Deputeti socialist Ervin Koçi, ka dorëzuar mandatin e deputetit në mënyrë të papritur.
Këtë gjë ai e ka bërë publike me anë të një letre të publikuar mbrëmjen e djeshme, ndërsa luhej ndeshja Itali-Shqipëri.
“Gazeta Shqiptare” thotë se Ervin Koçi e la mandatin si përfaqësues i socialistëve të Fierit për një ofertë që i është bërë nga kryeministri Edi Rama.
Koçi pritet të propozohet në krye të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare, një institucion i drejtuar deri pak ditë më parë nga Enkeljeda Shehu.
Sipas “GSH”, Koçi nuk është menduar dy herë për të lënë mandatin e përfaqësuesit të popullit dhe për të marrë një detyrë që zgjat edhe 5 vjet të tjera.
Në lamtumirën që i dha popullit të Fierit, Ervin Koçi kërkoi falje për ato që nuk kishte bërë, por la të kuptohej se nuk do të ishte pa punë.
“Një ndjesë për cdo banor i cili ka patur më shumë pritshmëri prej meje e nuk i kam bindur me angazhimin tim, edhe pse jam përpjekur të bëj maksimumin për problematikat dhe kerkesat e komunitetit apo dhe me nevojat e tyre personale.
Njëkohësisht ju informoj se tërhiqem nga të gjitha angazhimet e mia politike dhe do të aspiroj për të marrë përgjegjësi publike si një mundësi e re për të dhënë kontribut të mëtejshëm si dhe për të vazhduar zhvillimin professional” shkruajti Koçi, që pas kësaj ngjit shkallët e karrierës në një institucion të rëndësishëm si ai i Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare.