Më shumë se 1200 armë dhe mbi 300 mijë municione janë mbledhur nga Policia e Shtetit deri më tani, falë dorëzimit vullnetar që po vijon në gjithë vendin.
Albert Dervishaj, shef i rendit në Policinë e Shtetit, thotë për top-channel: “Kur nisi procesi, kishte mjaft skeptikë, të cilët mendonin se do të grumbulloheshin shumë pak armë. Procesi nisi me dorëzimin e 4-5 armëve në ditë, ndërsa sot dorëzohen mbi 20 armë dhe mijëra municione në ditë”.
Por, ashtu si ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri edhe uniformat blu mbështesin shtyrjen e amnistisë deri në fund të vitit dhe jo deri më 30 prill, që është në fuqi aktualisht.
“Mendoj se shtyrja e periudhës do t’i shërbente procesit dhe do na jepte mundësi që me heqjen e armëve ilegale të rritet edhe siguria publike”, u shpreh Dervishaj.
Në ditët e fundit të detyrës, Saimir Tahiri tha se do t’i propozojë Parlamentit shtyrjen e amnistisë deri në muajin dhjetor, por ende nuk dihet nëse kanë nisur procedurat.
a.ç