Ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati, reagoi pas deklaratave të kreut të opoziotës Lulzim Basha dhënë në studion e Zërit të Amerikës.
Përmes një postimi në Twitter ai reagoi ndaj deklaratës së Bashës i cili tha “se me investimin edhe të parave të narkomafias shqiptare është investuar në dezinformimin si të publikut ndërkombëtar, ashtu dhe të qendrave të vendimmarrjes politike.
“Domethënë, sipas Lulzim Bashës, kanabisi po bleka dhe Amerikën, prandaj nuk u shihka fare çadra që andej! Keqardhje për Partinë Demokratike”, ka thënë Bushati.
Çfarë deklaroi Basha në VOA që solli reagimin e Bushatit
VOA: Çfarë prisni nga zyrtarët amerikanë?
Lulzim Basha: Nuk presim të na zgjidhin problemet të huajt. Së pari duhet informimi i qendrave kryesore të aleatëve tanë strategjikë, Uashingtonit, Brukselit dhe partnerëve të tjerë. Sepse me investimin edhe të parave të narkomafias shqiptare është investuar në dezinformimin si të publikut ndërkombëtar, ashtu dhe të qendrave të vendimmarrjes politike.
VOA: A vini në dyshim informacionin që Ambasada Amerikane në Tiranë dërgon në Uashington?
Lulzim Basha: Nuk ka të bëjë kjo. Kjo është çështje e komunikimit diplomatik. Komunikimi mes ambasadës dhe DASH janë çështje të tjera. E kam fjalën për lobistët e paguar nga narkomafia, të cilët punojnë në Uashington, Bruksel, Berlin dhe Londër për të fshehur të vërtetat e hidhura të Shqipërisë dhe për të keqinformuar aleatët tanë.
Qendrat kryesore të politikëbërjes shohin me shqetësim se si nën qeverisjen e Edi Ramës Shqipëria është kthyer në furnizuese të Europës jo vetëm me marijuanë por dhe heroinë e kokainë, sesi shteti ligjor është zhbërë dhe sesi procesi demokratik është asgjësuar nga kriminelë me nam, që sot bëjnë ligjin në shtetin shqiptar dhe brenda PS-së. Kjo njihet nga të gjithë dhe konstatohet si problemi kryesor për të ardhmen e Shqipërisë. Pengesa kryesore që Shqipëria të anëtarësohet në BE është kriminalizimi total i shtetit dhe kërcënimi që krimi i organizuar përbën për zgjedhjet e lira e të ndershme./a.m.