Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, paralajmëroi vendet perëndimore kundër destabilizimit të situatës politike në Maqedoni. Komentet e tij, siç raporton Zëri i Amerikës, u bënë dy ditë pas vizitës në Shkup të Komisionarit të Bashkimit Evropian Johannes Hahn, në një përpjekje për të tejkaluar bllokadën politike që u ka pamundësuar partive politike të formojnë qeverinë, që nga zgjedhjet e muajit dhjetor.
Kriza ka nxitur tension ndëretnike, pasi që partitë politike shqiptare kërkuan që gjuha shqipe të jetë gjuha e dytë zyrtare në vend, si kusht për t’u bashkuar në koalicionet e mundshme qeveritare. Kjo çoi në protesta të përditshme në tri javët e fundit.
“Situata aktuale në Maqedoni, që unë do ta quaja krizë që në shumë aspekte është nxitur artificialisht – po çon në një situatë kur ka përpjekje për ndarje të shoqërisë”, tha Lavrov, duke nënvizuar se perëndimi duhet të kuptojë rreziqet e përpjekjeve të tilla.
Ai tha gjithashtu tha se është e “çuditshme” që veprimtaritë e Rusisë në Ballkan janë konsideruar “provokuese” dhe se marrëdhëniet ruse me vendet e Ballkanit nuk duhet të jenë një shkak për shqetësim në perëndim.
Ministri i jashtëm maqedonas, Nikola Poposki, i tha Zërit të Amerikës se perëndimi duhet të jetë shumë i shqetësuar.
“Ne mund ta përfytyrojmë qartazi se fuqitë botërore si Rusia, kanë interesa pothuajse gjithandej nëpër botë”, i tha ai shërbimit maqedonas të Zërit të Amerikës, pas një dite takimesh me ligjvënës amerikan në Ëashington.
“Më e rëndësishme është ajo se çfarë është në interesin e vendeve të rajonit. Sa i përket Maqedonisë, në jemi të qartë se anëtarësimi në NATO dhe BE është përparësi e jona. Dhe ne do të dëshironim të arrinim këto qëllime sepse besojmë që kjo është receta më e mirë për paqe, qëndrueshmëri dhe përparim ekonomik në rajon. Mbetemi të përkushtuar ndaj këtyre synimeve”, tha ai.
Udhëheqësit e Bashkimit Evropian dhe analistët, thonë se përplasjet politike në rritje në Maqedoni mund të dalin jashtë kontrollit, duke rritur tensionet etnike gjithandej Ballkanit.
Javën e kaluar, kryeministri serb, Aleksandër Vuçiç, paralajmëroi për pasoja serioze nëse Bashkimi Evropian nuk u jep vendeve të Ballkanit perëndimorë një mesazh të qartë për bashkimin e tyre në këtë bllok, duke ju referuar rritjes së nacionalizmit dhe simpatisë pro-ruse në rajon. Të mërkurën, ministri serb i Mbrojtjes, Zoran Gjorgjeviq, bëri thirrje për stërvitje të përbashkëta ushtarake ndërmjet Serbisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Të hënën, ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Srgjan Darmanoviq, tha se aleatët e NATO-s të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara kishin mbështetur hetimin e atij që prokurorët malazez e kishin quajtur komplot pro rus për të rrëzuar qeverinë pro perëndimore për të penguar Malin e Zi që t’i bashkohet NATO-s. Kërkesa e Malit të Zi për anëtarësim në NATO është në pritje të miratimit nga senati amerikan.
Sekretari amerikan i shtetit, Rex Tillerson, tha të mërkurën se anëtarësimi i NATO-s do të krijonte një kufi të ngjeshur përgjatë bregut të Detit Adriatik.
“Meqë Mali i Zi kufizohet me pesë vende ballkanike, përfshirë aleatet e NATO-s, Kroacinë dhe Shqipërinë, anëtarësimi i tij në NATO do të mbështeste një integrim më të madh, reformat demokratike, tregun, sigurinë dhe qëndrueshmërinë më të gjithë fqinjët”, tha ai.
Ministrat e Malit të Zi, Serbisë dhe Maqedonisë ishin në mesin e pjesëmarrësve të konferencës së Departamentit të Shtetit me koalicionin global kundër grupit militant Shteti Islamik, përgatiti Koha. (b.an)