Ilija Dimovski i VMRO DPMNE-së këmbëngulë se temë e bisedimeve me BDI-në rreth formimit të Qeverisë në asnjë moment nuk ka qenë deklarata e përbashkët e partive shqiptare.
Sipas tij, fakti që BDI nuk bëri koalicion me VMRO PMNE-n është pikërisht mospranimi i kësaj platforme. “VMRO DPMNE absolutisht nuk ka pranuar dhe nuk ka biseduar për të ashtuquajturën platformë nga Tirana. Këtë gjë e kemi potencuar dhe kumtuar tashmë disa herë. Megjithatë, për fat të mirë ishte kumtuar edhe nga vetë BDI se dallimi mes VMRO-së dhe LSDM-së është se kjo e fundit ka pranuar platformën e Tiranës”, deklaroi Ilija Dimovski nga VMRO-DPMNE.
Nënkryetari i BDI-së Nevzat Bejta nga ana tjetër demanton Dimovskin. Në emisionin “Rruga Drejt” Bejta tha se VMRO DPMNE-ja kishte propozuar dygjuhësisë në uniformat e policisë.
“Ai ka qenë propozim i tyre, me të cilin jemi pajtuar edhe ne që policët shqiptarë t’i kenë uniformat në gjuhën shqipe. Ai është propozim i atyre, që uniformat e policisë shqiptare të jenë në dy gjuhë, gjuhën maqedonase dhe gjuhën shqipe”, deklaroi Nevzat Bejta, nënkryetar i BDI-së.
Nga BDI-ja njoftuan se koalicioni me VMRO DPMNE nuk u arrit për shkak të qëndrimeve të ndara rreth Speciales. Por VMRO-ja insiston se ndarja me BDI-në erdhi pasi Gruevski nuk ka pranuar platformën shqiptare, përgatiti Koha. (b.an)