Deputeti i PS-së, Ervin Koçi bëri publike se që nga dita e djeshme, ai nuk është më deputet. Në facebook, deputeti i Fierit bëri me dije se kjo dorëheqje vjen për marrjen e një përgjegjësi publike dhe ajo lidhen me kreun e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.
Një deputet ikën dhe një tjetër deputet ulet në Kuvend dhe ai është Prefekti i Fierit, Xhevit Bushaj i cili në një intervistë për Gsh.al është shprehur se do të braktisë detyrën që ka, për të marrë mandatin e deputetit. Nga ana tjetër ai rrëfen edhe marrëdhëniet me drejtuesit e PS, Edi Ramën dhe Gramoz Ruçin.
Zoti Bushaj, deputeti i qarkut të Fierit, Ervin Koçi ka lënë mandatin dhe sipas rradhës i bie që të jeni ju deputet për sa kohë I ka mbetur kësaj legjislature. A keni marrë ndonjë konfirmim?
Po, në listë unë jam.
Ju jeni edhe prefekt i Fierit. A do ta lini këtë detyrë për tu bërë deputet?
Po, tani…Unë dua që të justifikoj atë besim që kam patur në zonën time. Unë kam patur një zonë me 54 mijë banorë. Janë marrë afërsisht 9600 vota. Kështu që unë jo vetëm që kam qenë kryetar i PS-së së rrethit të Fierit, kam drejtuar për 6 vjet Partinë Socialiste në Fier dhe e kam sjellë në fitore. Kam qenë i 12 –ti në listë. Kam 3 vjet e gjysmë që vazhdoj detyrën e Prefektit. Kam goxha komunikim me njerëzit, duke u shërbyer atyre në çdo moment dhe në çdo situatë emergjente siç kanë qenë përmbytjet apo problemet në zonën naftëmbajtëse të Patos Marinzës, por njëkohësisht edhe problemet e tjera dhe bashkëpunimin edhe me pjesën tjetër, edhe me kundërshtarët tanë, sidomos për reformën administrative-territoriale, ku qarku i Fierit ishte një nga qarqet ku nga 42 njësi vendore janë vetëm 6 bashki tani, ku kemi përfshirë dhe ka marrë pjesë edhe opozita, gjatë gjithë konsultimeve që kemi bërë. Domethënë është gjetur fryma e bashkëpunimit.
Çfarë deputeti do jeni, deputet klasik, do jeni më shumë në zonën tuaj, do rrini më gjatë në Paralament…?
Plani im është që unë të përfaqësoj denjësisht ata njerëz që më kanë dhënë votën dhe kanë besimin tek unë. Pavarësisht se unë nuk kam qenë në Parlament, kam qenë këtu me ata qytetarë, me ata votues dhe gjithmonë jam munduar të jap maksimumin për ata. Kjo do të jetë fryma e angazhimit tim maksimal. Gjithmonë do të jem në shërbim të atyre njerëzve.
Si e ke parë Parlamentin gjithë këto vite që keni qenë jashtë?
E kam ndjekur me më shumë kureshtje. Atje ku nuk më ka pëlqyer unë kam ku i bëj konsultime, edhe me grupin tonë që kemi sepse ne jemi ne jemi një grup goxha i madh deputetësh në qarkun e Fierit. Kam qenë shumë vite më herët kandidat, por kam bërë dorëheqje për arsye personale atëherë. Por parlamenti më është dukur një mosrespektim i problemeve dhe i njëri-tjetrit mbi të gjitha. Nuk më pëlqen fryma e sharjeve e përbaltjeve.
Si i keni marrëdhëniet me drejtuesit e PS-së, Ramën, por edhe Ruçin, meqë është i zonës?
Shumë të mira. Unë kam qenë një drejtues i qeverisë dhe i PS-së në qarkun e Fierit.
Kur ka qenë takimi fundit me Ramën?
Po edhe para disa ditësh jemi takuar. Kemi diskutuar për detyrat tona, unë si përfaqësues këtu në qark, jemi konsultuar për probleme të ndryshme . Por njëkohësisht jemi marrë edhe me shpërndarjet e legalizimeve në të gjashta bashkitë e Fierit.