Për fat makthi mori fund. Njoftohet se në Vjenë është arritur marrëveshja historike me Iranin për kufizimin e programit bërthamor. Një marrëveshje mbi kufizimin e programit bërthamor të Iranit në këmbim të lehtësimit të sanksioneve ndaj Republikës Islamike është arritur të martën në Vjenë. Sipas Associated Press, një diplomat perëndimor ka thënë se janë kaluar të gjitha pengesat dhe marrëveshja do të zyrtarizohet pas disa orësh.
Marrëveshja përmban kompromisin në mes të SHBA e Iranit, sipas të cilit u bëhet e mundur inspektorëve të Kombeve të Bashkuara të kërkojnë vizita në lokacionet ushtarake iraniane në kuadër të operacioneve të tyre për mbikëqyrje.
Gjashtë fuqi botërore, përfshi SHBA, Rusi dhe Mbretëri e Bashkuar, kanë negociuar me Iranin për programin e tij bërthamor.
“Puna që kemi bërë u shpërblye dhe kemi arritur marrëveshjen”, thanë për Reuters dy diplomatë iranianë.
Marrëveshja do t’i paraqitet Këshillit të Sigurimit të KB, i cili duhet ta miratojë deri në fund të korrikut, kur fillon mekanizimi i zbatimit të saj.