Në periudhën janar – shkurt 2017, daljet e shtetasve shqiptarë kanë pësuar rënie me 0,4 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një vit më parë. Ndërkaq, hyrjet e shtetasve shqiptarë kanë pësuar rritje me 4,5 %, referuar të njëjtës periudhë krahasimore.
Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi të enjten raportin mbi lëvizjen e shtetasve në Shqipëri, numri i shtetasve shqiptarë dhe të huaj të hyrë në territorin shqiptar, në muajin shkurt 2017 është 464.485. Krahasuar me shkurtin 2016, ky tregues rezulton me rritje 3,6 %.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vend është 185.721. Krahasuar me shkurtin 2016, ky numër është rritur me 9,5 %. Numri i shtetasve të huaj të hyrë në vendin tonë, në dy muajt e parë 2017 është rritur 4,5 %, në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Shtetasit shqiptarë dhe të huaj të dalë nga vendi gjatë muajit shkurt 2017 janë 481.613, duke shënuar një rritje me 2,0 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë muajit shkurt 2017 është 297.279. Krahasuar me Shkurt 2016 ky numër është rritur 0,7 %.
Sipas INSTAT-it, numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i vendit tonë në dy muajt e parë 2017 është ulur 0,4 %, krahasuar me njëjtën periudhë të një viti më parë.
Numri i vizitorëve të huaj, të hyrë në Shqipëri për qëllime pushimi dhe vizita ditore, në muajin shkurt 2017 rezulton 35.096, ndërsa në shkurt 2016 ky numër ishte 17.768.
Në Shqipëri, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë për qëllime personale në shkurt 2017 është 182.010 dhe përbën 98,0 % të numrit gjithsej të hyrjeve të shtetasve të huaj. Krahasuar me shkurtin 2016, numri i shtetasve të huaj për qëllime personale është rritur 9,8 %.
Numri i shtetasve të huaj të hyrë në Shqipëri për qëllime biznesi përbën 0,2 % të hyrjeve të shtetasve të huaj, duke shënuar ulje me 3,4 %. Numri më i madh i hyrjeve të shtetasve të huaj në vendin tonë, në muajin shkurt rezulton nga vendet fqinje, si Kosova me 30,9 %, pasuar nga hyrjet e shtetasve të huaj nga Maqedonia me 15,9 %, Greqia me 15,0 %, Mali i Zi me 12,9 %, etj. /b.d