Banka e Shqipërisë po harton një strategji për uljen e euroizimit dhe për t’u paraprirë nevojave emergjente për valutë të sistemit financiar.
Ekspertët bankar shprehen se, sistemi financiar karakterizohet nga një shkallë e lartë euroizimi, me gjithë tentativat rregullatore për ta kufizuar përdorimin e monedhës europiane në dekadën e fundit. Sipas BSH-së, rreth 60% e kredisë dhe 52% e depozitave të sistemit bankar janë në valutë të huaj, kryesisht në euro.
Ndërkohë, rezerva valutore shërben si një instrument që synon të mbulojë nevojat e mundshme emergjente të ekonomisë për valutë dhe të zbusë goditje të forta në kursin e këmbimit.
Por, Banka e Shqipërisë synon ta zmadhojë këtë rezervë, edhe në shërbim të objektivit të stabilitetit të sistemit financiar.
Banka e Shqipërisë nuk zotëron instrumente të mbështetjes me likuiditet në monedhë të huaj, megjithatë, forma të veçanta ndihme mund të aplikohen në rrethana të jashtëzakonshme./a.m.