Të jetë kjo grua e re ndonjë nga këto feministet e çartura që flenë me sy hapur dhe shpatën ngrehur, – mendova ndërsa skanoja dhe një herë titullin e shkrimit si për të vonuar edhe një a dy çaste më tepër fillimin e leximit për ta shijuar atë më mirë më pas. Nëse është vërtet kështu, amen zogu, kusur mos u lër!
Me ngjallin një entusiazëm pothuaj foshnjarak këto Shotat e barazisë gjinore, sidomos kur anatemojnë meshkujt pse këta nuk u mbajnë derën me delikatesë, nuk i surprizojnë, mundësisht në publik, me tufa oversize lulesh shumëngjyrëshe dhe puthje lektisëse à la Morgan et Gabin apo nuk vringëllijnë portofolin sa herë dhe kurdoherë është e nevojshme për t’u siguruar atyre një nivel komforti krejtësisht të merituar.
Por, sapo fillova të lexoj shkrimin, ideja që meshkujt do të ishin alpha dhe omega e hosanasë m’u davarit po aq rrufeshëm sa dhe ajo e përkatësisë së autores në armatën ciklonike të më vizionareve, më elokuenteve dhe më të angazhuarave prej nesh, feministeve.
Vijova gjithsesi të lexoj dhe shumë shpejt m’u bë e qartë që autorja, e quajtur Iva, nuk ia paskësh dalë të realizojë një mardhënie të qendrueshme apo të arrijë një ekuilibër emocional të kënaqshëm në jetën e saj private pasi është tragjikisht overqualified, në një treg raportesh të kontrolluar nga bibat, një takëm çupash dhe/apo grash që “tundin byçkat” dhe bëjnë “ga ga ga.”
Me pak fjalë, biba, kjo specie mamale, me pamje “super të bukur”, “pendë të llustrosura” dhe “buzë të fryra përpara”, me një verbalitet dramatikisht të cunguar pasi “nuk ka ç’të rrëfejë” dhe krejt e paaftë për “të tjerrë argumente”, është gjithsesi arsyeja pse burrat shqiptarë hedhin në erë lidhjet e tyre sentimentale me një Ivë githëaq të llustrosur apo jo, arsyeshëm të hijshme apo jo, profesionalisht të suksesshme apo jo dhe e zëvendësojnë atë me një bibë “të veshur me mendafsh, flokët e lëshuara, pak tualet”, që “thotë të kam xhan dhe ca bibllëqe që ata i argëtojnë pafund.”
Vështirë të konsiderohet imun nga një numër i konsiderueshëm noksanllëqesh thelbësore ky argument, por edhe nëse pranojmë se është kështu nuk di çfarë mund të gjykohet e gabuar në përpjekjen e çdo gruaje për të mirëmbajtur paraqitjen fizike apo për t’u dukur sistematikisht e tapinosur. Ashtu si nuk di nëse një grua që mbulon trupin e saj me mëndafsh konsumon ndonjë paudhësi të posaçme morale për çka duhet kryqëzuar me çdo kusht në murin publik shqiptar të ekseseve dhe ekstravagancës, paçka se unë personalisht, me siguri si shumë gra të tjera, e gjej tejet më komode të shijoj privatësinë e folesë sime në komfortin e një T-shirti të vjetër pambuku të burrit apo një kanotiereje time.
Nuk jam e informuar gjithashtu si dhe kur reshtën humanët, burra apo gra, së qeni thellësisht receptivë ndaj gjesteve dhe termave afektivë, përfshi këtu frazën e ëmbël shqipe, spërkatur me pakëz orientalizëm: “të kam xhan”, – apo variacione të saj sipas oreksit të secilit. O Perëndi! Nëse këto që shkruan kjo zonjushë janë një reflektim besnik i jetës së saj apo çka ajo koncepton si dramë të sajën, i vetmi individ për të cilin ndjej një keqardhje relative është i dashuri apo bashkëjetuesi i saj, ky mashkull i gjorë, i djegur për pakëz sensualitet femëror që paskesh frymuar, ai e di se si, në këtë mjedis spartan ku të jesh e bukur dhe e kuruar është mëkat dhe të thuash “të kam xhan” është krejtësisht e panevojshme.
Jo vetëm është aq e paaftë të formulojë në mënyrë efektive kritikën e saj për bibat sa duket të jetë e pasinqertë dhe e kamufluar në supozimet e saj, por Iva bën vaki t’u ketë kryer dhe një shërbim të çmuar, ndonëse krejtësisht të paqëllimshëm, atyre ndërsa i certifikon si fituese të pamëshirshme garash. Pra, në sensin e afirmimit të identitetit apo dëshirave dhe objektivave të saj, biba qenka nga ato forca natyrore që të fikin deren dhe penxheren njëkohësisht, jo ajo kukulla me dy pare tru që nuk ja vlen të merret seriozisht.
Këto boll vite ekzistence mbi tokë më kanë mësuar fort mirë një të vërtetë e cila më hidhëronte apo dhe revoltonte dikur në të njëjtën masë sa më le indiferente sot; nuk ka urryese dhe sabotuese më efektive të grave sesa vetë gratë dhe ky shkrim është një ilustrim aq i përkorë i kësaj teorie sa do të doja të ishte shpartallues pëfundimtar i saj. Por nuk mund t’i mohoj gjithsesi trahanasë së Ivës një dimension universaliteti; atë të sulmit unifikues ndaj grave dhe burrave njëkohësisht, çka më shtyn t’i sugjeroj që, meqë burrat janë pa përjashtim kaq lemerisht sipërfaqësorë, të konsideronte njëherë të notonte në pellgun tjetër, më cilësorin, më të virtytshmin, më të kthjelltin, atë të grave antibiba dhe nëse këtë opsion e gjen të pakënaqshëm apo repulsiv, mund të konsiderojë një analizë të gjatë e pa hile të dhëmkave të saj private jashtë sferës publike; blogjeve, portaleve, Facebook-ut, e kështu me rradhë – gjithnjë nëse e ka hallin tek jeta e saj.
Secila prej nesh mund të bëjë përgjegjës/e kë të dojë për çka nuk shkoi mirë apo fort hidhur në një moment të caktuar të jetës sonë, por zgjedhjet trashanike që bëjmë ne vetë dhe përgjegjësitë tona personale nuk bëhen më të lehta për t’u kapërdirë e as nuk reshtin së ekzistuari si të tilla nëse lypim aprovim ku të mundemi apo qurravitemi lart e poshtë për të fituar simpati publike.
Ke shume te drejte, Ana, bashkohem plotesisht me ty, por mundohu ta evitosh pak kete stilin e fjalive te sterzgjatura te bashke- dhe nenrenditura percaktore, shkakore, rrethanore, qellimore ne 7 rreshta, se na humbet filli kur te lexojme. Edhe perdorimi i shume barbarizmave ma turbullon pak vijueshmerine e mendimit dhe vetem sa i humb vleren argumentave te tua.