Bojkoti i zgjedhjeve nuk është plan i LSI edhe nëse Partia Demokratike vendos të mos marrë pjesë në të.
Klajda Gjosha e konfirmon këtë në një intervistë për Report Tv, ku sqaron gjithashtu se LSI synon të arrihet ende një marrëveshje mes palëve për të shmangur këtë krizë ekstreme.
“LSI nuk mendon të mos hyjë në zgjedhje. LSI mendon se duhet gjetur një zgjidhje me patjetër si me opozitën ashtu edhe më një pjesë tjetër të mazhorancës në mënyrë që vendi të ketë stabilitetin e duhur dhe kjo besoj se është në interes të të gjithëve ne dhe të çdo qytetari“, u shpreh Gjosha.
Ministrja e Integrimit sqaron gjithashtu se në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit do të jetë deputete në Tiranë.
“Jam e vendisur pranë njësisë bashkiake nr.1 dhe jam duke punuar shumë me strukturat atje“, thotë Gjosha, ndërsa duke iu referuar pritshmërive eleitorale të LSI-së në 18 qershor thotë se fjala e fundit u takon qytetarëve me votë.
Gjosha sqaron gjithashtu për Report Tv deklaratën e saj në Pogradec se Ilir Meta do të jetë kryeministër pas zgjedhjeve të 18 qershorit.
“Nuk e di pse duhet të bënte bujë një deklaratë e tillë sepse nuk dhashë ndonjë deklaratë për shtyp as nga Ministria e Integrimit dhe as zyrtare. Ne jemi me elektoratin dhe të gjithë ne shpresojmë me kryetarin tonë për të qenë në krye. Por kjo nuk do të thotë se është diçka zyrtare, apo një vendim për të bërë Ilir Metën kryeministër“, sqaron ministrja e Integrimit.
Zërat për prishje koalicioni nuk janë të verteta, pasi marrëveshjes me PS, LSI do t’i qëndrojë deri ditën e fundit me fanatizëm, konfirmon ministrja.
“Ne jemi në koalicion dhe jemi munduar, me fanatizëm do të thoja unë, që të respektojmë çdo pikë të kontratës të cilën ne e kemi ende në vazhdimësi me Partinë Socialiste do ta bëjmë këtë deri në fund. Kështu që mendoj se nuk është momenti për të diskutuar për koalicionin. Padyshim që në ditët, në javët në vazhdim do të jetë një temë diskutimi, por në këto momente ne jemi shumë të fokusuar tek puna e përbashkët që kemi me Partinë Socialiste”, deklaroi Klajda Gjosha.
Ndërkohë në kuadër të punës së saj të përditshme, Gjosha shpreson që krizës politike me Vettingun, t’i ketë ardhur fundi deri në shtator, kur Brukseli do të flasë me raportin e ndërmjetëm.