vjetër, stikerat siç i quanim, dhe që ngjiteshin në një faqe të pasaportës. Tash e tutje të gjithë lejet e qëndrimit kanë trajtën e një karte krediti, që përmban të dhëna biometrike të dixhitalizuara: Shenjat e gishtrinjve dhe fotografinë e poseduesit, si dhe një mikroçip, i cili mund të lokalizojë në çdo moment se ku ndodhet leja” thotë Ilias Hronopoulos, drejtor i Drejtorisë së Shërbimit të shtetasve të huaj dhe emigrantëve, Athinë.
Në fakt, pajisja e emigrantëve me leje biometrike, është një detyrim komunitar, që Greqia duhej ta kishte përmbushur që në vitin 2011.
Ministri i Emigracionit, ka thënë se kjo po bëhet për të modernizuar sistemin dhe përshpejtuar proçedurat, si dhe për të luftuar rastet e falsifikimeve.
Ilias Hronopoulos: Ky është një sistem i avancuar sigurie për hapësirën Shengen, që duhej të ishte zbatuar shumë vite më parë. Është një udhëzim i Komisionit Europian që nga viti 2004, që u pasurua në 2008, u votua nga parlamenti në Greqi në 2011 dhe u realizua në 2017-n… Unë nuk jam në gjendje t’ju jap një përgjigje mbi arsyet e kësaj vonese. Por duket se administrata greke tregoi se nuk e kishte në prioritetet e veta.
Në momentin që paraqiten për të aplikuar për lejen biometrike, emigrantët duhet të sjellin me vete mandat pagesën e një shume prej 16 eurosh për çdo leje biometrike. Pastaj ata kalojnë në dhomën e marrjes së shenjave të gishtrinjve dhe të hedhjes së firmës.
Fatos Malaj, ndërmjetës kulturor në këtë Drejtori, thotë se nuk mungojnë edhe problemet.
Ilias Hronopoulos: Emigranti duhet të sjellë 4 fotografi me format pasaporte, me përmasa të caktuara, 4 x 6 cm, ku supozohet që fotografët e dinë shumë mirë se si duhet të jenë këto fotografi. Për shembull, sfondi duhet të jetë i bardhë, por nuk lejohet që të jetë edhe veshja e bardhë. Nuk mund të vështrosh lart, apo anash. Nëse mban syze, duhet që t’i heqësh. Pra, ka disa standarte të caktuara dhe njerëzit duhet të bëjnë kujdes e mos t’i hedhin kot paratë.
Me lejet e qëndrimit biometrike, do të pajisen gjithë emigrantët gjatë rinovimit apo marrjes së lejes fillestare.
Deri sa të vijë momenti i rinovimit, emigrantët do të mbajnë lejet ekzistuese, që janë të ngjitura në pasaportat e tyre.
Ilias Hronopoulos: Sigurisht, lejet që kanë dalë deri më tani nuk shfuqizohen. Vazhdojnë të kenë vlefshmëri, deri sa të skadojnë. Gjithashtu, lejet pa afat, sapo të ndërrohet pasaporta, apo në rast se humbet pasaporta, emigrantët mund të vijnë dhe të rimarrin lejen, tashmë në trajtën e re, biometrike. Të vetmit që lejohen ta ndryshojnë lejen para skadimit, janë ata që kanë leje të rezidentit afatgjatë, ose leje europiane, siç i themi, dhe që duan të udhëtojnë në zonën Shengen.
Sa u përket afateve, me proçedurën e re marrin fund një herë e mirë zvarritjet dhe telashet e mëparshme të emigrantëve, që mund të prisnin deri dhe me vite për të marrë në dorë lejen e qëndrimit në Greqi.
Sipas drejtorit të shërbimit të emigrantëve të Athinës, që nga momenti që vendimi futet në sistem, kalojnë maksimumi 5 ditë dhe leja biometrike e qëndrimit mbërrin në duart e emigrantit.
a.ç