Nga Bledi Lumani
Pasi është kthyer nga SHBA, Lulzim Basha ka mbajtur një fjalim në çadrën e PD-së.
Ai iu ka thënë protestuesve të PD-së, se është takuar me bashkëpunëtorë të ngushtë të Donald Trump dhe ka marrë mbështetje për protestën që po bëjnë para Kryeministrisë.
“Erdha me zemrën plotë dhe besim të kauzës tonë, me mbështetje nga SHBA dhe Brukseli”, tha ai.
Lulzim Basha në fakt, vështirë të thuhet nëse ka pasur ndonjë takim në SHBA.
Nëse ai nuk do të ishte shfaqur në zyrat e “Zërit të Amerikës”, nuk do ta kishte marrë vesh askush se ishte në SHBA.
Vetë PD, nuk lëshoi ndonjë deklaratë për shtyp, për ndonjë takim të mundshëm të Bashës në SHBA, gjë që tregon se ai realisht nuk ka takuar zyrtarisht asnjë zyrtar amerikan.
Duke qenë se nuk ka asnjë deklaratë zyrtare për takime, e vetmja gjë që mund të aludohet, është se ai ka kryer takime jo zyrtare me lobistë.
Por, përderisa nuk ka asnjë deklaratë zyrtare nga SHBA, nuk mund të vish këtu dhe të thuash se ke mbështejen e Uashingtonit.
Uashingtoni flet ose nëpërmjet Departamentit të Shtetit, ose Ambasadës amerikane në Tiranë.
Deri më tani, nga Departamenti amerikan nuk ka pasur ndonjë deklaratë mbështetëse për protestën e PD-së, ndërkohë që ambasadori amerikan në Tiranë, përfaqësuesi zyrtar i SHBA-së në vendin tonë, ka kërkuar kthimin e opozitës në Kuvend.
Ndërsa nga Brukseli, jo vetëm që nuk ka pasur mbështetje, por vetë përfaqësuesja e lartë e BE-së, Federica Mogherini, erdhi në Tiranë dhe kërkoi që PD të hyntë në Kuvend, çka solli reagimin e ashpër të Bashës, aq sa i quajti “bullshit” deklaratat e saj.
I kompleksuar nga dështimi i vizitës së tij në SHBA, Bashës nuk i mbetet gjë tjetër tani, veçse të gënjejë mbështetësit e tij. Dhe këtë e bën pa pikë turpi, a thua këta janë të izoluar brenda asaj çadrës së ngritur para Kryeministrisë dhe nuk marrin vesh çfarë ndodh.
Fakt është se deri më sot, Uashingtoni dhe Brukseli zyrtar kanë kërkuar nga Basha, që ta nxjerrë PD-në nga çadra dhe ta kthejë në Kuvend. Pastaj se çfarë i thonën nën vesh Lulzim Bashës, “bashkëpunëtorët e ngushtë” të Trump, është një përrallë që vështirë se e beson edhe Liliana me Arbjolën!/Tema