Poezitë janë mendimi më i lartë që bashkohet me shpirtin e muzikën e përcillet me vargjet. E Shqipëria është pasdiskutim vendi i poetëve. Kemi aq shume poetë të rinj e të vjetër, sa do të ishte vështirë të zgjidhnim vetëm njërin për kujtuar 21 marsin, Ditën Botërore e Poezisë, hyjneshës së fjalës.
Kjo ditë që nga viti 1999 është konceptuar si një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të kapaciteteve kreative të secilit prej nesh. Për këtë arsye, UNESCO bën thirrje për zhvillimin e aktiviteteve kulturore në nivel lokal e ndërkombëtar në institucione publike e private, duke përfshirë këtu shkolla, bashki, muze, shoqata kulturore, shtëpi botuese etj.
Dita Botërore e Poezisë është një ftesë për të reflektuar mbi fuqinë e gjuhës dhe zhvillimin e plotë të aftësive krijuese të çdo personi.
Si një shprehje e mendjes njerëzore dhe si art universal, poezia është një mjet i fuqishëm dialogu. Poezia ndihmon për të promovuar komunikimin dhe lidhjen mes kulturave të ndryshme, sepse krijon akses drejt autenticitetit të një gjuhe.
Në ditët e sotme, është proza gjinia e preferuar dhe si e tillë edhe më e lëvruar, edhe pse vitet e fundit është bërë një punë e mirë për kthimin e vëmendjes te poezia. Sërish, në të gjithë botën vërehet një tendencë e medias dhe publikut në përgjithësi për të mos u kushtuar vëmendje serioze poetëve.
Një gjë e tillë ka nevojë për ndryshim, për t’i dhënë poezisë vendin që, me të drejtë, i takon.
Poezia e Pjetër Budit
Madhështi e njerëzve
Ku janë ata pleq bujarë,
që qenë përpara ne,
e ata trima sqimatarë,
të shpejtëtë si rrufe?
Ku janë ata djelm të ri,
të bukur e të lulzuom,
që pate pamë me sy,
me ta folë e ligjëruom?
Ku janë ata zotëninj,
që dojin me zotënuom
ndë sqimë e ndë madhështi,
këte jatë tue shkuom?
Ku janë ata perandorë
gjithë shekulli nalcuom,
në krye me një kunorë
gurëshi cë paçëmuom?
Ku janë ata letërorë
t’urtë e dijes të ndëgjuom,
të bardhatë posi borë
letëra tue kënduom?
Ku janë ato gra e vasha
ndë sqimë e ndë madhështi,
me petëkat të mëndafshta
nalcuom mbë zotëni?
Gjithë mortja i rrëzoi,
sikur i pret me shpatë,
për të ri s’i shikoi,
as të vobegë,as të begatë./shqiptarja.com
a.ç